Titulli: “6 personazhe në kërkim të autorit”

Autor: Luigi Pirandello

Shtëpia botuese: “BardBooks”

Çmimi: 5 euro

Është vepra që ka karakterizuar më së shumti teatrin e Luigi Pirandello-s. “6 personazhe në kërkim të autorit” e nobelistit italian vjen në shqip me qasjen e Anxhela Lepurit, pas një hulumtimi të thellë të veprës e ligjërimit të përdorur nga përkthyesja. Drama u krijua në vitin 1921 dhe u rishkrua  nga Pirandelo 4 vite më pas, e konsiderohet që për risitë metateatrale, shënoi kthesë në kursin e teatrit.

Titulli: “Psikologji shqiptare”

Autor: Kledi Rama

Shtëpia botuese: “EMAL”

Çmimi: 700 lekë

I apasionuar me shkrimtarinë e leximin që në fëmijëri, Kledi Rama boton librin e tij të parë. Nga emigrimi, tek patriotizmi i mbrapshtë e problematikat më pikante të realitetit shqiptar autori i ri përshkruan thekshëm, përmes ironisë e situatave konkrete aktualitetin. Dëshira për luks, dembelizmi, dashakeqësia e thashethemet karshi tjetrit, deri tek tifozllëku politik, në refleksionet “Psikologji shqiptare” të Ramës çdokush gjen një copëz jete të vetën.

Titulli: “Gjyshja me zemrën prej ketri”

Autor: Rudina Çupi

Shtëpia botuese: “Tupëz”

Çmimi: 4.5 euro

Seria ‘vjershoke’ e Rudina Çupit pasurohet me librin “Gjyshja me zemrën prej ketri”. Shkrimtarja zgjedh një gjyshe shpirtartiste e nipërit e saj, për të rrëfyer në vargje mallin për të afërmit që i kemi larg, ndërsa Enxhi Xhaja, ngacmon imagjinatën e vogëlushëve përmes ilustrimeve.