Në Kavallë, ku ngrihet përmendorja e shqiptarit të madh Mehmet Ali Pasha

Në Kavallë, ku ngrihet përmendorja e shqiptarit të madh Mehmet Ali Pasha

Qershorin e vitit  te kaluar,miku im i vjetër z. Ilir Verdha bëri të mundur vajtjen në Kavallë (Greqi), duke plotësuardëshirën time të herëshme. Në këtë udhëtim të shpejtë, pa asnjë ndalesë, ndikoi rruga e ndërtuar rishtaz. Përshtypja e parë sapo hymë në Kavallë: sikur shihnim Sarandën tonë. Gji i bukur, plot mjete detare nga më të ndryshmet. Pas një pushimi të shkurtër u nisëm për të parë përmendoren e Mehmet Aliut, çka përbënte arsyen e vetme të vizitës sonë në Kavallë. Ngjitja në kodrën ku ndodhej përmendorja bëhej në formë spiraleje. Pa mbërritur në majë, vume re një ujësjellës(aqueduc)i kohës të Romës të lashtë, me kate dhe harqe të mëdha mjaft të bukur. Atje ku përfundonte spiralja, atje fillonte sheshi që zinte majën e kodrës. Mbi të ngrihen përmendorja e Mehmet Aliut dhe shtëpia ku ai kishte lindur, e cila ruhet sot si muze- kafe. Përmendorja së bashku me shtëpinë krijojnë një bashkësi vlerash, një pamje e bukur që vështirë të fshihet nga kujtesa. 

Kur shikon gjithë këtë kujdes dhe interes nga ana e vendit fqinj, nuk mund të mos lindin pyetje të shumta, përgjigjet e të cilave s’jepen dot me disa fjalë, aq më tepër që marrëdhëniet midis ortodoksëve grekë dhe myslimanëve turq etj. nuk kanë qenë të mira gjatë dy shekujve të fundit. Midis politikave të Perandorisë osmane ka syresh që dëshmojnë për tolerancë dhe fisnikëri, kur në vendet europiane janë vërrejtur sjellje të kundërta, të ashpra ndaj komuniteteve të caktuara. Mjafton të përmendim sistemimin nga ana e osmanëve të mijra ebrenjve sefardikë të dëbuar në kohën e Izabelës I nga Spanja, në qytete të perandorisë (kryesisht në Selanik) në fund të viteve 1400. Para kësaj ngjarje të kobshme duhet theksuar edhe marrëveshja që lidhi Sulltan Mehmeti II me Patriarkun e Konstandinopojës më 1453, e cila nga historianë seriozë është cilësuar si : “shembulli i parë i tolerancës në Evropë”. Në dallim nga sundues të tjerë, për  grekët dhe të krishterë të tjerë, Mehmet Ali Pasha ka qenë jo vetëm miqësor, por edhe i dobishëm. Miqësia me grekët ishte krijuar prej një kohe të largët. Ajo ishte rritur dhe forcuar për shkaqe nga më të ndryshmit, si interesa eknomike, tregtare dhe politike.

Marrëdhënie të tilla veç fitimit kishin krijuar edhe lidhje të ngrohta njerzore. Sjellja e M. Aliut në Egjipt e gjetkë ku ndërthurreshin disa kultura dhe besime  fetare shfaqej nëpërmjet një drejtpeshimi logjik e demokratik të barabartë ndaj të gjitha popullsive me përkatësi të ndryshme fetare. Duke mos patur paragjykimet e myslimanëve të epokës së tij – thotë M.Sabry-, ai shfuqizoi çdo akt poshtërues për të krishterët. Lejoi krijimin e kuvendeve në Kajro, u dha mundësi të krishterëve t’u binin këmbanave etj.Pas vitit 1811,shumë grekë i kishte tërhequr Egjipti, pas vitit 1815 edhe shumë francezë (viti 1815 që përmendet më sipër ka të bëjë me humbjen përfundimtare të ushtërisë franceze, komanduar prej N.Bonapartit më 18 qershor 1815 në Vaterlo. Mbas kësaj beteje, shumë ushtarë që s’dinin zanat tjetër veç luftës u shpërndanë andej-këtej dhe mund t’u jenë baskëngjitur edhe ushtërive të M.Aliut. Duhet thënë gjithashtu se, pavarësisht luhatjeve që janë vërrejtur midis Francës dhe M. Aliut, e pranishme ka qenë pothuajse gjithmonë një marrëdhënie e qendrueshme miqësore-V.M.). Grekë të shumtë u futën në repartet ndihmëse shqiptare të formuara nga M.Aliu Tregtarëve grekë M.Aliu u vlerësonte shumë shpirtin e nisiativës, si edhe aktivitetin  detar e tregtar të grekëve. Kështu, kur ai vendosi të ketë një marinë tregtare iu drejtua fillimisht grekëve… Midis miqve të mëdhenj të M.Aliut në këtë kohë figurojnë grekët si Tozisa, Anastasi, Kasylli dhe Zizinia, të cilët kryenin operacione të ndryshme financiare dhe tregtare me M.Aliun dhe dalin miqtë më të mëdhenj të tij … Kur shpërtheu Revolucioni grek, Mehmet Aliu mbylli sytë përpara veprimtarisë së “heterive” dhe mbrojti pasuritë dhe jetën e shumë grekëve që ndodheshin në Egjipt, pavarësisht nga urdhërat që i vinin prej Portës (M.Sabry, Mehmet Aliu, faqe 40).

