'Në Librari' vjen me tre tituj të rinj: ' Znj. Osmond', 'Sikur t’isha djalë' e 'Filli i padukshëm'! 'Melodia e Vargut' ju sjell 2 poezi të njohura të poetit turk Nazim Hikmet

 “Znj. Osmond” nga John Banville, “Sikur t’isha djalë” nga Haki Stërmilli dhe “Filli i padukshëm” nga Patrice Karst janë titujt e rinj që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

“ZNJ. OSMOND”, NJË KËRKIM DHE UDHËTIM DREJT LIRISË FEMËRORE
GRANIT ZELA, PËRKTHYES
Titulli: Znj. Osmond
Autori: John Banville
Përktheu: Granit Zela
Shtëpia botuese: Albas
Çmimi: 1400 lekë

Znj. Osmond, romani i autorit irlandez John Banville, mbështetet në një nga romanet më të mëdha të shek. XIX, te “Portreti i një zonje” (1881), të autorit amerikano-britanik Henry James. Banville në këtë roman bën një kërkim të mprehtë në psikologjinë femërore dhe një portret të jashtëzakonshëm të SHBA-së dhe Europës.
Protagonistja Izabel Osmond, një trashëgimtare e re dhe e bukur amerikane, vendos të ndërmarrë një udhëtim në Europë, pasi zbulon se bashkëshorti i saj, Gilbert Osmond, është martuar me të për pasurinë e saj. Izabela udhëton në Paris, Romë dhe Firence, në kërkim të vetvetes dhe lirisë së saj. Më në fund takohet me Osmondin për t’u përballur me të. Përpara alternativave të ndryshme për të ardhmen, Znj. Osmond ka ndër mend ta përdorë pasurinë “për të blerë lirinë e saj”.

“SIKUR T’ISHA DJALË”, RIBOTOHET NDRYSHE VEPRA E STËRMILLIT 
MIRANDA GOLECI, BOTUESE
Titulli: Sikur t’isha djalë
Autori: Haki Stërmilli
Shtëpia botuese: M&B
Çmimi: 1000 lekë

Botuar për herë të parë në vitin 1936, Sikur të isha djalë është bërë klasiku modern i letërsisë shqipe. Romani rrëfen në formën e një ditari përpjekjen e një vajze për t’u çliruar nga shoqëria patriarkale dhe për t’u arsimuar, një temë jashtëzakonisht përparimtare për kohën kur romani u shkrua. Ky roman rivjen për lexuesit në një botim tepër të veçantë. Libri është vetëm një ndër librat e Haki Stërmillit që vijnë të botuar nën siglën e shtëpisë botuese “M &B”.

Siç vërehet në parathënien e këtij botimi, “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit është një nga romanet më të lexuar, në mos më i lexuari, në hapësirë shqiptare, nëse i referohemi një sociologjie të leximit.

Ngjan se shoqëria jonë duket se që nga koha e Dijes së Stërmillit e deri më sot ka ndryshuar dukshëm vetëm formën e saj, dukjen pra, pa arritur të ndryshojë marrëdhëniet thelbësore kundrejt gruas, marrëdhënie të cilat janë përcaktuese për qytetërimin dhe emancipimin e njëmendët bashkëkohor. 

“Sigurisht që vlerat artistike të këtij romani, në fazën e brishtë të formësimit të prozës sonë të gjatë si zhanër letrar, kanë virtytet e padyshimta artistike, ende të pazbehura nga koha: forma e shkrimit intim në formë ditari, ankthi e ngazëllimi i pasqyruar me natyrshmërinë e kreshpërimit të ndjenjave dhe përjetimeve, diskurset e shpeshta meditative që shtrohen dhe sidomos shestimet e gjykimet që ngre heroina, gjejnë paralele ende të plota në psikologjinë e motrave të sotme moderne të Dijes.”

