Titulli: Dollia shqiptare, institucioni shqiptar i mikpritjes
Autori: Sherif Bundo
Lloji: Monografi
Botues: Mediaprint
Çmimi: 1000 lekë
Kush e shpiku për herë të parë dollinë? Askush nuk mund të japë një përgjigje se kur dhe ku. Një gjë është e sigurt: se autori i saj mund të ketë qenë një skraparli, një përmetar, një lab, një mallakstriot, një piluriot, një himariot a ndonjë kolonjar. Ajo lindi, u latua dhe u pasurua në sofrat e këtyre trevave. E veçanta e kodit të dollisë është se ai përbën një vlerë unikale të shqiptarëve e të cilin nuk e gjen askund tjetër. Dhe vlerat nuk duhet të vdesin. Kur ato shkruhen bëhen të pavdekshme dhe arkivohen për t’u ruajtur përjetësisht.
Sipas Bundos, dollia meriton të ketë kujdes dhe vëmendje të institucionalizuar. Është një nga ato vlerat e traditës që e lartësojnë një komb dhe që përbëjnë pa asnjë mëdyshje kode dhe informacione shpirtërore me të cilat zbulon dhe kupton më mirë jetën dhe shoqërinë dje dhe sot. Ajo është pjesë e etnokulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Duke e njohur në detaje dollinë kam bindjen se kemi të bëjmë me vlera që nuk i përkasin një komuniteti apo vendi të kufizuar, edhe pse janë krijuar nga vende, zona apo rajone që nuk janë promovuar dhe njohur gjerësisht në hapësirat botërore. Pikërisht për këto veçori që përçon, dollia meriton të shpallet pasuri e trashëgimisë botërore nën kujdesin e UNESCO-s.
Libri shoqërohet edhe me një manual për dollinë në katër gjuhë: në shqip, në frëngjisht, në anglisht dhe në italisht.
Titulli: Shtatë dritare
Autori: Virion Graçi
Lloji: Roman
Botues: Albas
Çmimi: 1000 lekë
Romani “Shtatë dritaret” është një rrëfim për familjen e autorit, i konceptuar në mënyrë jo kronologjike, por në mënyrë psiko-retrospektive, duke marrë si caqe të botës tri prerje të rëndësishme të kujtesës emocionale: fëmijërinë, vdekjen e parakohshme të babait dhe të tashmen si udhëkryq. Nëpërmjet “gurëve kilometrikë” të kujtesës, autori njëherësh skicon fizionominë shpirtërore të epokave përkatëse nëpërmjet vetes e familjarëve të tij, duke i parë si objekte e subjekte të shoqërisë shqiptare në kuptimin më të gjerë të fjalës, me dramacitetin e tyre, me tiparet individuale, me kthesat e befasishme të fatit në një vend politikisht eksperimental dhe aventuresk, ku liria, dinjiteti, idealet dhe shpresat zhvlerësohen, thyhen, nëpërkëmben. Mënyra e të rrëfyerit afron dhe njëson lexuesin me personazhet dhe përjetimet e tyre, duke zbuluar më shumë sesa një sagë familjare: peizazhin shqiptar ndërmjet dy shekujve të fundit.
Titulli: Gjenocidi serb kundër shqiptarëve gjatë shek. XIX-XX
Autori: Grup autorësh
Lloji: Studimor
Botues: Instituti i Historisë “Ali Hadri”- Prishtinë
Çmimi: 1000 lekë
Disa muaj më parë, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Historisë në Tiranë dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë organizuan Konferencën Shkencore “Gjenocidi serb kundër shqiptarëve gjatë shek. XIX-XX”. Rezultatet shkencore mbi këtë temë u paraqitën nga mbi 60 studiues nga trevat shqiptare. Kumtesat ofruan të dhëna me interes lidhur me temën bosht, ndaj dhe rezultatet e konferencës u botuan në këtë vëllim të veçantë studimor.
Ky botim plotëson dhe pasuron fondin e historiografisë shqiptare dhe më gjerë, ngase secili punim sjell interpretime dhe rezultate të reja shkencore, të dobishme jo vetëm për qarqet shkencore, lidhur me gjenocidin ndaj shqiptarëve në përgjithësi gjatë shekujve XIX, XX dhe në fillim të shekullit XXI, e me theks të veçantë ndaj popullit shqiptar në Kosovë në fund të shekullit XX.
Ky libër me kumtesat më të zgjedhura mund t’i ofrohet në anglisht edhe publikut të huaj, si dëshmi se shqiptarët gjatë gjithë kohës kanë qenë viktima dhe jo agresorë.
Për një hark kohor relativisht jo të gjatë, prej vitit 1912-1915, në zhvillimin e luftërave ballkanike dhe asaj të parë botërore, popullsia shqiptare u përgjysmua nga dhuna dhe dëbimet masive.