  Mund të thuhet gjithashtu se, grekët i hedhin sytë ndaj çdo vendi që ka gjurmë helene. Për ta nuk është e pakët që një qytet i rëndësishëm i Egjiptit si Aleksandria mban emrin e Aleksandrit të madh, që mbas vdekjes i ra për pjesë gjeneralit të tij Ptolemeut, duke u pasuar nga dinastiae tij, prej nga ka dalë dhe Kleoptra, mbretëreshë e shquar e Egjiptit. Në Egjipt kanë jetuar dhe jetojnë koptët (koptë janë mbiquajtur prej grekëve ata egjiptianë që janë të krishterët ortodoksë dhe që mbetën të tillë në Egjipt edhe mbasi ky u pushtua prej myslimanëve). Banorët e Etiopisë quhen gjithashtu koptë. Etiopia (Abisinia) është Perandoria e parë ortodokse e Botës.Prania e koptëve vërehet edhe në Sudan ku koptët predikojnë monofisizmin, doktrinë kjo e sh. V të erës së re, që ka në themel të saj bashkimin në Krisht, në një natyrë unike të hyjnores me njerzoren. Interpretimi i kësaj doktrine, shoqëruar me kërkesën për dhënien e pëlqimit për pranimin dhe zbatimin e saj, për miratim u dërgua në Koncilin e Kalcedonës më 1451 (Kalcedona quhet një  qytet i vjetër në Azinë e vogël mbi Bosfor, përballë Konstandinopojës, sot me emrin Kadiqoj - V.M). Koncili e hodhi poshtë monofisizmin, megjithëatë ai mbijetoi në disa kisha lindore.Gjuha e koptëve ka lidhje gjithashtu me gjuhën greke, prej së cilës ka rrjedhur dhe emërtimi: “demotika” apo “demotike”. Ky emërtim  që do të thotë në greqisht demokratike(popullore, e thjeshtë dhe që kuptohet lehtë - V.M) ka krijuar një gjendje të posaçme të gjuhës greke, që shkruhej shpejt dhe praktikohej në Egjiptin e vjetër(sh.VII para Krishtit deri në sh.V pas Krishtit).

Ky lloj shkrimi u përdor përkundrejt gjuhës të vështirë akademike,”katharevusen” dhe ka qenë pjesë e formalizmit fetar të quajtur “hieratik”, që do të thotë se kishte të bënte me gjërat e shenjta, si p.sh. me liturgjinë, duke transmetuar gjatë predikimit dhe të ecurit të klerikëve një mënyrë pompoze për të dhënë para publikut kuptimin e diçkaje të madhërishme. Shkrimi demotik, krahas shkrimit hieroglifik dhe atij grek ishin pjesë e përmbajtjes së njëjtë për secilin shkrim të gurit të Rozetës, qytetit port të Egjiptin e poshtëm, në grykëderdhjen e krahut perndimor të Nilit, që në arabisht i thonë Rashid, atje ku u zbulua guri i famshëm i Rozetës më 1799 prej një ushtaraku francez gjatë fushatës së Napoleonit(në këtë gur në formë lapidari u gjetën të gdhendur tre shkrimet, me anën e të cilave bëhej e njohur përmbajtja e një dekreti të Ptolemeut të V. Guri  u zhvat nga anglezët mbas ikjes të Napoleonit dhe sot ndodhet në Muzeumin Britanik). Zbulimi i këtij guri me përmasa përafërsisht 120 cm x 75 cm tronditi gjithë botën akademike. Ky zbulim u bë ngjarje botërore sidomos mbas deshifimit të përmbajtjes të shkrimeve prej shkencëtarit francez Shampojon më 1822, i cili ndiente një pasion të veçantë ndaj gjuhës kopte. Egjiptologjia si shkencë e veçantë nuk mund të kuptohet pa Shampojonin dhe disa francezë të tjerë. Në zbulime të mëtutjeshme, ndihmesë të madhe dhe të drejtpërdrejtë ka dhënë Mehmet Aliu.  