“FILLI I PADUKSHËM”, NJË RRËFIM PËR DASHURINË QË NA BASHKON
Autori: Patrice Karst
Ilustruar nga: Joanne Leë-Vriethoff
Përktheu: Loreta Bërhami Sardou
Shtëpia botuese: Pegi
Çmimi: 600 lekë

Kur mami u tregon dy fëmijëve se të gjithë jemi të lidhur nga një Fill i Padukshëm, atyre nuk u besohet.  “Është e pamundur!”, këmbëngulin ata.  Megjithatë, janë kureshtarë të dinë se “Çfarë lloj filli është ky?" 

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e vërteta e mirëfilltë që na lidh të gjithëve. Ekziston një fill i padukshëm dashurie, të cilin megjithëse nuk e shohim dot, mund ta ndiejmë në thellësi të zemrës. Atëherë e dimë që jemi gjithmonë të lidhur me ata që duam. 

Këtë klasik bashkëkohor të hareshëm e kanë lexuar njerëz nga të gjitha moshat; lexues të panumërt kanë gjetur tek ai qetësi e shërim, duke ua lehtësuar ankthin e ndarjes, vetminë dhe humbjen. Ata kanë ndier lidhjet e pashkëputshme që ekzistojnë midis njerëzve. 

Siç vëren “The American Academy of Pediatrics”, “Në kohët e pasigurta që jetojmë sot, ky libër përcjell një mesazh tepër bindës se ndonëse mund të jemi larg njerëzve të dashur, dashuria është lidhja e pafundme që na bashkon të gjithëve.”

MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha

"Melodia e Vargut" përcjell vargje te poetit dhe shkrimtarit turk Nazim Hikmet.
Nazim Hikmet u lind në Selanik në 1901 dhe ndërroi jetë në Moskë në vitin 1963.

Poezitë e tij janë të njohura, të dashura e të lexuara në mbarë botën për shprehjen e dashurisë dhe formën e humanizmit me të cilën janë shkruar. Hikmet arrin të depërtojë thellë në shpirt edhe për faktin se ai, me gjithë jetën e ndërlikuar, e vlerëson dhe dashuron atë, mbi të gjitha në gjërat më të vogla që ajo dhuron.

Ky fakt ndihet qartë në një ndër lirikat më të njohura të tij me titull "Jetës", një himn për bukurinë dhe vlerat e saj.

Një ndër poezitë më të vlerësuara është dhe ajo me titull:
"Më i bukuri i deteve",  e cila në mënyrë të thjeshtë transmeton mesazhin se shpresa mbetet gjithmonë prijëse e ardhmërisë. Këto vargje janë një thirrje për të mos rreshtur kurrë së ëndërruari e shpresuari se e nesërmja do të jetë më e mirë.

Më i bukuri i deteve
Êshtë ai që ende
Nuk e kemi lundruar.
Më i bukuri i fëmijëve tanë
Nuk është rritur akoma
Më të bukurat e ditëve tona
Ende nuk i kemi përjetuar
Dhe atë që desha të të them,
Më të bukurën nga të gjitha,
Nuk ta kam thënë akoma.

Vargje të tjera të forta janë dhe ato me titull
"Mbi të gjitha njeriu" që ia dedikon të birit me të cilin regjimi nuk e lejonte të takohej.
Bën përshtypje se si edhe në dhimbje, Nazim Hikmet nuk e humb asnjëherë besimin te njeriu dhe jeta.

Mbi të gjitha njeriu
(Letër të birit)
Mos e jeto këtë jetë si një i huaj
Apo si endacak ëndërrimtar.
Jeto në këtë botë
Sikur të ishte shtëpia e atit tënd:
Beso te gruri, toka, deti
Por mbi të gjitha beso te njeriu.
Dashuroji retë, makinat, librat,
Por mbi të gjitha dashuro njeriun.
Ndieje trishtimin e degës që thahet,
Të yllit që shuhet
të kafshës së sëmurë
Por para së gjithash
Trishtimin, dhimbjen e njeriut. 
Të dhënshin gëzim
Gjithë mirësitë e tokës
Hija dhe drita
Katër stinët të dhënshin gëzim.
Por mbi gjithçka e duarplot
Të dhëntë gëzim njeriu.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 24 Mars, 23:36

    Zgjedhjet e 11 majit, a i besoni premtimet e partive?



×

Lajmi i fundit

Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët

Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët