‘Në Librari’ me 3 tituj: 'Pavarësimi i Kishës Ortodokse...', botohet i plotë libri i Nolit! 'Kostumografia në art', 'Dhe pastaj, ajo u bë pemë'! 'Kujtim' te ‘Melodia e Vargut’

 “Pavarësimi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë” nga Fan Noli, “Kostumografia në art” nga Merita Toçila dhe “Dhe pastaj, ajo u bë pemë” nga Loer Kume janë titujt e ri që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.   Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

1 Titulli: Pavarësimi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë

Autor: Fan S. Noli
Titulli në origjinal: Fiftieth Anniversary Book of the Albanian Orthodox Church in America (1908-1958). Published by the Albanian Orthodox Church in America, Boston, 1960.
Përgatiti për botim: Anila Ajdini
Përktheu nga origjinali: Alqi Kristo
Redaktore: Prof. Dr. Diana Alqi Kristo
Recensent: Ak. Shaban Sinani
Botues: Enja
Çmimi: 1500 lekë

 Libri i 50-vjetorit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë (1908-1958), ku përfshihet edhe autobiografia  e Fan S. Nolit ribotohet për herë të parë i plotë.

Në këtë botim në gjuhën shqipe, libri botohet me titullin Pavarësimi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë”, për të dëshmuar historinë e kishës që ai vetë e pavarësoi përgjatë një gjysmë shekulli: fillimisht përmes meshimit shqip dhe më pas përmes organizimit të Kongresit të Beratit (1922) dhe shpalljes së autoqefalisë, e cila, më së fundi, më 12 prill 1937, përmes tomos-it partriarkal të autoqefalisë, iu njoh kishës orthodokse shqiptare nga Patriku i Kostantinopojës.

Jo vetëm simbolikisht, por edhe nga pikëpamja e strukturës, libri është dypjesësh: historia e kishës, e pavarësimit të saj, dhe biografia e Nolit kryepeshkop sipas Nolit vetë. E shkroi këtë libër duke qenë i bindur se shumë prej të vërtetave që përmbante askush nuk i kishte jetuar nga kreu si ai dhe se, si dëshmitar i vetëm i tyre, e kishte për detyrë të shërbehej te lexuesi me ungjillin e tij. Libri i pesëdhjetëvjetorit, siç njihet më gjerësisht, është vepra e fundme që doli nga duart e Fan S. Nolit. Njëherësh është dhe vepra më pak e njohur e tij nga lexuesi i gjerë.

2 Titulli: Kostumografia në Art

Autor: Merita Toçila
Konsulentë shkencorë: Prof. Dr. Dhorka Dhamo, Prof. Dr. Stefan Çapaliku dhe Prof. Dr. Ferid Hudhri
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 9500 lekë

Studimi voluminoz “Kostumografia në art” hedh dritë mbi lidhjen e artit pamor me veshjen, si një rrëfim i historisë së saj përmes historisë së artit nga Antikiteti deri në ditët e sotme në hapësirën mbarëshqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, artistët e diasporës, arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë dhe ishujve përreth.

Ky publikim dëshmon se përmes veprave të artit lexuesi i interesuar mund të kuptojë lidhjen mes artistëve të çdo kohe me traditën dhe veshjet, si një marrëdhënie e vazhdueshme, e natyrshme dhe shpesh sugjestive. Janë vetë artistët që kanë treguar një interesim të madh për veshjen dhe aksesorët e saj, në mënyrë që vepra e tyre të mund të dukej sa më e natyrshme në pasqyrimin e larmisë, në besnikërinë ndaj modeleve dhe më vonë atë të interpretimit të saj.

Sipas autores, edhe pse për shkak të ndërvarjes prej kushteve historike veshja në hapësirën mbarëshqiptare nuk ka ndjekur rrugën që ndoqi arti dhe veshja në Evropë, megjithatë artistët shqiptarë kanë arritur t’i japin historisë sonë kombëtare dëshmi të ekzistencës dhe zhvillimit shoqëror të saj. Prej studimit të veprave të artit me natyrë realiste ofrohen njohuri në zhvillimin historik dhe estetik të veshjes nga ku mund të identifikohen dallimet në sistemin e veshjes, ndryshimet në formë, paraqitja e jashtme, klasifikimi në histori (periudhat, krahinat, klasat shoqërore) etj.

