“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Skenar brilant” nga Dolly Alderton, “Teutana” nga Alfred Duka dhe “Kristali dhe beteja me emoxhët” nga Albana Nexhipi Lekaj. Melodia e Vargut sjell poezi nga Musa Vyshka.
LORETA BERHAMI, BOTUESE
“SKENAR BRILANT”, ROMAN PËR DASHURINË, NDARJEN E RIFILLIMIN
Endi, një komedian në të tridhjetat e vona besonte se ai dhe Xheni do të ishin bashkë përgjithmonë. Për vite me radhë, kanë ndarë bashkë dashurinë, humorin dhe një jetë, në dukje, të lumtur. Por kur Xheni vendos të largohet, Endit i shembet bota dhe mbetet me boshllëkun e vetmisë, i detyruar tashmë të përballet me gjithçka që kishte shmangur: kujtimet, dështimet dhe veten.
Në përpjekje për të rindërtuar jetën, ai mëson se “skenari brilant” i dashurisë dhe i jetës nuk qëndron te përsosmëria, por te brishtësia njerëzore, te gabimet dhe te guximi për t’ia nisur sërish nga e para.
Me stilin e saj karakteristik, të mbushur me humor të hollë dhe ndjeshmëri, Dolly Alderton na sjell një roman prekës për dashurinë, humbjen, marrëzitë pas ndarjeve dhe rifilllimin e jetës. I sinqertë, i ndier dhe argëtues, “Skenar brilant” është një roman për atë që ndodh pas frazës “dhe jetuan të lumtur përgjithmonë”, si dhe për bukurinë që gjendet në fillimet e reja.
ALFRED DUKA, AUTOR
“TEUTANA”, NJË DRAMË DASHURIE DHE JETA NGA ALFRED DUKA
“Teutana” është një dramë dashurie e pazakontë, ku pas një aksidenti që shënjon trupin dhe fatin e Nikos, personazhit kryesor, shpaloset historia e dy grave, Teutës dhe Anës. Në roman ceket edhe një çështje e pazakontë: shkrimtari i madh i letërsisë shqipe takon pas shumë kohësh një nga personazhet e tij. Duke shfletuar faqet e këtij romani, lexuesi endet në hapësira të pashkelura të letërsisë sonë, ku intimiteti, pasioni dhe dhimbja bëhen materie artistike e një narrative moderne dhe tërheqëse.
Në këtë roman, Duka shpalos një univers dashurie e moraliteti, që endet mes ankthit erotik dhe dinjitetit njerëzor.
ALBANA NEXHIPI LEKAJ, AUTORE
ALBANA NEXHIPI LEKAJ RIKTHEN KRISTALIN NË BETEJË ME EMOXHËT
Pas botimit të librit “Kristali dhe interneti çudimadh”, autorja Albana Nexhipi Lekaj vjen me librin e dytë, ku rrëfen aventurat dhe betejën e Kristalit me emoxhët.
Libri me ilustrime nga Artur Dauti përpiqet t’u japë përgjigje pyetjes nëse po e ndryshon apo jo teknologjia gjuhën tonë. Ai është një rrëfim artistik për betejën e fëmijëve për ta dashur e mbrojtur gjuhën mëmë.
Melodia e Vargut
Sonila Strakosha
"Melodia e vargut" përcjell poezinë "Molla" të poetit Musa Vyshka. Këto vargje, vite më parë, kanë frymëzuar edhe një këngë.
MOLLA
Në autobus shëtis unë me tim bir
Dhe si fëmijë ai zë shpejt një shok,
Shokun që zuri sot unë e njoh mirë,
Është djali i asaj që e kam dashur fort.
E desha, por ajo donte një tjetër
Dhe kaq se jeta s’mori fund.
I lumtur jam në shtëpinë e shtrenjtë
Asnjë gjurmë dhimbjeje s’duket asgjëkund.
Dhe më vjen mirë, oh, sa më vjen mirë,
Që tani është e lumtur edhe ajo.
I biri bisedon sot me tim bir,
Për lodrat, për makinat, për ҫfarëdo.
Nuk ia urrej aspak burrin që mori,
Jam gati që ta njoh e ta zë mik,
Të bisedoj me të dhe disa orë
Për vitet tona që ikën vërtik.
Jam gati. Jeta është kaq e mirë,
Ai që do shpejt lumturinë e gjen.
Kënaqet djali i saj sot me tim bir
Nga lumturia syri u shkëlqen.
Ai në sy i përngjason asaj,
I lumur qofsh! Me shpirt i bëj urim.
Nga xhepi nxjerr një mollë e ua ndaj
Gjysmën atij dhe gjysmën djalit tim.
Komente







