“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Dhimitër (Taq) Buda, veprimtar i lëvizjes kombëtare” nga Tatjana Haxhimihali, “Vasil Rakaj” nga Suzana Varvarica Kuka dhe “Në gjurmë” nga Frederik Moçka.
1.DHIMITRAQ BUDA, MONOGRAFI VEPRIMTARIT TË RILINDJES KOMBËTARE
Dhimitraq (Taq) Buda (1868–1941), i cilësuar “veprimtar i lëvizjes kombëtare”, është një nga figurat që shënjuan fillimet e shekullit XX në Shqipëri. I lindur në Elbasan, ai arriti të tejkalojë kufijtë lokalë duke u bërë pjesë aktive e proceseve kyçe kombëtare. Si përfaqësues i qytetit të tij në Kongresi i Manastirit, ai kontribuoi në një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare: unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Figura e tij rikthehet në vëmendje përmes studimit dhe kërkimit të mbesës së tij, Tatjana Haxhimihali, e cila ka sjellë një këndvështrim të thelluar mbi jetën dhe aktivitetin e Budës.
“Ky nuk është një libër vetëm për gjyshin, nuk është historia e një familjeje… është historia e një veprimtari të lëvizjes kombëtare. Shumë figura të tilla janë zbehur me kalimin e kohës, por aktiviteti i tyre ka mbetur i dokumentuar dhe kjo më shtyu të kërkoj rrënjët e formimit të tij. Nuk janë vetëm rrënjë familjare, por edhe shpirtërore, që e brumosën këtë njeri. Ishte një familje me vizion: i ati i dërgoi fëmijët për studime jashtë vendit, në një kohë të vështirë, me qëllimin që ata të ktheheshin dhe të kontribuonin për Shqipërinë.”
Dhimitraq Buda studioi në Manastir dhe më pas në Athinë për farmaci, ku spikati për rezultate të shkëlqyera. Megjithëse iu ofrua të qëndronte dhe të punonte atje, ai zgjodhi të kthehej në atdhe.
“Kur mbaroi studimet me rezultate të larta, profesorët i kërkuan të qëndronte në Athinë. Por ai u përgjigj: ‘Unë do të kthehem në Shqipëri.’ Madje, kur i thanë se Shqipëria nuk kishte as dritë elektrike, ai u përgjigj: ‘Shqipëria ka një gjë që ju nuk e keni – ka Gjergj Kastrioti Skënderbeu.’ Kjo tregon ndjenjën e tij të fortë patriotike.”
Përveç kontributit në Kongresin e Manastirit, ai mori pjesë edhe në Kongresi i Elbasanit, ku u hodhën themelet e arsimit kombëtar dhe të Shkollës Normale. Ai kontribuoi jo vetëm në hartimin e programeve, por edhe në mbështetjen materiale dhe organizative.
“Ai ishte farmacist me profesion dhe arriti të krijojë një gjendje të mirë ekonomike, të cilën e përdori për të ndihmuar çështjen kombëtare. Ka dokumente që tregojnë kontributin e tij në arsimin dhe organizimin e institucioneve. Nuk ishte thjesht një profesionist, por një patriot aktiv.”
Buda ishte gjithashtu pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë në Elbasan, pak ditë para Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Më vonë, ai shërbeu si deputet në parlamentin e parë shqiptar gjatë kohës së Ahmet Zogu, ku u dallua për qëndrime të forta kundër korrupsionit dhe për përpjekjet për modernizimin e sistemit shëndetësor.
“Në parlament ai ngriti çështje që janë aktuale edhe sot – kundër korrupsionit, për përmirësimin e shëndetësisë dhe farmacisë. Diskutimet e tij me Ministrinë e Shëndetësisë janë shumë interesante dhe tregojnë një vizion modern. Ai kërkonte standarde ndërkombëtare, duke qenë i lidhur profesionalisht me qendra si Trieste dhe Zvicra.”
Një nga debatet më interesante ku ai mori pjesë ishte ai për përcaktimin e kryeqytetit të Shqipërisë, ku ai mbrojti idenë e Elbasanit si qendër.
“Ai argumentoi për Elbasanin si kryeqytet, duke theksuar vlerat dhe pozicionin e tij. Edhe pse kjo u konsiderua si një qasje lokaliste, në atë kohë Tirana ishte ende një qytet i vogël dhe pa shumë perspektivë sipas tij.”
