“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Ministri” nga Ahmet Prençi, “Mrekullia e madhe” nga Viola Ardone dhe “Anima” nga Wajdi Mouawad.
1 “MINISTRI”, AHMET PRENÇI SJELL LIBRIN E FUNDIT TË TRILOGJISË
I njohur prej shumëkujt si ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi tashmë është edhe shkrimtar. Pas botimeve të dy romaneve më të hershme ai vjen para lexuesit me një tjetër roman, të titulluar “Ministri”.
Romani është pasqyrë e një realiteti të zhveshur nga retorika dhe të zhytur në moralin gri të kompromisit dhe të heshtjes. Është një rrugëtim politik, emocional dhe psikologjik drejt pikëpyetjeve rrëqethëse.
Ky roman është pjesa e tretë e një trilogjie që filloi me romanin "Anja", u thellua me romanin "Brenga e Prokurorit" dhe mbyllet me romanin "Ministri".
“Ministri” nuk është thjesht një trill letrar, por s’është as një thjeshtësim i realitetit. Në faqet e tij zhvillohet një përballje e madhe. Ky libër nuk është veç rrëfim për një të arratisur nga burgimi i përjetshëm. Është mesazh për një vend që në fillim harron, më pas fal dhe në fund vuan.
2 “MREKULLIA E MADHE” E VIOLA ARDONES VJEN NË GJUHËN SHQIPE
Vogëlushja Elba mban emrin e një lumi të madh të Veriut: ka vendosur nëna e saj ta quajë kështu. Në fillim, nënë e bijë jetonin së bashku, në një vend të cilin Elba e quan gjysmëbotë, por që në të vërtetë është një spital psikiatrik. Pastaj nëna e saj u zhduk dhe asaj nuk i mbeti gjë tjetër veçse të rritej, të përpilonte “Ditarin e sëmundjeve të mendjes" dhe t’u tregonte të sapoardhurve në repart për mjekët Bishtdhelpër dhe Llambushkë, për infermieren Xhilet dhe qenushën Buba, për universin e saj, i vetmi që njeh. Të paktën derisa një psikiatri të ri, Fausto Mrekullisë, t’i tiposet që ta nxjerrë nga spitali psikiatrik, madje t’i fshijë nga faqja e dheut vende si këto; në fund të fundit, këtë parashikon ligji Basaglia, i miratuar pak vjet më parë. Doktor Mrekullia e merr Elbën të jetojë në shtëpinë e tij, si ta kishte bijë të vetën: e vetmja që ka zgjedhur në jetë dhe falë së cilës ai, që kurrë nuk ka qenë një baba i mirë, mëson peshën dhe forcën e atësisë.
Proza intensive, origjinale, plot muzikalitet e Viola Ardones na tregon se dashuria e të tjerëve nuk varet kurrë vetëm nga ne. Ky është misteri, por edhe mrekullia e dashurisë.
Romani “Mrekullia e madhe” së bashku me “Treni i fëmijëve” dhe “Olivia Denaro” plotëson një triologji të përsosur të shekullit të njëzetë. Në këtë roman, marrëdhënia e një vajze fare të re me njeriun që vendos ta çlirojë zbulon nevojën njerëzore për t’u njohur e dashur nga të tjerët, për të ndier se ekziston.
3 “ANIMA”, NJË ROMAN PËR DHUNËN DHE KAFSHËRINË E NJERIUT
Një grua shtatzënë, e masakruar, e përdhunuar, e rrethuar nga një pellg gjaku, gjendet në shtëpinë e saj të zymtë. Dëshmitari i vetëm dhe i pafuqishëm, i kësaj ngjarje është macja. Kjo është skena makabre që shfaqet para syve të Uash Debshit një mbrëmje, kur sapo ishte kthyer nga puna. Ajo shtëpi është e tij dhe viktima, është gruaja e tij. I verbuar nga dhimbja dhe etja për hakmarrje, por mbi të gjitha për ta parë në sy, ai niset në kërkim të gjurmëve të vrasësit. Në përpjekjet dëshpëruese për të kuptuar të keqen, ai zhytet edhe më thellë në një bote tjetër, të fshehur nën sipërfaqen e botës së qytetëruar, një botë që sundohet nga mafia, trafikimi, krimi, që qeverisin me ligjet tyre. Në këtë aventurë të guximshme, i shoqëruar nga miqtë besnikë, kafshët, zbulohet historia e dramës së tij që fillon nga koha e fëmijërisë. Kafshët dëgjojnë, kafshët mund të shohin në brendësi të shpirtit, por nuk mund t’ia zbusin dhimbjen.
“Anima” është një odise bashkëkohore tronditëse, njëkohësisht është edhe një provokim i guximshëm letrar. Kapitull pas kapitulli, fija narrative rimerret nga kafshët, duke filluar me macen që rrëfen skenën tronditëse të krimit, që kreu një “bishë djallëzore”. Qeni, macja, minjtë, gjarpëri, merimanga dhe insektet e çdo lloji që dëshmojnë të gjithë historinë, e dritësojnë lexuesin për perceptimin më të saktë të këtij realiteti ku jetojmë. Gjatë rrugëtimit të Uash Debshit, zbulohen humnera ku brenda tyre shtrihen male me kufoma njerëzore. Ai është i traumatizuar, i shkatërruar, pa asgjë për të humbur dhe pas çdo hapi që hedh, kupton se njerëzimi është një bashkësi mizore. E vërteta e hidhur që zbulon kjo dramë, është: “Qielli akoma nuk ka parë asgjë më kafshërore se njeriu”.
Sonila Strakosha
Lao Tzu
Te rubrika e poezisë vjen forca e mendimit të Lao Tzu, një figurë legjendare e filozofisë kineze qe ka jetuar ne shek e VI përpara Krishtit. Është themeluesi i "Taoizmit", doktrinës që mbështet jetën në harmoni me natyrën dhe në paqe me veten. Ka lënë trashëgimi shumë thënie të urta e aforizma, që dhe në ditët e sotme jehojnë me një fuqi të jashtëzakonshme.
Të njohura janë thëniet e tij si:
"Një udhëtim prej mijëra kilometrash duhet të fillojë nga hapi i parë" ose: "Për të udhëhequr të tjerët, ec pas tyre".
"Përgjigjja është dashuria" është një himn thurrur dashurisë.
Ndjenja e detyrës pa dashuri të bën të zymtë.
Përgjegjësia pa dashuri të bën të pandjeshëm.
Drejtësia pa dashuri të bën të ashpër.
Sinqeriteti pa dashuri të bën tepër kritik.
Urtësia pa dashuri të bën njeri të rremë.
Mirësia pa dashuri të kthehet në hipokrizi
Rregulli pa dashuri të bën njeri të ngurtë.
Aftësia pa dashuri të bën mendjemadh.
Pushteti pa dashuri të bën njeri mizor.
Nderi pa dashuri të kthen në arrogant.
Të zotëruarit pa dashuri të bën koprrac.
Dhe besimi pa dashuri të tjetërson
Të bën fanatik.
Përgjigjja pra, është gjithmonë dashuria.
Komente






