Fier çmimet e frutave dhe perimeve kanë pësuar një rritje 5 deri në 10 herë  krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Report TV vëzhgoi tregun ku së bashku me qytetarët bëri edhe një krahasim çmimesh. Kështu një 1 kg qepë nga 150 lekë marsin e 2022 këtë vit shitet 180, 1 kg speca dhe patëllxhan nga 250 shiten 270 lekë, domatja 250 lekë.

‘Shumë shtrenjtë. Qepa e thatë 180 skandal. shumë të larta, as bëhet fjalë ta përballojmë. unë aq marr pension 90 mijë lekë. I rashë vërdallë çfarë do marrë. Nuk e përballoj dot.’- tha një tjetër.

Por edhe tregtarët përcjellin shqetësimin se çmimi rritet që prej shumicës. Sipas tyre ende mungon dalja e produkteve vendase dhe malli i importit dikton çmimin.

‘Çmimi vendoset nga malli i paktë që është në vendin tonë. Malli i importit vjen me valutë të huaj, dollarë dhe kjo bën rritjen e çmimit. Jo se nuk punohet te ne, por duhet shteti të vihet në veprim të subvencionojë fermerin që ai të punojë me qejf dhe të dije ku të çojë mallin. Të shkojë qepa e thatë 170 -200 në Shqipëri është katastrofë. Po e planifikojmë këtë lloj pune me shumë vështirësi të madhe.’.- u shpreh një tregtar.

Në tregun me shumicë dhe me pakicë të fruta -perimeve rezulton se çdo artikull ka pësuar rritje me rreth 70% më shumë nga periudha e fundvitit duke ulur ndjeshëm edhe fuqinë blerëse.