Monografia “Kostumografia në Art” mund të konsiderohet edhe si një pasqyrë e kontributit të artistëve ndër kohëra, duke filluar nga artistët anonimë të lashtësisë e duke vazhduar deri në ditët e sotme me artistët bashkëkohorë, për ruajtjen dhe evidentimin e vlerave dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Botimi në 800 faqe, ilustruar me skica e foto, është realizuar nga shtëpia botuese Ombra GVG.

Vepra është e ndarë në gjashtë kapituj kryesorë.

Kreu i parë qëmton artefakte me veshje nga antikiteti, të cilat dëshmojnë ruajtjen e strukturës së veshjes apo elementeve të veçantë si prova të lidhjes me të kaluarën.

Në kreun e dytë, te veshja mes njerëzores dhe hyjnores, në veprat e artistëve më të shquar të ikonografisë, gjenden elemente të mirëfilltë me prirje realiste që vijnë si pasqyrim i veshjes në shtresa, si shprehje e hierarkisë.

Realizmi në kreun e tretë trajton qasjen ndaj kostumit nga artistët e Rilindjes dhe të Pavarësisë. Dashuria për traditën, ndjenja e patriotizmit dhe tërheqja ndaj kostumit të trashëguar i bëri ata dokumentues të devotshëm të trashëgimisë materiale dhe e vuri në një stad të ri marrëdhënien mes artit dhe veshjes. Falë vërtetësisë në veprat e tyre, e kemi të qartë panoramën e kohës, frymën e përgjithshme dhe prirjen edhe pse të vakët për zhvillimin në disa qendra urbane. 

Tek kreu i katërt shqyrtohen kodet ikonografike të veshjes në veprat e realizmit socialist. Uniforma si veshja triumfale; Simbolika e kostumit kombëtar; Ndikimi i global ‘fashion’ në veprat me tematikë urbane etj.

Një kre më vete sjell në vëmendje kostumin identitar në artin e lëvruar nga arbëreshët.

Kapitulli i fundit shpalon artikulimin e shenjave të veshjes me gjuhën e artit bashkëkohor, rezonimin e kostumit, interpretimin e veshjes apo semiotikën e saj, duke përfshirë këtu artistët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i zi, Çamëri; si dhe artistë të diasporës.

3 Titulli: Dhe pastaj, ajo u bë pemë

Autor: Loer Kume
Redaktore: Suela Mino
Shtëpia Botuese Mediaprint
Çmimi: 1.000 lekë

Marta erdhi ndërsa ishim të mbyllur e të izoluar gjatë pandemisë. Filtroi nëpër këto faqe ndërkohë që unë, i shkëputur nga bota, po mësoja të fragmentarizoja gjithçka, po zbuloja doktrinën time personale: të isha esencial.

Kështu shprehet autori Loer Kume për romanin e tij më të ri.

Marta vjen me udhëtimin e saj, nga vrima e gjilpërës në një qytet të vogël, drejt pushtimit të skenës në botën e madhe. Marta rrezatuese, me Martin dhe djalin, me dashurinë, pasionin, ambicien, karrierën, jetën perfekte. Dhe, që papritur ndeshet me demonin.  Kështu, Marta nis rrugëtimin e saj sfidues, zbulon se ka gjëra përtej jetës dhe vdekjes, zbulon armën e saj, gërshërën, mëson të presë, mëson të thjeshtojë. Marta shndërrohet në esenciale.

Ç’fill mund t’i lidhë Kosovën, Sirinë, Shkodrën, Durrësin, Lesbosin?  A mund të trashëgohet e keqja?  Si mund të mposhtet e keqja? Deri sa mund të thjeshtohet një njeri, duke mbetur ende njeri?

Me një stil modern, të drejtpërdrejtë, larg klisheve dhe tabuve, autori sendërton një pasqyrë për lexuesin, me fuqinë e pasqyrës së përrallës: të tregojë të vërtetat që i kemi harruar apo që kemi drojë t’i mendojmë, t’i kërkojmë, t’i jetojmë. Dhe si çdo e vërtetë, kjo trondit dhe çliron.

Dikur në jetë, ne jemi secili në një pikëtakimi me Martën.

