‘Në Librari’ me 3 tituj: ‘Antologji poetike’ e Naim Frashërit, ‘Po ti, kush je?’ dhe ‘Epoka e inteligjencës artificiale’! 2 poezi te ‘Melodia e Vargut’

‘Në Librari’ me 3 tituj: ‘Antologji poetike’ e Naim Frashërit, ‘Po ti, kush je?’ dhe ‘Epoka e inteligjencës artificiale’! 2 poezi te ‘Melodia e Vargut’

Kopertina e rubrikës 'Në Librari'

Titulli: Antologji poetike (Shqip-spanjisht)/Antología poética

Autor: Naim Frashëri

Përktheu në gjuhën spanjolle: María Roces González

Botues: “Naimi” (Shtëpi botuese dhe studio letrare)

Përgatiti për botim: Namik Dokle

Çmimi: 1000 lekë

“Në shekullin e 19 idetë e lirisë, që me revolucionin frëng dhe e luftërat e Napoleonit u zgjuan në gjithë Evropën, mbërritën edhe në Shqipëri, në këtë çip të mënjanë të Evropës juglindore.”,- kështu shkruan Eqrem Çabej në shkrimin e tij të vitit 1945, “Romantizmi në Evropë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare” dhe që citohet edhe në botimin e fundit, në shqip dhe në spanjisht të  Antologjisë poetike të Naim Frashërit. 

“Edhe këtu doli një brez poetësh e shkrimtarësh, të cilët pas disa shekuj apatie nacionale dhe pas shkrimeve liturgjike, nën shtytjen e lëvizjes romantike çelën një literaturë nacionale. Këtij brezi i ra përsipër një detyrë e shumëfishtë: të dalin përpara si poetë dhe si patriotë, të shpallin idenë e lirisë nacionale dhe të bëhen me shkrimet e tyre edukatorë të kombit. Qëllimi qe ky: të përtërihet gjithësia e nacionit, duke filluar që nga alfabeti e gjer te mbrujtja e një gjuhe letrare dhe te formimi i një literature të vet, në lëmë politike krijimi i një shteti. Kjo vepër, njëkohësisht letrare dhe kombëtare, përqendrohet në shekullin e 19 te dy burra: Jeronim De Rada në Itali (1814-1903) dhe Naim Frashëri në vendin mëmë (1846-1900).”, - vijon Çabej.

Botimi i Antologjisë poetike të Naim Frashërit vjen i botuar nën siglën e shtëpisë botuese që mban emrin e tij, ashtu si dhe vetë botuesi. Antologjia vjen nën përkthimin e Maria Gonzalez, që njihet edhe si përkthyesja në spanjisht e veprave të Ismail Kadaresë, ndërkohë që vepra është përgatitur për botim nga Namik Dokle. Kjo është një antologji dy-gjuhëshe për lexuesit e gjuhës shqipe dhe gjuhës spanjolle e që botohet për herë të parë, është ndjekur kriteri që në fillim të jetë teksti origjinal i poetit dhe krahas tij teksti i përkthyer.

Shënimi i përkthyeses

Kjo antologji është rezultat i vizitës që shkrimtari shqiptar, Namik Dokle, dhe unë, përkthyesja letrare nga gjuha shqipe në spanjisht, Maria Roces Gonzales, patëm, më 24 prill 2023, në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane të Tiranës, kryeqendra botërore e bektashinjve. Shkuam për të përshëndetur Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj (i njohur si Baba Mondi), dhe për t’i shprehur kuriozitetin dhe simpatinë e jashtëzakonshme që bektashinjtë kanë zgjuar, që prej shumë kohësh, edhe te unë, përkthyesja spanjolle.

Mikpritja e shkëlqyer me rakinë e famshme të Skraparit, me ngrohtësinë dhe dashamirësinë miqësore të Kryegjyshit dhe pjesëtarëve të tjerë të selisë e të Muzeut Bektashian dhanë frytin që keni në dorë, antologjinë poetike të Naimit. Në momentin e përcjelljes, kur Baba Mondi më pyeti nëse kisha përkthyer diçka nga Naim Frashëri, e sqarova se përkthimet bëhen me kërkesën e shtëpive botuese, por, përnjëherë, Baba Mondi tha: “Epo, ne kemi shtypshkronjën tonë”. Pa u menduar dy herë, premtova: “Do ta bëj!”. Dhe në përplotësim të fjalës së dhënë (të Besës), plot pas një viti, ja ku është rezultati: Një antologji dy-gjuhëshe për lexuesit e gjuhës shqipe dhe gjuhës spanjolle.

Në këtë antologji që botohet për herë të parë, është ndjekur kriteri që në fillim të jetë teksti origjinal i poetit dhe krahas tij teksti i përkthyer.

Titulli: Po ti, kush je?

Autor: Gazmend Krasniqi

Gjinia: Poezi

Shtëpia botuese: Princ

Çmimi: 1000 lekë

“Po ti, kush je?” është vëllimi poetik me autor Gazmend Krasniqin. Libri përmban 70 poezi dhe një pasthënie shumë interesante: SHËNIME LETRARE PËR KOHËN TONË (Mes poezisë ideologjike dhe post-ideologjike). Libri, i cili është edhe pjesë e kolanës poetike “Pikël uji” hapet me një tekst të poetit arbëresh Giuseppe Schirò Di Maggio, pikërisht për këtë vëllim poetik.