Kërkimet për skulptorin grek të përmendores së Mehmet Ali Pashës

Përmendorja (me sa kam marrë dijeni në Internet) është krijuar në Paris prej një skulptori grek, emrin e të cilit për fat të keq nuk e shënova. Kërkimet e mëpastajme, në faqen ku kisha parë të dhënat për skulptorin dështuan, sepse ishin fshirë. Mbas derdhjes në bronx po në Paris, përmendorja u vendos në Kavallë në vitin 1850, pra, një vit mbas vdekjes së Mehmet Aliut.Kjo ka ndodhur-për mendimin tim-se, që me njohjen prej fuqive të mëdha të statusit të monarkisë të trashëgueshme, pushteti në Egjipt do të kalonte-siç kaloi-në duart e pasardhësve të M.Aliut, duke ruajtur një formë vasaliteti të kufizuar prej autoritetit të Sulltanit.Grekët kishin interes të ruanin të njëjtat marrëdhënie edhe me pasardhësit e M.Aliut. Kësisoj, mbas abdikimit të M. Aliut në shtator të vitit 1848, i biri i tij po aq i shquar, Ibrahimi u ngrit në Postin e Valiut(Guvernatorit). Pas vdekjes së tij po në atë vit, në të njëjtin post u emërua Abazi i parë, djali i djalit të M.Aliut, Tosun Pasha që e ushtroi këtë detyrë deri në vitin 1854. Që të dy nuk deshën të bien nën tutelën poshtëruese të Anglisë. Paskëtaj, pasardhësit e M.Aliut sunduan Egjiptin gjer në vitin 1953. I fundit ndër ta ka qenë Mbreti Faruk. Përveç përmendores dhe shtëpisë muze që kanë mbrojtje  nga shteti grek  për Mehmet Aliun, në Greqi është krijuar edhe një institut i veçantë që merret me studimin e jetës dhe veprimtarisë së tij.

Mania e grekëve për të përvetësuar etninë e Mehmet Aliut

Gjithashtu duhet thënë se, disa qarqe greke të caktuara janë të njohur jo vetëm për pretendime të rivendikimeve të teritoreve që s’u përkasin, por edhe për ndryshimin e etnisë së njerëzve të mëdhenj që kanë dalë nga kombe të tjera. Edhe për M.Aliun ata thonë se është grek, sikundër thonë edhe për Skënderbeun. Nëse grekët do ta besonin  vërtet se Skenderbeu do të ishte i tyre, logjika e donte që edhe për të duhej të kishte në Greqi një përmendore, ose të paktën një bust, siç e ka në qytetet evropianë të Romës, Brukselit, Budapestit etj. Në Paris një shesh ka marrë emrin e Skënderbeut, ndërsa në Greqi s’ka asnjë shenjë vlerësimi për këtë figurë të ndritur me përmasa  ndërkombëtare. Për Skëndërbeun,  Aristidh Kola ka thënë: “Vërtet ai ka qenë ortodoks, por ortodoks unit, që do të thotë se, pranonte ushtrimin e ritit lindor, por nën autoritetin e Papës”.

Mania e rivendikimit që shfaqin grekët nuk u ka shpëtuar as vëmendjes së të huajve. Kolonel Odrioni në librin e tij “Një oficer francez në Ballkan ”,  gjatë Luftës I Botërore ka qendruar në Shqipëri dhe pothuaj në të gjitha vendet e Ballkanit. Nga biseda me grekomanët e Manastirit, ai ka lënë të shkruara përshtypjet e mëposhtëme: “Elementi grek, ose që ta themi më mirë elementi me influencë greke, e ka si princip të ankohet vazhdimisht nga regjimi serb. Nga ana tjetër, grekët, shumë shovinistë në përgjithësi, madje do të thoja fanatikë, kujtojnë se Maqedonia dhe rrethinat e saj u takojnë me të drejtë, si edhe Konstandinopoja. Smirna (Izmiri - V.M.) apo dhe Aleksandria e Egjiptit. Do të shtoja gjithashtu se disa grekë, pa iu dridhur syri thonë se Marseja është një koloni greke dhe se Franca e ka pa të drejtë( A. Odrioni “ Një oficer….”, vëllimiI, fq. 63, botimet ‘Papirus’, Tiranë 2014).

