1. VASILIKA TAFA, BOTUESE

“SANSHIRŌ”, VEPRA E AUTORES JAPONEZE SŌSEKI VJEN NË SHQIP

Titulli: Sanshiro
Autori: Natsume Sōseki
Përktheu: Agim Doksani
Kategoria: Roman
Botues: Ombra GVG
Çmimi: 1200 lekë

Vepër e realizuar në kufirin e pjekurisë politike, “Sanshirō” (1908) mbetet edhe sot një nga romanet më të lexuara në Japoni. Në të përjetohet atmosfera e mjediseve universitare të Tokios në fillim të shekullit, ku ballafaqoheshin kulturat e orientit dhe të perëndimit, e pasqyruar nëpërmjet përvojave të një studenti të sapombërritur në kryeqytet nga provinca. 

Në kontrastin mes Rinisë së personazhit kryesor, entuziazmit për një të ardhme  të pasigurt por ngacmuese dhe plot premtime, dhe vetmisë, melankonike dhe të zhveshur nga iluzionet, e profesor Hirotas më të shtyrë në moshë, vihet në dukje një nga temat themelore të veprave të Sōsekit: Izolimi i njeriut modern dhe paaftësia e tij për t'i gjetur një kuptim ekzistencës së vet. 

Natsume Sōseki lindi në vitin 1867 në Bashita dhe ishte fëmija i gjashtë. Ai erdhi në jetë kur mamaja e tij ishte dyzet vjeç, ndërsa babai pesëdhjetë e tri. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, atë e adoptuan. Kur ishte tetë vjeç u ribashkua me familjen biologjike sepse çifti adoptues u divorcua. Shkollën e mesme e kreu në Tokio, ndërsa studimet e larta për gjuhë angleze i përfundoi në Tokyo Imperial University në vitin 1893. Iu akordua një bursë studimi në Angli dhe në vitin 1903 u bë lektor i gjuhës angleze në Universitetin e Tokios.  Vdiq në vitin 1916. 

Natsume Sōseki konsiderohet si babai i letësisë moderne japoneze. Ai përdori problemet dhe dramat e shoqërisë japoneze të fillimshekullit të njëzetë për subjekte të krijimtarisë së tij letrare të suksesshme. Duke qenë se jetoi ngjarjen historike të tranzicionit të Japonisë nga bota feudale për në rrjedhën e zhvillimeve politike, ushtarake e industriale, ai bë pjesë thelbësore e procesit të përshtatjes dhe hapjes së kulturës japoneze me kulturën perëndimore.

2. ENIRD MALILE, AUTOR

PLANETI LESHTOR”, LIBRI I RI ME TREGIME NGA ENIRD MALILE

Titulli: Planeti leshtor
Autori: Enird Malile
Kategoria: Tregime
Botues: UET Press
Çmimi: 1000 lekë

Një vepër që ndërthur estetikën eksperimentale me thellësinë filozofike, duke krijuar një univers ku realiteti dhe imagjinata përplasen. Personazhet e Maliles jetojnë mes së dukshmes dhe të padukshmes, duke na kujtuar se çdo detaj i vogël mbart kuptime të pafundme.

Autori përpiqet të kuptojë ç’ndodh në mendjen e dikujt gjatë atyre sekondave të pritjes. Ai nuk synon medoemos të shpjegojë, por vetëm të vështrojë nga larg. Vëzhgimi i mprehtë është arma e tij më e fortë.

Në dukje, tregimet e tij janë për Asgjënë. Pikërisht këtu qëndron veçantia dhe vlera e tyre. Autori nuk përpiqet të nxjerrë me dhunë një mesazh nga kjo Asgjë; përkundrazi, ai nuk bie në këtë grackë, por e kremton me vetëdije shijimin e saj. Janë këto çaste të vogla, rreth të cilave sillen tregimet e tij.

“Çfarë sjell pranëvendosja e banales me mendimet e holla filozofike të sublimes? Dhe pse ia vlen të humbasim kohë me këto mendime, kur e dimë mirë se banalja do të vijojë pa mëshirë të përsëritet mërzitshëm?

Personazhet këtu kanë veset e tyre: ruletë, lotari, bilardo. Megjithatë, ata trajtohen me dashuri, pa u gjykuar aspak. Kërkimi i tyre i pashpresë mund të lexohet si forcë për të ëndërruar, për të mos hequr dorë deri në fund.”, vëren në parathënien e këtij botimi, Dionis Prifti. 


