“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Një mijë e një net” nga thesari i çmuar i botës arabe, “Qeni dhe kontrabasi” nga Saša Ilić dhe “Rikthim” nga Fred Uhlman. Melodia e Vargut ju sjell vargje nga Ismail Kadare.
“NJË MIJË E NJË NET”, THESARI I ÇMUAR I BOTËS ARABE NË SHQIP
“Një mijë e një net”, një thesar i çmuar i botës dhe i kulturës arabe vjen përkthyer nga origjinali në shqip nga Elmas Fida. Boshti kryesor i këtyre rrëfimeve apo “rrëfenjave për të rritur” është historia e mbretit Shehrijar, që i zhgënjyer nga tradhtia e së shoqes, vendos të martohet çdo ditë me një vajzë, të cilën, me t’u gdhirë dita e re, e ekzekutonte. E vetmja që e ndërpreu këtë zinxhir mizorish, ishte Shehrezadja. Me aftësinë e saj të lindur dhe kulturën që zotëronte, ajo e përhumbi mbretin në rrëfimet e saj për një mijë e një net me radhë, duke u kthyer në simbolin e gruas, që arrin të zbutë bishën brenda autoritetit të verbër mashkullor.
Gjithashtu, mjaft mbresëlënëse janë edhe fragmentet erotike, të sjella me delikatesë në shqip, duke ruajtur frymën e kohës, kur trupi, fjala dhe imagjinata ishin një. Ky botim vjen për herë të parë i plotë në gjuhën shqipe nga origjinali (katër vëllime). Në këtë vëllim të parë janë përmbledhur 168 rrëfenja.
“SHKATËRRIMI I ISH-JUGOSLLAVISË”, NË SHQIP LIBRI I SAŠA ILIĆ
Duket e pamundur që të përmbledhësh në një roman të gjithë paradoksin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Por autori Saša Ilić e zgjidh përmes rrëfimit të nëntëmbëdhjetëvjeçarit Filip Isaković që pas shumë kohësh në anijen luftarake JRM, në vjeshtën e vitit 1991, u gjend para ishullit të Lošinjit. Asokohe, ajo ishte aroma e fundit e parajsës sepse të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë e kaploi errësira e luftës dhe i gjithë vendi do të përmbytej nga gjaku.
Plot dy dekada më vonë, një ish-veteran lufte dhe kontrabasist xhazi, tashmë i shkatërruar mendërisht dhe pothuaj edhe fizikisht dhe që madje nuk mund të luajë më, shoqërohet në një spital psikiatrik në Kovino, ku takon ata që u braktisën nga shteti, pasi i përdori turpshëm për luftërat e tij.
“RIKTHIM”, ROMANI I UHLMAN MBI VITET E NAZIZMIT NË GJERMANI
Gjermani, viti 1932. Dy djem gjashtëmbëdhjetëvjeçarë ndjekin të njëjtën shkollë ekskluzive në Shtutgart. Njëri është djali i një mjeku hebre, tjetri pasardhës i një familjeje të pasur aristokratike.
Mes tyre lind një miqësi e thellë, një mirëkuptim i përsosur dhe magjik. Por vendi ku po jetojnë ndryshon thellësisht. A do të mundet që kjo miqësi të mos shkatërrohet nga historia?
Një rrëfim me një finesë dhe forcë sugjestive të jashtëzakonshme, “Rikthim” u botua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1971 dhe më pas kudo, ku mori një sukses të madh, si te publiku ashtu edhe te kritika.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Rubrika e poezisë sjell vargje nga i madhi Ismail Kadare.
Ti ishe për mua
Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske
Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.
Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske.
Edhe kur kujtesa
Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Une ty s’do të harroj.
Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.
Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë
Unë pashë lulet e para
Unë pashë lulet e para
që çelen kudo përmbi dhe
Pashë zogjtë e parë shtegtarë
q’u kthyen sërishmi tek ne
Në brigje, në kopshte, në ara
gjithçka është e parë, gjithçka
Ndërmend dashuria e parë
ato kur i pashë më rà.
Do vyshken të gjitha të parat
dhe prap do kthehen ato
përveç dashurisë së parë
as vyshket, as kthehet ajo…
Komente







