Një 43-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Rimini të Italisë, është arrestuar në flagrancë nga karabinierët, i akuzuar për dhunë në familje të rënduar, plagosje dhe kërcënime ndaj bashkëshortes dhe djalit të tyre 22-vjeçar, me të cilët jetonte.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi më 5 gusht në një hotel në Viserbella, ku karabinierët ndërhynë pas telefonatës së djalit gjatë një sherri në familje. Kur mbërritën në vendngjarje, ata gjetën 43-vjeçarin në gjendje të dehur, ndërsa kërkonte para nga bashkëshortja për punën që ajo kishte bërë si ndihmëse familjare gjatë muajve qershor dhe korrik.
Gjatë konfliktit, ai tentoi të hidhte një biçikletë mbi makinën e një klienti dhe më pas goditi me grusht në fytyrë djalin, i cili kishte ndërhyrë për të mbrojtur nënën. Nga goditja, 22-vjeçarit i ra telefoni nga dora, ndërsa telefonata me qendrën operative të karabinierëve ishte ende aktive.
Për të ndaluar të atin deri në mbërritjen e policisë, i riu e mbajti të bllokuar në tokë, duke pësuar lëndime për të cilat mjekët i caktuan 10 ditë mjekim.
Sipas rindërtimit të hetuesve, dhuna në familje kishte nisur që në mars të vitit 2020, kur dy fëmijët e çiftit ishin ende të mitur. Në një nga episodet, 43-vjeçari, në gjendje të dehur, kishte hyrë në dhomën e fëmijëve me një rrip në dorë. Kur bashkëshortja ishte përpjekur t'i mbronte, ai e kishte shtyrë, duke i përplasur kokën në bazamentin e murit, dhe më pas kishte goditur edhe djalin e madh. Gruaja, pasi u dërgua në spital, kishte deklaruar se ishte rrëzuar.
Sipas hetimeve, një tjetër episod dhune ndodhi më 2 gusht, kur ai dyshohet se sulmoi sërish bashkëshorten, duke i shkaktuar lëndime për të cilat iu caktuan 30 ditë mjekim. Një ditë më pas gruaja bëri kallëzim në polici, ndërsa më 4 gusht 43-vjeçari shkoi në vendin e saj të punës dhe e kërcënoi.
Prokuroria ka kërkuar vërtetimin e arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest në burg". Sipas prokurorëve, ekziston rrezik konkret që ai të përsërisë veprat penale, ndërsa në dosje përmendet edhe varësia kronike nga alkooli. Ai akuzohet për dhunë në familje të rënduar, plagosje dhe kërcënime.











Komente
Komento