“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Vera, ky nektar i njerëzve dhe i hyjnive” nga Luan Rama, “Bionde” nga Joyce Carol Oates dhe revista “Art e trashëgimi” për trashëgiminë katolike të Shqipërisë. Melodia e Vargut ju sjell vargje nga Nënë Tereza.

LUAN RAMA, AUTOR

“VERA, KY NEKTAR I NJERËZVE DHE I HYJNIVE”, NJË LIBËR ARTI

Titulli: Vera, ky nektar i njerëzve dhe i hyjnive
Autori: Luan Rama
Botues: Albas
Çmimi: 1300 lekë

Ky libër është trajtuar si libër arti, me format të madh dhe me shumë ilustrime qël idhen me verën nëpër historinë njerëzore.

Në pjesën e parë të librit janë udhëtimet e autorit në vendet e prodhimit të verërave më të mira të Francës si dhe një historik i verës në Francë.

Pjesa e dytë është çfarë kanë shkruar për verën mjeshtrit e mëdhenj të prozës letrare dhe si i kanë kënduar verës poetët e mëdhenj botërorë, ilustruar këtu me pikturat e piktorëve më të njohur në historinë e pikturës botërore.

LORETA BERHAMI, BOTUESE

“BIONDE” NGA JOYCE CAROL OATES, HISTORIA E MARILYN MONROE

Titulli: Bionde
Autori: Joyce Carol Oates
Përktheu: Erdi Ibro
Botues: Pegi
Çmimi: 2000 lekë

Ajo ishte ëndrra e çdo burri, por realiteti i askujt. Përpara se bota ta njihte si Marilyn Monroe, ajo ishte Norma Jeane Baker: një vajzë e ndjeshme, e vetmuar me një etje të pashuar për dashuri, vëmendje dhe një vend ku të ndihej e sigurt. Në këtë roman magjepsës, Joyce Carol Oates rindërton me guxim jetën e një prej ikonave më të mëdha të shekullit të kaluar, duke e shndërruar mitin në një histori të thellë njerëzore.

Romani “Bionde” ndjek rrugëtimin e Norma Xhinit që nga fëmijëria e vështirë në jetimoret e Los Anxhelosit deri te shkëlqimi verbues i famës në Hollivud, jetën e një gruaje që jetoi mes ëndrrës dhe ankthit, mes dashurisë dhe shfrytëzimit. Me një gjuhë poetike dhe një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, Oates zbulon çmimin e famës, dhunën e pasionit dhe boshllëkun pas buzëqeshjes që pushtoi botën.

Më shumë se një biografi, “Bionde” është një roman epik dhe i dhimbshëm për identitetin, iluzionin dhe dëshirën që të tjerët të të duan për atë që je. Një vepër e madhe letrare që e shndërron një ikonë të mitizuar në një qenie të gjallë, të brishtë dhe thellësisht njerëzore.

ILDA MARA, DREJTUESE E “ARGJIRO”

TRASHËGIMIA KATOLIKE E SHQIPËRISË NË REVISTËN KULTURORE

Titulli: Art & Trashëgimi (Trashëgimia katolike e Shqipërisë)
Kategoria: Revistë
Çmimi: 3000 lekë

Në kuadër të Vitin Jubilar të Kishës (2025) dhe në përkujtim të 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë, Arqidioqeza Metropolitane Tiranë–Durrës, në bashkëpunim me organizatën “Argjiro”, prezantojnë numrin e dytë të kolanës së dedikuar trashëgimisë së besimeve fetare tradicionale në Shqipëri: “Trashëgimia Katolike e Shqipërisë”, pjesë e revistës kulturore “Art & Trashëgimi”.

Ky botim i posaçëm, me 220 faqe dhe me pjesëmarrjen e mbi 40 kontribuesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, paraqet një panoramë të pasur dhe shumëdimensionale të historisë së katolicizmit në Shqipëri, duke ndërthurur studime akademike, dëshmi historike, art sakral, letërsi, ikonografi dhe reflektime mbi rolin e Kishës Katolike në formimin e identitetit kulturor dhe shpirtëror shqiptar.

Pikat kryesore të botimit janë: Albania Sacra – Histori dhe Hagiografi, duke sjellë reflektime mbi historinë kishtare, figurat e shenjtorëve dhe ndikimin e katolicizmit në kulturën shqiptare.