Gjatë kryerjes së një aktiviteti prej konsullatës greke në Korçë me rastin e festës të pavarësisë,  konsulli grek u vu në dijeni për praninë e ambasadorit egjiptian në mjediset e hotelit. Ai porositi njerëz për ta ftuar dhe që në çastet e para të bisedës i tha ambasadorit, se Mehmet Aliu ishte grek. Ambasadori i Egjiptit-rrëfejnë të pranishmit- me ton jo aq diplomatik i ktheu përgjigjen: “E gjithë bota e di që M. Aliu është shqiptar!”.

Konsulli francez në Egjipt, Mimot ka shkruar: “E pyeta njëherë M.Aliun se përse e quante veten aq shpesh shqiptar, ai m’u përgjigj se i  tillë ishte dhe shqip fliste. A nuk e paskesh dëgjuar tek i pyeste gjithnjë shqip rojet? Shqiptar jam dhe shqiptar do të vdes, ndonëse u përpoqa të bëhem egjiptian i mirë...M. Aliu ka qenë një burrë i pashëm, jo trupmadh, sy kaltër dhe me pamje të mprehtë mjaft të zgjuar” (M. Sabry, “Mehmet Aliu”).

 Duke u nisur nga pohimet e vetë subjektit, nga nderimet që i janë bërë prej vendit të tij birësues, Egjiptit, nga njohja dhe krenaria që kanë shqiptarët për të dhe nga mendimi i shumicës të historianëve të botës, përkatësia shqiptare e M.Aliut nuk mund të vihet në bisedim.

 Pavërësisht mëtimeve të padrejta dhe të gabuara lidhur me origjinën e M.Aliut, nuk mund të mos të lindë një ndjenjë e thellë mirënjohje edhe për autoritetet greke, që kanë shfaqur e po tregojnë kujdes për këtë personalitet të jashtëzakonshëm të përmasave ndërkombëtare.

Shqiptarët ne Selanik  dhe Kavallë para Mehmet Aliut

Prania e shqiptarëve më së shumti në Selanik e më pak në Kavallë duhet përmendur për dy arsye: 1) Mehmet Ali Pasha ka lindur në Kavallë ku shqiptarët kanë qenë në  shumicë absolute; 2) Selaniku me gjithë rrethina ka qenë jo vetëm vend qëndrimi i mijëra shqiptarëve, por edhe porti më i rëndësishëm prej nga niseshin shqiptarët në fushata të ndryshme ushtarake të ndërmarra prej Perandorisë Osmane. Kavalla (emri i vjetër: Neapolis), pranë apo midis Selanikut dhe Stambollit të sotëm bënte pjesë në anën evropiane te Perandorisë Osmane, e quajtur ndryshe Rumelia. Prania e shqiptarëve atje (pa llogaritur Selanikun që në të kaluarën ka qenë më tepër se gjysmë milioni), Kavalla gjithashtu “ziente” nga shqiptarët. Një autor mjaft i vlerësuar, Mark Mazover, në librin : “Selaniku Qyteti i fantazmave” jep dëshmi tronditëse lidhur me trajtimin e shqiptarëve prej autoriteteve osmane. Urrejtja e Perandorisë ndaj shqiptarëve nuk i përkiste aspak kohëve të reja. Mark Mazover përmend vitin 1730, kur Sulltan Abdyl Mexhidi urdhëroi dëbimin e shqiptarëve myslimanë dhee të krishterë nga Stambolli. Spastrimi dhe zbrazja e Stambollit prej shqiptarëve, si edhe shpërndarrja e tyre në teritore të Rumelisë, me popullsinë vendase shkaktoi përplasje. Sigurisht, shqiptarët nuk ishin engjëj, por dëbimi (pa iu gjetur një vend tjetër ku të shkonin) sillte si pasojë të natyrëshme sjelljen jo të mirë, edhe kjo e diktuar nga nevoja për mbijetesë dhe ekzistencë. Kësodore, një qendrim i tillë i shtetit thelloi hendekun e madh midis shqiptarëve dhe perandorisë. Erdhi një kohë kur shqiptarët ishin shtuar së  tepërmi.Për pasojë, edhe shkeljet e ligjit (jo gjithmonë për faj të shqiptarëve) mund të kenë  qenë jo të pakta, por jo aqsa-siç do të shohim më poshtë- shqiptarët të nxirreshin jashtë ligjit dhe të bëheshin objekt i vrasjeve pa hetim e pa gjyq, duke u dhënë garanci vrasësve se nuk do të kishin asnjë përgjegjësi para ligjit. Autoritetet Osmane –thotë Mark Mazover- kishin shumë dyshime për shqiptarët (pavarësisht nga fakti se, shumë prej zyrtarëve më të lartë ishin me origjinë  shqiptare).