Libri i Haxhimihalit sjell jo vetëm aktivitetin e Dhimitraq Budës, por edhe kontekstin historik, kombëtar dhe ndërkombëtar të kohës, duke e vendosur figurën e tij në një panoramë më të gjerë.
“Jam përpjekur të jap një figurë të gjallë dhe të vërtetë, të mbështetur në dokumente dhe kujtime familjare. Nuk është vetëm historia e një njeriu, por një pjesë e historisë sonë kombëtare.”
Një figurë që për dekada mbeti në hije, por që sot rikthehet si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve për shtetformim, arsim dhe identitet kombëtar.
2.SUZANA VARVARICA KUKA, AUTORE
Libri më i fundit në studimet e artit i kushtohet skulptorit shqiptar Vasil Rakaj, një artist 70-vjeçar që jeton dhe krijon mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prej vitesh i vendosur në Connecticut, Rakaj mbetet një emër që i përket njëkohësisht dy realiteteve artistike.
“Arsyeja pse iu afrova krijimtarisë së Vasil Rakajt lidhet me vijueshmërinë e tij në art. Ai nuk e ka ndërprerë kurrë krijimin, që nga ditët e para të shkollës e deri më sot. Për mua, artistët që nuk e braktisin kurrë veprën e tyre, edhe kur bëjnë punë të tjera për mbijetesë, janë më interesantët për t’u studiuar.”
Vasil Rakaj është pjesë e një brezi të rëndësishëm të historisë së artit shqiptar, duke u formuar në vitet ’70, një periudhë vendimtare për zhvillimet artistike në vend.
“Ai i përket asaj kohe, por njëkohësisht ka lënë gjurmë si në Shqipëri, ashtu edhe në Amerikë. Kjo më shtyu të kërkoj më shumë për jetën dhe personalitetin e tij artistik.”
Origjina e tij nga Boga, një zonë malore, ka ndikuar thellësisht në identitetin e tij krijues.
“Vasili mbetet një malësor në shpirt. Ai nuk i ka humbur kurrë kodet e jetëstë besimit dhe të artit që vijnë nga ajo zonë. Kjo e bën një artist të kompletuar dhe shumë autentik.”
Monografia nuk ndalet vetëm tek analiza e veprës, por përfshin edhe jetën personale të artistit, duke sjellë momente nga familja dhe përjetimet e tij.
“Libri përfshin edhe jetën e tij – momente personale, familjare – që i japin sinqeritet dhe e bëjnë më të gjallë. Nuk është thjesht një analizë arti, por një rrëfim i plotë.”
Në krijimtarinë e tij, Rakaj mbetet një artist realist, i formuar në traditën e realizmit socialist, por që më pas e ka zgjeruar gjuhën e tij artistike.
“Ai i ka qëndruar besnik figurës njerëzore dhe realitetit, por në Amerikë ka eksploruar më shumë – mes realizmit, impresionizmit dhe ekspresivizmit. Ka edhe vepra minimaliste, ku eksperimenton me materiale të ndryshme.”
Skulpturat e tij gjenden si në hapësira publike, ashtu edhe në ambiente private, kryesisht në SHBA, ku arti i tij bëhet pjesë e jetës së përditshme.
“Veprat e tij janë vendosur në kopshte familjesh, në ambiente intime, ku krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me njeriun. Janë të afërta, të ngrohta dhe shumë njerëzore.”
Tematika e Rakajt lëviz mes patriotikes dhe lirikes, nga figura historike e deri tek elementë të jetës së përditshme.
“Ai punon figura si Nënë Tereza, Skënderbeu apo Martin Luther King, por edhe skena të jetës si ‘sofra’, figura femërore, apo elementë nga natyra si dhia e Bogës. Është një ndërthurje mes epikes dhe intimes.”
Me një krijimtari që shtrihet në dekada dhe në dy kontinente, Vasil Rakaj mbetet një dëshmi e gjallë e përkushtimit ndaj artit dhe identitetit. Monografia e tij vjen si një pasqyrë e plotë e një jete të ndërtuar mbi skulpturën.
“NË GJURMË”, FREDERIK MOÇKA BOTON LIBRIN E TIJ TË GJASHTË
Një qytet i zbrazët, heshtje e pazakontë dhe një njeri përballë vetvetes. Kjo është atmosfera që sjell romani më i ri “Në gjurmë” i autorit Frederik Moçka.
Personazhi kryesor endet i vetëm në rrugët e qytetit. Nuk ka makina, nuk ka zëra njerëzish. Vetëm hapat e tij që jehojnë në heshtje dhe një ndjesi e fortë pasigurie për atë që ka ndodhur.