3. LORETA BERHAMI, BOTUESE

“DASMORËT”, NË SHQIP LIBRI I AUTORES AMERIKANE ALISON ESPACH

Titulli: Dasmorët
Autori: Alison Espach
Përktheu: Stefan Paloka
Kategoria: Roman
Botues: Pegi
Çmimi: 1200 lekë

Është një ditë e mrekullueshme në Njuport, Rod Ajlend, kur Fibi Stoun mbërrin në hotelin luksoz Cornëall Inn, e veshur me një fustan elegant mëndafshi, në ngjyrë të gjelbër dhe këpucë me taka ngjyrë ari, pa as edhe një çantë me vete. Të pranishmit në hollin e hotelit, që janë të gjithë të ftuar në një dasmë, e pandehin si njërën prej dasmorëve. Mirëpo Fibi s’ka lidhje me dasmën. Ajo ka ardhur, psese prej vitesh ëndërron që të kalojë disa ditë aty. Në ëndrrat e saj, ajo pinte kokteje me të shoqin, duke soditur perëndimin. Tani, krejt fillkat dhe në pikën më të dëshpëruar të jetës, ka vendosur ta përkëdhelë veten për herë të fundit.

Ndërkaq, nusja është përgatitur për çdo pengesë të mundshme në frstimet që pritet të zgjasin një javë të tërë, me përjashtim të Fibit dhe të vendimeve të saj. Planet krejt të kundërta që kanë, do t’i detyrojnë gratë të flasin dhe të njihen me njëra-tjetrën, e kështu, pak nga pak, rastësia e vogël e një rezervimi në hotelin e dasmorëve do të kthehet në një nga mundësitë e mëdha që ofron jeta.

Te “Dasmorët”, autorja ka qëndisur një version modern të fabulës tipike angleze mbi martesën, një histori komplekse dhe e ndërlikuar, e cila zhvillohet në një rezidencë fisnike antike, ku rrëfehet se dashuria dhe brenga shpesh shkojnë dorë përdore. Komike, argëtuese dhe herë pas here befasuese. Me vëzhgime të mprehta mbi shoqërinë dhe një prozë të përpunuar mjeshtërisht, Alison Espach sjell një roman të hollë dhe argëtues, një kënaqësi e pastër letrare. 

Melodia e Vargut
Sonila Strakosha

Ervin Hatibi

Poezia e humbjes

Ti asnjëherë s’e kupton çfarë humb.
Lodron si një mace në hapësirën
e gjelbër të syve të tu
dhe unë i fyer, i poshtëruar
të përgjoj pas hijes sime.
Bëhet vonë, sa vonë nga ndarja.
Unë mbi prush thyej shkarpa
si idiot i fryj hirit.
Ndizu zjarr,
dhe hedh lule, shami, vjersha,
rroba e çdo gjë që kam.
E ngel një lakuriq i varfër,
zhveshur që zjarri dot më s’e ngroh.
Ti asnjëherë s’e kupton çfarë humb.
Lodron si një gjethe në lulishtet
pa anë të syve të tu.
Por unë dua të të dua
me çdo kusht

*

Flenë në xhepa 
letrat e padërguara 
i ndjej nën lëkurë rreshtat të pëshpërijnë 
zarfat tek dridhen 
filateli që të dashurit nuk do të mundin 
të ma shqisin nga mishi 
janë letra që mbase edhe i shkrova 
por vetes ia dërgova 
në adresa të largëta 
thuaj se veten dua të sqaroj 
me arsyet e të tjerëve 
për pamundësitë e mia 
më flenë nën lëkurë 
letra 
një tufë e tërë
letra që mbase edhe do të nisen 
në fakt u nisën, por për tek unë 
që si kuti postare e vjedhur 
grumbulloj për vete njëfarë ngrohtësie, fjalë të mira 
që vetë i shkrova për të tjerë aq mirë,
sa nuk mundet askush të më shkruajë.

 

Mesnatë në bregdet

Neonët e qytetit
vjellin dritë
mbi sipërfaqen e qetë
të detit.
Era edhe flladin diku e harroi…
Gjethet kanë ngrirë,
si veshë të nderur në përgjim.
Asnjë zhurmë…
Deti ka vënë gishtin mbi buzë
dhe pëshpërit me gjuhë dallgëzash:
Shët! Shët! Shët!
Dallgëzat rrëshqasin mbi heshtjen e bregut,
aq lehtë, si puthjet e nënës
mbi ballin e dirsur të fëmijës së përgjumur.
Unë dhe ti
pagjumësinë tonë të lumtur
thithim në dy cigare.
Dy cigaret tona në këtë mesnatë,
si fenerë të udhëve detare,
rrugën e rrëfejnë ditëve të lumtura,
që shtegtimin kanë nisur drejt nesh.
Jemi këtu! Jemi këtu!
Mbi kokat tona yje.
O sa yje!
Ë?
Më parë sikur s’ka patur kaq shumë yje?
Ë?
A nuk të duket se kanë ndezur cigaret
miliona të lumtur si ne,
miliona,
si ne,
të pagjumë?