Në të vërtetë, shkaku për ndërmarrjen e veprimeve të tilla nuk ka qenë sjellja e pahijshme deri kriminale e shqiptarëve ndaj pronës e jetës të turqve, grekëve etj. Arsyeja e vërtetë ka qenë krejtësisht e ndryshme: frika ndaj organizimit të shqiptarëve, të cilët mund të sillnin trazira edhe më të mëdha e të rrezikshme, deri edhe sulme ushtarake ndaj kryeqytetit të kohës, Stambollit. Këtë përfundim të logjikshëm e jep mjaft qartë konsulli francez i kohës në njërin prej raporteve që i dërgon qeverisë franceze: “Të gjithë burrat me gjykim të shëndoshë shpresojnë që kapedan Pasha të ndjekë shembullin e Topal Osman Pashës, i cili e mbuloi Shqipërinë në lumenj gjaku, duke zbatuar urdhërat e Sulltanit në vitin 1731. Nëse kjo nuk ndodh duhet të frikësohemi, se ky komb që është i madh e njëkohësisht shumë i varfër, do të shpërdorojë zakonin e tij të mbajtjes së armëve dhe do të bëhet i fuqishëm dhe i rrezikshëm për këtë Perandori. Të gjitha qytetet e hapura të Rumelisë janë të ekspozuara ndaj shkatërrimeve, që mund ta çojnë atë në portat e Konstandinopojës... nën ndonjë ambicioz që do të dijë si të përfitojë nga numri, kurajoja dhe disiplina e natyrshme e këtij kombi”. Dëbimi masiv i shqiptarëve nuk ka qenë i vetmi rast. I njëjti autor, Mark Mazover përmend edhe një rast tjetër, atë që ndodhi në vitin 1779, dhjetë vjet pas lindjes së M.Aliut, në kohën e sundimit të Abdyl Hamitit I. Sulltani pranoi këshillat e admiralit reformist gazi Hasan Pashës dhe vendosi të ndëmerrte veprime kundër shqiptarëve. Hasan Pasha u lejoi turqve dhe grekëve çdo lloj  veprimi  ndaj shqiptarëve; vrasja e tyre nuk përbënte krim. Shqiptarët u vunë nën një përndjekje të tmerrshme nga ana e autoriteteve, duke krijuar për këtë rast një gjendje të posaçme juridike që në fakt i nxirrte jashtë ligjit. “Në Selanik, brenda pesë ditësh, guvernatori dëboi më shumë se katër qind mijë shqiptarë….Dhe ashtu, siç e kishte parashikuar konsulli francez, shumë drejtues shqiptarë u bënë një kërcënim serioz për Perandorinë.Në fillim të sh.XIX, M.Aliu nga Kavalla u bë sundimtar i Egjiptit” (M.Mazover, “Selaniku….” Me referenca të Lascaris, fq 149 -151, botim i “Dituria”, Tiranë 2011).