Autorë: Imzot Arjan Dodaj, Andrea Di Giuseppe, Pjerin Mirdita, Mikel Pllumaj, Italo Sarro, Flavio Cavallini.

Në pjesën lidhur me Urdhërat dhe Tradita Monastike flitet për françeskanët, dominikanët dhe roli i tyre në jetën shpirtërore e kulturore të vendit. Autorë janë Ardian Ndreca, Bernard Caruana.

Në pjesën e tretë, “Kisha në Jetën Kombëtare” trajtohen çështje: Nga Kanuni te arsimi jezuit, nga liturgjia lindore te dëshmitarët e fesë dhe atdheut. Autorë: Donato Martuçi, Ines Murzaku, Markus Ë. E. Peters, Ndue Ukaj.

“Kosova dhe Mali i Zi – Trashëgimi e përbashkët” janë një tjetër pikë e revistës, ku vjen një vështrim mbi Arqipeshkvinë e Tivarit dhe historinë katolike në Kosovë me autor Gjon Berishën.

Në “Prozopografi – Figura të Klerit Shqiptar” flitet për klerikët arbër, figura mesjetare dhe kontributet e tyre në hapësirën iliro-arbërore. Autorë janë Arben Ndreca e Thomas Frashëri.

Në “Arkeologjia e Shenjtë” vijnë studime mbi monumentet mesjetare, gërmimet kishtare dhe ndikimet latine. Autorë të kësaj pjese janë Etleva Nallbani, Helidon Sokoli, Aleksandër Meksi.

Në “Letërsia dhe Identiteti” trajtohet: Nga Mjedja te Pashku, nga Lahuta te letërsia e vjetër shqipe — rrënjët letrare të katolicizmit shqiptar.

Autorë: Sabri Hamiti, Persida Asllani, Dhurata Shehri, Evalda Paci, Mark Marku

Pika e tretë në revistë janë Artet Pamore & Melos-i Katolik me “Fotografia historike, arti shpirtëror dhe muzika sakrale” dhe autorë: Sidi Kanani, Luçjan Bedeni, Robert Prennushi.

Në kopertinën e revistës mund të zbuloni misteret e “Zojes së Shkodrës”, një afresk në fluturim, që lidh Shkodran me Gjenacanin, duke dëshmuar se besimi dhe kujtesa kulturore kapërcejnë kohët, kufijtë dhe perandoritë. Sipas gojëdhënës, një afresk u ngrit në fluturim nga Shkodra e rrethuar dhe u shfaq për mrekulli në Gjenacan më 25 prill 1467.

Ky është numri i nëntë i “Art & Trashëgimi” dhe vjen si një kontribut i çmuar në kuadër të Jubileut 2025, duke ofruar një pasqyrë të thelluar të rrënjëve të krishtera dhe të ndikimit të tyre në kulturën kombëtare. Botimi është rezultat i bashkëpunimit të gjerë mes studiuesve, klerikëve, historianëve të artit dhe intelektualëve nga Shqipëria, Kosova, diaspora dhe qendrat akademike europiane.

Revista gjendet në libraritë në Tiranë: Libraria Valentin, libraria “Tirana Times”, Libraria Adrion, Librari “Tiranabook bookstore”.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Rubrika e poezisë dhuron këtë herë vargje nga Nënë Tereza. Këto fjalë janë një himn për jetën; për rëndësinë, vlerën, madhështinë e saj.

Duaje jetën

Duaje jetën ashtu siç është

të gjithën, plotësisht, pa pretendime;

duaje kur të duan apo kur të urrejnë,

duaje kur askush nuk të kupton,

apo kur të kuptojnë të gjithë.

Kur të gjithë të braktisin,

por dhe kur në qiell të ngrenë si mbret.

Duaje kur të vjedhin gjithçka,

apo kur gjithçka të dhurojnë.

Duaje jetën kur ka kuptim

por dhe kur ngjan se aspak nuk ka.

Duaje në lumturi të plotë

apo në vetminë absolute.

Duaje kur je i fortë,

por dhe nese ndihesh i pafuqishëm.

Duaje kur ke frikë,

apo kur ke një mal guximi.

Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha

e sukseset e mrekullueshme;

duaje edhe për gëzimet e vogla.

edhe pse nuk të jep çka mundet,

edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje.

Duaje sa herë që lindesh

e sa herë ndihesh që je duke vdekur.

Por, kurrë mos duaj pa dashuri.