Ndërsa dyqanet hapen njëri pas tjetrit, mungesa e njerëzve e bën situatën edhe më të mistershme. Vetmia dhe kureshtja e shtyjnë drejt kërkimit të së vërtetës.
“Si ide kryesore ka që njeriu është i lindur për të shkatërruar vetveten… pavarësisht sa i kulturuar është, ai do përballet me atë që ka në gen.”
Romani ndërthur elemente fantazie me reflektim filozofik. Ai trajton marrëdhënien e njeriut me natyrën dhe prirjen e tij për konflikt.
“Janë dy tema kryesore: njeriu dhe natyra… dhe në fund përfundon në përplasjen mes këtij dhe tjetrit.”
Ngjarja arrin kulmin kur personazhi takon një tjetër të mbijetuar. Por në vend të bashkëpunimit, lind përplasja, duke përforcuar mesazhin se njeriu është armiku i vetes.
“Njeriu nuk do shkatërrohet nga një qenie më e zgjuar… por nga vetvetja, sepse luftën e ka me vetveten.”
“Një histori jo reale, por me të vërteta që lidhen me historinë e njerëzimit”, e cilëson autori këtë vepër, e cila është libri i tij i gjashtë.
“Kam shkruar disa libra… që nga romane, satirë dhe një autobiografi për fëmijërinë. Letërsinë e kam pasur gjithmonë pasion.”
“Në gjurmë” vjen si një reflektim mbi natyrën njerëzore dhe konfliktin e përhershëm të tij me botën dhe me vetveten.
Ky roman sjell një këndvështrim ndryshe mbi të ardhmen e njeriut, duke ngritur pyetje që mbeten aktuale edhe sot.
Melodia e Vargut nga Sonila Strakosha
Xhelaledin Rumi ka qenë teolog dhe poet mistik persian i shekullit të XIII, i njohur për poezinë e tij mbi dashurinë hyjnore. Vargu i tij lexohet e analizohet ende sot. "Melodia e vargut" përcjell dy poezi të tij.
Ditë e natë
Në këte poezi Rumi pyet veten çfarë është shpirti dhe kërkon përgjigje. Përvoja njerëzore paraqitet si një mërgim i përkohshëm.
Në thelb, poezia flet për ndjenjën e të qenit i huaj në botë. Poeti nuk e di nga vjen dhe çfarë duhet të bëjë, por është i sigurt se shpirti i përket një vendi tjetër dhe se vetvetja është pasqyrimi i diçkaje më të lartë, i një pranie hyjnore që vepron përmes nesh.
Gjatë gjithë ditës mendoj,
dhe natën, them, nga vij,
dhe çfarë duhet të bëj?
Nuk e di.
Shpirti im vjen nga një vend tjetër,
jam i sigurt për këtë,
dhe atje kam ndërmend të kthehem.
Kjo dehje ka filluar në një tavernë tjetër.
Kur të kthehem në atë vend,
do të jem krejt i kthjellët.
Ndërkohë, jam si një zog
nga një kontinent tjetër,
ulur në këtë kafaz të madh.
Do të vijë dita kur do të fluturoj larg,
por kush është tani, ai që në veshin tim dëgjon zërin tim?
Kush i shqipton fjalët me gojën time?
E kush shikon jashtë me sytë e mi?
Çfarë është shpirti?
Nuk arrij të ndalem së pyeturi.
Sikur të mund të shijoja
qoftë edhe një grimë përgjigjeje,
do të dilja nga ky burg dehjeje.
Nuk kam ardhur këtu me dëshirën time,
dhe... nuk mund të largohem.
Ai që më solli këtu
duhet edhe të më drejtojë në shtëpi.
Kjo poezi... nuk di çfarë të them.
Nuk përgatis asgjë.
Kur nuk jam në brendi të saj
bëhem shumë i heshtur
dhe flas rrallë.
Zgjodha të të dua
Unë zgjodha të të dua në heshtje…
Sepse në heshtje nuk gjej refuzim
Zgjodha të të dua në vetmi…
Sepse në vetmi
Askush nuk të zotëron dot veç meje.
Zgjodha të të adhuroj nga larg…
Sepse largësia më ruan nga dhimbja
Zgjodha të të puth përmes erës…
Sepse era puth më lehtë se buzët e mia.
Zgjodha të të mbaj në ëndrrat e mia…
Sepse në to, ti nuk ke fund.
Komente