Vendi i origjinës të Mehmet Aliut

Mehmet Aliu lindi në Kavallë (sot Greqi) më 1769 dhe vdiq në Aleksandri(Egjipt) më 1848. Rrjetet e ndryshme si p.sh. Vikipedia shkojnë përtej faktit të qenies shqiptar të M. Aliut. Në faqet e tyre përcaktohet Korça si krahina  e origjinës së M.Aliut. Kësisoj, edhe albanologu Robert Elsie pohon se vendi i origjinës së M.Aliut është Korça. Përfundimisht mbetet për t’u pranuar edhe fshati i origjinës së tij. Gjer më sot si burime të shkruara apo botime të karakterit historik, që japin të dhëna të drejtpërdrejta lidhur me fshatin e origjinës të Mehmet Aliut, njohim vetëm dy:1) Librin e M. Sabry, “Mehmet Aliu”, në anën e pasme të kopertinës të të cilit shkruhet thënia e M. Guin: “Emri i Mehmet Ali Pashës, mbret i Egjiptit, i mbiquajtur edhe “Shqiptari i madh”, edhe “Shqiptari i çartur” është bir i Ibrahim agait nga Pojani i Korçës, zbritur në Kavallë…”; 2) Shënimi i Niko Strallës në studimin historik: “Në valën e dramës shqiptare Korça dhe korçarët 1878-1909” kuthuhet: “Mehmet Ali Pasha ishte me origjinë korçare. Babai i tij ish nga fshati Voskop, ndërsa e ëma nga fshati Pojan i rrethit të Korçës. (N.Stralla “Në valën…”, botim i ‘Media Union’ 2017, shënimi nr. 3, fq. 83). Veç tyre, nuk njohim gjer më sot asnjë autor tjetër vendas apo të huaj, që të përmendë burime të drejtpërdrejta për të dhënë emrin e  ndonjë fshati tjetër të origjinës të M.Aliut. Gjithsesi, edhe çka u përmend më sipër nuk është pak, aq më tepër që libri i M.Sabry mbështetur në burime private dhe dokumente të nxjerra nga arkivat e Kajros, Parisit, Londrës dhe Vjenës e bën autorin dhe veprën e tij jo thjesht të besueshme, por mbi të gjitha të rrallë për nga menyra e trajtimit dhe informacionit të shumtë që jep. Shqipërimi i kësaj vepre të shquar ka ardhur  nëpërmjet punës mjeshtërore të z. Miço Gubera. Botime të tjera (pavarësisht se tërthorazi) e lidhin gjithashtu origjinën e M.Aliut prej fshatit Pojan të Korçës e kësisoj është e vështirë të kundërshtohen.

Për fat të mirë, 98 vjet më parë Prof. Aleksandër Xhuvani, pasi kishte botuar qysh në vitin 1911 pjesë-pjesë, më parë në revistën “Shkrepëtima” që botohej shqip në Kajro, dhe më pas në Tiranë librin: “Jeta e Mehmet Aliut” me parathënie të shkruar prej tij më 25.4.1921 dhe dedikimin e veçantë ndaj “Naltësis së Tij Ahmet Fuad Pashës, pinjollit të dejë të stërgjyshit të tij zulmëmadh për shej nderimi kët libër të përvujtun ja truen auktori”. Ky libër, ka pasur edhe një botim tjetër, atë të vitit  1941 nga“LUARASI”, Tiranë. Libri, pavarësisht vëllimit të vogël, ka përmbajtje të thellë ku mbizotëron  ndjenja e ligjshme e krenarisë për njeriun e madh që ka nxjerrë kombi shqiptar. Lidhur me veprën, autori shprehet: “Jam përpjekun që t’i jap nji formë sa ma fort thjesht shqipe, kam pasë qëllim me hartisun nji libër populluer, të kuptueshëm e të interesshëm për çdo shqiptar që dëshiron të dijë jetën e njërzvet të mëdhej të kombit të tij. Sepse Mehmet Aliu asht nji nga njerzit e mëdhej qi kanë ardhun  në botë; asht nji njeri me emën e me za në historit botnore për mendjen e madhe e për punët e tij të mëdha, për të cilat krahasohet me Pjetrin e Madh e përpara të cilavet jet pa mend historitësi”. Libri përmban fjalë të vjetra shqipe, që autori i shpiegon me fjalët e gjuhës të folur të kohës kur është botuar libri. Kësisoj, ai përdor fjalën “ja truen” për “ja kushton”; fjalën “disi” në vend të fjalës”dukuri”, “fenomen”; “përligjtar” në vend të fjalës frënge ”vassal” etj. Është një libër i shkruar me dashuri dhe me aftësi të dallueshme,ku që në parathënie thotë se, jeten e M.Aliut të përpilueme prej veprash historike mbi Misirin e pat botuar në disa numra të gazetës “Shkrepëtima” që deltë në vitin 1911 në Kajro. Veprat historike në gjuhën frënge mbi të cilat Prof. Xhuvani është mbështetur për jetëshkrimin e M. Aliut te Murie, Historia e M. Aliut, Paris 1855 (vepra e parë); Amper, Mehmet Ali (Ritakimi i Dy Botëve), 1 maj 1877; Benedetti, Mehmet Aliu gjatë viteve të tij të fundit (Ritakimi i Dy Botëve), 1 qershor 1895; Manzhë, Historia e Egjiptit nën qeverimin e Mehmet Aliut (2 volume), Paris 1823; Hamon, Egjipti nën Mehmet Aliun (2 volume), Paris 1845; Daversi de Ponte, Mehmet Ali (Ritakimi i Dy Botëve), 15 maj 1839); Kaldavene dhe Barro, Historia e luftës të Mehmet Aliut kundër Portës Ottomane, Paris 1831; Lui Brehi, Egjipti nga 1798 gjer më 1900, Paris.