Titulli “Po ti, kush je?” ngjall kureshtje, pasi nëse në fund të fjalisë futet një pyetje, nuk ka probleme: nuk e di kush je dhe të kërkoj të ma thuash; por nëse ka një pasthirrmë në fund të fjalisë, tashmë e di se kush je ose më mirë “kush mendon se je”! Kush mendon se je! Një poet?!

Gazmend Krasniqi ka lindur në Shkodër, ku ka studiuar fillimisht për pikturë dhe pastaj për letërsi, dhe jeton në Tiranë. Që nga viti 1993, kur ka dalë me librin e parë me poezi, ai është autor i rreth 40 botimeve me poezi, tregime, romane, eseistikë, dramaturgji, hartime antologjike të poezisë shqipe, përkthime dhe studime letrare.

Titulli: Epoka e inteligjencës artificiale

Autorë: Henry A. Kissinger, Eric Schmidt, Daniel Huttenlocher

Shtëpia Botuese: Fan Noli

Përktheu: Krenar Hajdëri

Çmimi: 1200 lekë

Inteligjenca artificiale po transformon thellësisht dhe rrënjësisht shoqërinë njerëzore. Tre prej mendimtarëve më të përkryer amerikanë eksplorojnë ç’do të thotë një gjë e tillë për të gjithë ne.

Qysh prej iluminizmit dhe epokës së arsyes, shoqëritë njerëzore nuk e kanë ndryshuar asnjëherë qasjen që ato kanë pasur rreth çështjeve të sigurisë, ekonomisë, rendit e madje edhe të vetë dijes njerëzore. Aktualisht, inteligjenca artificiale po revolucionarizon mënyrën se si qeniet njerëzore hulumtojnë. Ajo po shfaqet online në kërkim, në streaming, në mjekësi, në arsim dhe në shumë fusha të tjera, e duke vepruar kësisoj po ndryshon krejt mënyrën e të përjetuarit tonë të realitetit. Ç’do të thotë atëherë të jesh qenie njerëzore?

Tre prej mendimtarëve më në zë të botës së sotme janë bërë së bashku për të shqyrtuar se si këto teknologji do të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë të ardhmen tonë. Henry Kissinger, sekretari i 56-të i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe laureat i çmimit “Nobel”; Eric Schmidt, ish CEO i kompanisë “Google” përgjatë një periudhe dhjetëvjeçare dhe Daniel Huttenlocher, dekan i Kolegjit “Schwarzman” të Inxhinierisë Kompjuterike.

“Epoka e Inteligjencës Artificiale” është një hartë rruge thelbësore për të tashmen dhe të ardhmen tonë, një epokë krejt ndryshe nga epokat e mëparshme.

RUBRIKA "MELODIA E VARGUT"

Rubrika "Melodia e Vargut" prezanton dy poezi shkëputur nga libri: "Antologji e poezive më të bukura të botës" zgjedhur dhe përkthyer nga Rudolf Marku. Libri është një katalog poetik që përfshin krijime që nga fillimet e shkrimit deri në ditët tona.

"Ne ishim një shpikje kaq e mirë"

Autori: Yehuda Amichai (1924-2000). Yehuda Amichai konsiderohet poeti më i shquar i Izraelit dhe një ndër prijësit në botën poetike që nga mesi i viteve ‘60 të shekullit XX.

Sa keq, ne ishim një shpikje kaq e mirë.

Erdhën dhe i ndanë me thika

Kofshët e mia nga kofshët e tua,

Me sa di unë,

Ata qenë të gjithë kirurgë. Kirurgë të gjithë.

Erdhën dhe na çmontuan

Njërin mënjanë dhe tjetrin mënjanë.

Me sa di unë,

Ata qenë të gjithë inxhinierë. Inxhinierë të gjithë.

Sa keq. Ne ishim një shpikje

Kaq e mirë, kaq e bukur.

Ishim një aeroplan i bërë prej burri dhe gruaje

Me krahë, në ajër ca kohë qëndruam,

Bile për pak sa nuk fluturuam!

"Kur të jesh plakë"

Autori: William Butler Yeats (1865-1939)

Çmimi Nobel në vitin 1923. Poet, dramaturg dhe kulturolog irlandez, një ndër figurat më të shquara të letërsisë së shekullit të XX.

Kur të jesh plakë, me thinja dhe tërë gjumë,

E pranë zjarrit të kotesh,

E kapë kët’libër në dorë,

Ngadalë lexon, dhe ëndërron për atë vështrim hyjnor

Që sytë e tu kishin, dhe hijet e thella që kanë lënë gjurmë;

Sa njerëz i deshtën çastet e tua plot hir e gëzim,

Dhe deshën bukurinë tënde-me dashni a rrenë,

Por veç një burrë e deshi shpirtin tënd që s’pren,

Dhe desh pikëllimin e fytyrës tënde gjithë ndryshim.

Dhe tek përkulesh pranë flakëve që kanë mbetë

Pëshpërit, me pak trishtim,se si Dashnia ikë,

Dhe se si Dashnia ecën lart përmbi malet thik’

Dhe në grumbull yjesh fsheh fytyrën e vet.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

Trump rikthehet nesër në Shtëpinë e Bardhë, ceremonia e inaugurimit brenda Kapitol si Regan para 40 vitesh! Do betohet me Biblën e nënës së tij

Trump rikthehet nesër në Shtëpinë e Bardhë, ceremonia e inaugurimit brenda Kapitol si Regan para 40 vitesh! Do betohet me Biblën e nënës së tij