Me këtë roman, autori Loer Kume ia del të trazojë në thelb botëkuptimin tonë, duke na tërhequr në shtigje të guximshme drejt të vërtetës së thellë që mbartim si qenie.

Për autorin

Loer Kume ka lindur në Durrës, më 12 prill 1982, është prozator dhe eseist. Krijimtaria e tij nis në vitin 2011 me botimin e “LUX”, një përmbledhje me tregime. Më pas krijoi dhe u bë pjesë e “Antologjia e poezisë dhe arteve vizuale - A Dangerous Method”, 2015. Përmes një cikli esesh në shtypin e ditës dhe në blog, nën titullin “Sfera Shqipe” shtjellon analiza të fenomeneve shoqërore e kulturore shqiptare. Në vitin 2017, boton romanin "Histori e shkurtër e rrëmujës".

Në 2019, shpallet fitues i çmimit “Kadare”, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”, - “si përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh, që eksperimenton në kërkim të formave të reja letrare larg komercializmit, duke sjellë kështu një frymë të re në letërsi”.  Në vitin 2021, “Amygdala Mandala” përzgjidhet në pesë finalistët e çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë.

Nga viti 2021-2023 shkruan kolanën e përjavshme “Rock Rrëmujë” në suplementin letrar “Leteratura”. “Dhe pastaj, ajo u bë pemë” është libri i katërt i tij.

Loer Kume jeton aktualisht në Durrës, me bashkëshorten, vajzën dhe djalin e tij, në “Shtëpinë e Luleve".  Kume ndan kohën mes letërsisë, profesionit si stomatolog në klinikën dentare “Kume”, dhe pasionit për muzikën e pikturën.  Ai e quan veten “artist pa përkatësi”.

---

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Këtë herë rubrikën “Melodia e vargut” e shoqërojnë dy poezi të shkrimtarit, poetit piktorit dhe aforistit libanez Khalil Gibran.

Krijimtaria e Khalil Gibran analizon dashurinë, botën, marrëdhëniet njerëzore, i këndon paqes, miqësisë, bukurisë dhe madhështisë së jetës. Thëniet e tij janë perla urtësie për këdo që dëshiron të reflektojë dhe thellojë jo vetëm botën e tij të brendshme por edhe marrëdhëniet me të tjerët. Si emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai i kushtoi një pjesë të madhe të jetës dhe punës së tij edhe zgjidhjes së konflikteve shoqërore dhe kulturore duke u përpjekur të njohë e takojë tradita dhe kultura të ndryshme. La gjurmë të rëndësishme në mendimin poezinë dhe artin botëror.

Do ta bëj shpirtin tim

Do ta bëj shpirtin tim

Një kuti thesari për shpirtin tënd

Zemrën time një banesë për bukurinë tënde

Gjoksin tim një varr për brengat e tua.

Do të të dua ashtu si lëndinat duan pranverën

Dhe do të jetoj te ti jetën e një luleje nën rrezet e diellit.

Do të këndoj emrin tënd siç këndon lugina jehonën e këmbanave;

Do të dëgjoj gjuhën e shpirtit tënd

Ashtu si bregu dëgjon historinë e valëve.

Në këtë poezi nëpërmjet bukurisë së fjalës shprehet dëshira për t'iu dhënë me gjithë qenien dashurisë, për t'iu përkushtuar asaj me prani e sakrificë, deri në vetëmohim.

Një tjetër poezi mjaft domethënëse është ajo me titull: "Kujtim".

Në të ndihet qartë rëndësia që për poetin luan te ne e shkuara, kujtimet. Ato janë pjesë e jona dhe ndikojnë në esencën, thelbin e asaj çfarë ne jemi.

"Kujtim"
Nuk do të lejoj që as edhe një fantazmë
E vetme kujtese
Të humbë me retë
Dhe është vetëdija ime e përhershme për të kaluarën
Ajo që më shkakton ndonjëherë dhimbje.
Por nëse do të më duhej të zgjidhja mes gëzimit dhe dhimbjes,
Nuk do t'i ndërroja dhimbjet e zemrës sime Me gëzimet e botës së tërë.

S.G/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Basir Çollaku: Zgjedhjet në degën 2 Tiranë, për Kokë të Statutit dhe

Basir Çollaku: Zgjedhjet në degën 2 Tiranë, për Kokë të Statutit dhe "koka" të tjera