Pra, të gjitha veprat kryesore historike që kanë qenë në qarkullim në kohën kur është shkruar libri janë konsultuar prej Prof. Xhuvanit. Kohët e mëpastajme janë të mbushura me shumë tituj të tjerë, njohja e të cilëve apo edhe botimi i tyre në shqip duhet të jenë detyrë jo vetëm e institucioneve, por edhe e çdo shqiptari atdhetar që zotëron njohuri të posaçme në këto fusha. Lidhur me temën që po trajtojmë, A.Xhuvani paraqet të dhëna  të rëndësishme me anën e të cilave mund të vërtetohet se, M. Aliu origjinën e tij e ka pasur prej një familje të shquar nga Pojani i Korçës, fshati më i madh që gjendej aso kohe në Shqipëri. Mehmet Aliu ka qenë nipi i Nail Pashës, vëllai i Ibrahimit, atit të M.Aliut,dhe me gjithë anëtarët e shtabit komandues (që do të përmenden më poshtë) binte kushëri i parë i tyre. Në veprën “Jeta e Mehmet Aliut”, botim i vitit 1921, fq.12-13, Prof. A. Xhuvani thotë: “ Turqia … po bëhesh gati për luftë…Po për këtë punë, sikurse për çdo punë tjetër, i duheshin Turqis shqiptarët…. Qeveria e Turqisë urdhënoi atëhere Parsin e Shqipnis qi të mbledhë ushtri e të niset për në Misir; u nisën pra me shumë ushtarë Tahir Pasha me të vllaznit e tij Hasan Pashën, Abdyl Benë, Isuf Benë, Dalip Benë edhe Mustafa Pashë Gjiritlin(të gjithë kta ishin nga Pojani i Korçës)”.

Pra, me anën e lidhjeve familjare marrim dijeni se, brenda së njëjtës familje janë tre pashallarë dhe tre bejlerë. Me këtë autori do të thotë, se kemi të bëjmë me një familje të shquar që bënte pjesë në majat më të larta të shoqërinë shqiptare të kohës. Edhe për M.Aliun në veçanti, në faqet anglisht dhe frengjisht të vikipedias, në zërin kategori thuhet se, ka qenë pjesë e fisnikërisë shqiptare (Albanian nobility)

Lidhjet e gjakut midis M.Aliut dhe djemve të Nail Pashës kane qenë përcaktuese lidhur me përzgjedhjen dhe caktimin e tyre në të njëjtën  ushtri, që u nis në të njëjtën kohë për në Egjipt në vitin 1800, nga i njëjti vend, porti i Selanikut, që aso kohe ishte nën P.O.

Lidhje të tilla, nga ana tjetër thuajse shtrëngonin dhe diktonin lindjen dhe krijimin e një sërë marrëdhëniesh të tjera, si besimin fetar që ka qenë përgjithësisht i sektit bektashi, (për M.Aliun, M.Sabry ka thënë se ka qenë bektashi), lidhjen e martesave brenda të njëjtit rang etj. Për martesat shkurtimisht mund të thuhet se, këto lidhje mbi të gjitha kanë qenë sociale e politike. Me anë të tyre përfshiheshin dhe ndërthureshin midis tyre shumë familje nga e gjithë Shqipëria. Nga martesat më të rëndësishme që kanë lidhur bejlerët e zonës së Korçës ka qenë ajo e Halit Frashërit me Eminenë nga Korça. Nga ky bashkim lenë frashëllinjtë e mëdhenj që janë nipër në Korçë. Vëllai i tyre, Mehmet Frashëri e kishte gruan nga Jegenët e Dibrës. Kësisoj kanë lidhur krushqi midis tyre Vlora, Pojani, Dishnica, Bilishti, Borshi i Devollit, Kolonja dhe veçanërisht Leskoviku, Kosturi, Pirgu, Moglica, Shën e Premtja, Starova, Velçani i Mokrës Elbasani (Aqif Pasha e kishte gruan nga Dishnica e Korçës dhe me paratë e Ibrahim Beut (Biçakut), djalit të Aqif Pashës, Esat Dishnica dhe Enver Hoxhahapën dyqanin “Flora” në Tiranë-V.M.) Një vajzë e frashëllinjve u martua në Tiranë me Murat Toptanin, skulptorin e parë shqiptar prej të cilit kemi të parin bust të Skënderbeut. Miqësitë familjare shkonin gjer te familja Gjylbegu në Shkodër, me Përmetin, me Delvinën e Sulejman Delvinës, ish Kryeministrin e Shqipërisë që u martua me një vajzë nga Vila e Frashërit të Përmetit etj etj. Këto lidhje krushqie që në fak ishin aleanca të pastra politiko-ekonomike, të cilat u vërejtën në sh.XIX-XX kanë qenë rrjedhojë e normave dokësore të qendrueshme dhe të zbatuara përgjithësisht me rreptësi.Kësisoj, krerët e Pojanit mund të lidhnin krushqi edhe brenda fshatit (aq më tepër që Pojani ka qenë fshat i madh), por në respekt të zakoneve i kërkonin martesat në zona të tjera, në përputhje me statusin e tyre apo përafërsisht me atë status. Shmangie ka pasur, por ato kanë qenë shumë të rralla dhe të bëra nga bejlerë të emancipuar të kohëve të mëvonëshme. Mund të përmendim p.sh. martesën e dytë të Ismail Qemalit me një vajzë greke, martesën e Nuri Vilës me një franceze, që ai e ka dëshmuar në gjyq në të mirë të Avni Rustemit. Në sh.XIX është biseduar edhe për një martesë të mundëshme të Laskarina Bubulinës (heroinës arvanitase të Kryengritjes greke) me njërin nga bejlerët e Qafzezit(Kolonjë), por që nuk u bë për arsye të vrasjes së tij. Ky fakt vërtetohet edhe nga vargjet e  këngës popullore: “Ç’të gjeti moj Bubulinë, ta vranë Qafzezllinë”.

Në mbyllje të kësaj teme mund të pohojmë, se mbas shfarrosjes të bejlerëve të Plasës prej turqve, familja e origjinës së M. Aliut në Pojan të Korçës mbeti e vetmja me statusin më të lartë politik, ekonomik dhe shoqëror të kohës, në këtë zonë të rëndësishme të vendit. Në Pojan shtëpia e tyre quhej “sarajet”. Rrënojat e saj kanë qenë gjer në fund të viteve ’30 të sh.XX. Të afërm të autorit të këtyre rradhëve kanë qenë shoqërues të profesorëve francezë, të cilët patën kurreshtje të madhe për të parë vendin e origjinës të M.Aliut. Personeli shërbyes i tyre (kuzhinierë etj.) ka qenë i huaj, nga Egjipti apo nga ndonjë vend tjetër arab. Mustafa Pashë Gjiriti mund të jetë i vetmi në Krahinën e Korçës që ka kryer detyrën e Vezirit të Madh të Perandorinë Osmane ndër 28 vezirë të mëdhenj nga vise të tjera të Shqipërisë.

Në dy faqet e internetit ku flitet për jetën dhe veprimtarinë e Mustafa Pashë Gjiritit, në faqen në versionin e gjuhës angleze thuhet se kariera e Mustafa Pashë Gjiritit ka nisur në Egjipt nën mbrojtjen e Mehmet Ali Pashës. Këtu përmenden edhe burimet nga janë marrë të dhënat: 1-  İsmail Hâmi Danişmend, Osmanlı Devlet Erkânı, Turqi Yayınevi, Stamboll, 1971, p. 81. (në turqisht). 2-David Barchard, The Princely Pasha of Crete; Cornucopia, Issue 30, 2003/2004, në anglisht.Të njëjtin përfundim përmban edhe faqja në frëngjisht ku thuhet: Mustafa Pasha u rrit në Egjipt dhe u mor nën mbrojtjen e Mehmet Aliut, nën Mbretit të Egjiptit.Pyetja më e thjeshtë që mund të bëhet në këtë rast është: Përse do të kujdesej M.Aliu për Mustafa Pashën nëse nuk e kishte të afërm?  

(Vijon në numrin e ardhshëm)
Titujt dhe mestitujt janë redaksionalë. Përgatiti për botim: Dhurata Hamzai

Ora 08:18
Në Kavallë, ku ngrihet përmendorja e shqiptarit të madh Mehmet Ali Pasha
  • B.K./Shqiptarja.com
    Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    • Sondazhi i ditës:
      23 Dhjetor, 23:33

      Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



    ×

    Lajmi i fundit

    Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

    Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja