Lindi si një djalosh i thjeshtë me emrin Mustafa në Selanikun osman të vitit 1881, por do të shndërrohej në njeriun që ndryshoi rrjedhën e historisë modernizuese të rajonit. Mustafa Kemal Ataturku, babai themelues i Republikës Turke, vjen tashmë te lexuesi shqiptar në një biografi përfundimtare e të plotësuar.
I përkthyer nga Eduart Caka dhe i botuar nga shtëpia botuese “Fan Noli”, libri “Ataturku” i autorit të njohur britanik Andreë Mango, konsiderohet gjerësisht si vepra më komplekse që heq mitin për të shfaqur njeriun poshtë tij. Mango, ish-drejtues i BBC-së me një njohje të thellë të botës lindore, pikturon një pamje të plotë të ushtarakut që shpëtoi bërthamën turke nga copëtimi dhe instaloi një shtet modern sekular.
“Vepra tjetër që ne kemi në dorë është 'Ataturku' nga Andreë Mango. Andreë Mango ka qenë një gazetar i BBC-së britanike... mbahet biografia më e mirë në botë për Ataturkun. Ai tregon se regjimi dhe sistemi që solli Ataturku ishte kundër fundamentalizmit islamik dhe synonte që të vendoste demokracinë në një vend ish-totalitar siç ishte sistemi osman. Ai u mor me gjithçka në Turqi: me sistemin politik, sistemin ekonomik, me zhvillimin urban e rural, zhduku sulltanatin dhe e futi Turqinë në shinat e zhvillimit modern”, tha botuesi Rexhep Hida.
Vepra është mirëpritur më së miri nga kritikët më të mëdhenj ndërkombëtarë. Historiani Mark Mazoëer e vlerëson si një biografi që për nga ekuilibri e gjithëpërfshirja tejkalon çdo alternativë tjetër, ndërsa Alan Palmer thekson se thellësia e analizës së Mangos e ngre këtë libër në shkallën më të lartë të biografive historike.
Në faqet e këtij botimi, lexuesi do të gjejë jo vetëm faktet e karrierës ushtarake e politike të udhëheqësit turk, por edhe urat e forta të bashkëpunimit e lidhjes historike mes dy popujve tanë.
“Ataturku është një figurë shumë e madhe dhe e njohur. Ne kemi botuar më parë edhe veprën e tij 'Nutuk', fjalimin e famshëm 36-orësh në parlament ku ai paraqiti programin e ardhshëm të qeverisë dhe ku filloi instalimi i një shteti modern turk... Turqia ka qenë dhe mbetet gjithmonë një aleat besnik dhe një mik i ngushtë i shqiptarëve dhe i Shqipërisë. Në çdo rrethanë e vështirësi që ka pasur Shqipëria, Turqia i është gjendur pranë. Marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe atij turk janë më tepër se vëllazërore”, tha botuesi Rexhep Hida.
Për të gjithë studiuesit e historisë dhe adhuruesit e biografive madhore, “Ataturku” i Andreë Mango-s mbetet një lexim i domosdoshëm, një dritare e hapur mbi rënien e një perandorie dhe lindjen e një shteti modern.
Një studim monografik mbi krijimtarinë poetike të Iliriana Sulkuqit vjen për lexuesin shqiptar nga studiuesja dhe autorja Emrije Krosi.
“Iliriana Sulkuqi dhe lirika e saj”, botim i shtëpisë botuese M&B, e vendos poezinë e autores në një hapësirë të gjerë historike, estetike dhe teorike, duke ndjekur zhvillimin e zërit të saj lirik nga periudha e realizmit socialist deri në letërsinë pas viteve ’90.
Përmes një qasjeje ndërdisiplinore, studimi ndalet te raporti mes poezisë dhe ideologjisë, identitetit individual e kolektiv, si dhe te përvoja femërore dhe roli i gruas në shoqëri e në letërsi.
“Është një libër që, në fakt, nuk e kisha në plan ta bëja. Por, duke njohur vullnetin dhe këmbënguljen e saj, vendosa të merrem me gjithë veprën e saj poetike, që është një numër shumë i madh veprash të botuara ndër vite.
Qëllimi im nuk ishte thjesht të shkruaja për Ilirianën si poete dhe si grua. Përmes saj doja të sillja në vëmendje edhe penat femërore në Shqipëri, të cilat janë të shumta, nga Musine Kokalari e deri te poetet e ditëve të sotme”, tha autorja Emrije Krosi.
Në libër, poezia e Sulkuqit shërben edhe si pikënisje për të trajtuar koncepte të letërsisë femërore, feminizmit, kritikës letrare, semiotikës së identitetit dhe raportit mes reales dhe surreales.
Autorja analizon motivet, figuracionin dhe format poetike, duke kërkuar veçantitë që e karakterizojnë lirikën e Sulkuqit dhe vendin e saj në poezinë bashkëkohore shqiptare.
“Iliriana ka një lirikë shumë të përshpirtshme, shumë femërore dhe fine. Ajo i jep shumë vlerë familjes dhe atdheut dhe mbi të gjitha flet për mallin që ka për Shqipërinë. Por ajo nuk është vetëm poete. Ka qenë oficere dhe ka shërbyer në Forcat e Armatosura shqiptare. Sot jeton në Amerikë dhe është edhe një misionare e gjuhës shqipe. Ka ndihmuar në hapjen e shkollave shqipe, në Greqi, në Amerikë dhe në vende të tjera, ndërsa ka kontribuar edhe me libra në gjuhën shqipe. Për mua, ajo është njëkohësisht poete, humaniste dhe një grua e rrallë”, tha autorja Emrije Krosi.
Studimi mbështetet në të gjithë ciklin krijues të autores, nga libri i parë deri te botimet e saj më të fundit. Përmes kësaj vepre, Emrije Krosi synon të shkojë përtej një portreti individual poetik, duke sjellë në vëmendje edhe zhvillimin e poezisë femërore shqiptare moderne dhe postmoderne.
“Unë kam marrë të gjithë ciklin, të gjitha veprat e saj të botuara, që nga libri i parë deri te librat e fundit. Nëpërmjet tekstit të saj kam koduar dhe dekoduar mesazhe të letërsisë moderne shqiptare femërore, por edhe të poezisë postmoderne, ku penat femërore janë të shumta”, tha autorja Emrije Krosi.
“Iliriana Sulkuqi dhe lirika e saj” është një përpjekje për të rilexuar krijimtarinë e një poeteje përmes përvojës personale, identitetit femëror, mallit për atdheun dhe marrëdhënies me kohën dhe shoqërinë.
Një libër studimor që synon të pasurojë edhe diskutimin mbi vendin e grave në historinë dhe kritikën letrare shqiptare.
Një histori për dashurinë e nënës, birësimin, paragjykimet dhe kërkimin e identitetit. “Anjezka”, romani i autores çeke Viktorie Hanisova, vjen në shqip nga shtëpia botuese Ombra GVG, duke sjellë një rrëfim që vendos përballë dashurinë e pakushtëzuar të një nëne dhe nevojën e një vajze për të njohur të vërtetën mbi origjinën e saj.
Në qendër të romanit është Xhulia, një grua e arsimuar, e pavarur dhe e përqendruar te karriera, e cila përballet me pamundësinë për të pasur një fëmijë. Pas divorcit dhe zhgënjimeve personale, ajo merr vendimin të birësojë.
Fëmija që hyn në jetën e saj është Anjezka, një vajzë nga komuniteti rom.
Xhulia e rrit me përkushtim dhe dashuri, duke u përpjekur t’i krijojë një jetë ku të mos i mungojë asgjë. Por, në përpjekje për ta mbrojtur, ajo i fsheh Anjezkës të vërtetën për origjinën e saj.
Dhe pikërisht këtu nis drama e vërtetë e romanit.
“Anjezka është një roman që ka në qendër marrëdhënien nënë dhe bijë. Romani mbahet në gojën e dy personazheve qendrore, të Anjezkës dhe Xhulias. Të dyja kanë rëndësinë e tyre, sepse marrëdhënia e tyre kalon përtej asaj nënë-bijë. Fakti që Anjezka është një vajzë e adoptuar dhe nga komuniteti rom, i shton problematikat e kësaj marrëdhënieje”, tha botuesja Vasilika Tafa.
Me kalimin e viteve, Anjezka nis të kuptojë se diçka nuk përputhet mes saj dhe realitetit që njeh. Fjalët e të tjerëve, paragjykimet dhe pyetjet mbi prejardhjen e saj e shtyjnë drejt kërkimit të së vërtetës.
Adoleshenca bëhet kështu periudha kur përplasja mes nënës dhe vajzës thellohet. Anjezka nuk kërkon më vetëm dashurinë e Xhulias, por kërkon të dijë kush është dhe nga vjen.
“Ky është një roman që jo vetëm do t’ju bëjë të mendoni për marrëdhënien tuaj me vajzat, por edhe për faktin se jo çdo reagim i një adoleshenteje është një rrugë e keqe e marrë prej saj. Ndonjëherë ajo zbulon të vërteta që i duhen për t’u rritur dhe për të krijuar personalitetin e karakterin e saj”, tha botuesja Vasilika Tafa.
“Anjezka” prek edhe një tjetër temë të fortë: paragjykimin ndaj komunitetit rom dhe mënyrën se si shoqëria e trajton dikë që shihet si “ndryshe”.
Përmes historisë së Xhulias dhe Anjezkës, autorja ngre pyetje që shkojnë përtej faqes së librit: çfarë do të thotë të jesh nënë? A mjafton dashuria për të krijuar një identitet? Dhe sa e rëndësishme është që një fëmijë të njohë të vërtetën mbi origjinën e tij?
“Është një libër që të bën të mendosh dhe të reflektosh. Sjell edhe problematika që mund të diskutohen në shoqërinë shqiptare: a duhet trajtuar ndryshe një fëmijë që nuk është i së njëjtës racë apo përkatësi? Këto janë problematika që çdo shoqëri duhet t’i diskutojë”, tha botuesja Vasilika Tafa.
“Anjezka” është një histori mbi dashurinë dhe dhimbjen, mbi nënën që kërkon të mbrojë fëmijën e saj dhe vajzën që kërkon të njohë veten.
Romani është një ftesë për të lexuar, për të përjetuar dhe për të reflektuar mbi familjen, birësimin dhe identitetin.






Komente
Komento