Titulli: “Vitet”
Autore: Annie Ernaux
Shtëpia Botuese: “Dudaj”
Çmimi: 1400 lekë
Të gjithë kohën dhe ngjarjet që ka jetuar, nga 1940 me lindjen e saj, nobelistja franceze e Letërsisë Annie Ernaux i përmbledh në librin “Vitet”. I konsideruar si një nga kryeveprat e saj, botimi vjen në shqip nga përkthyesja Klarita Lagji. Kujtime personale, përshkrime fotografish, që gërshetohen me një sfond historik e rrëfim të ftohtë, i sjellin “Vitet” si një kronikë të botës, prej post Luftës së Dytë Botërore, duke reflektuar pa justifikuar çka ngjarë edhe gërryerjet e katastrofat historike. “Vitet” është konsideruar nga kritika si një nga librat më esencialë të letërsisë bashkëkohore.
Titulli: “Shteti dhe komunitetet fetare 1948-1950”
Autorë: B.Meta & A.Krasniqi & H.Bello
Botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike
Botimi “Shteti dhe komunitetet fetare 1948-1950” sjell për herë të parë përmes dokumenteve arkivore se si nisi saga e besimeve fetareve që e bëri Shqipërinë gjatë viteve 1967-1989 të vetmin vend Evropian, që ndaloi me Kushtetutë besimin. Libri jep hap pas hapi përgjatë dy viteve, si u mbikëqyrën komunitetet fetare, përmes strukturës së posaçme Komiteti për Çështjet Klerikale pranë Këshillit të Ministrave.
Titulli: “Tipografia shqiptare 1555-1912”
Autor: Yll Rugova
Shtëpia Botuese: “Varg”
Çmimi: 5 euro
Tipografisti Yll Rugova bën një studim disa vjeçar mbi historikun e shkronjave, shtypshkronjave dhe alfabeteve të gjuhës shqipe. E përmbledh hulumtimin e tij me zanafillë Mesharin e Buzukut deri në shpalljen e Pavarësisë, në librin “Tipografia shqiptare 1555-1912”. I ndarë në tri pjesë libri jep një panoramë të veprave e autorëve të parë, procesit të lindjes së alfabeteve shqip dhe shtypshkronjat e para. Në libër shpjegohet procesi i gdhendjes së germave shqip, që përfshin emra si Pjetër Budi në Itali deri tek Sami Frashri në Stamboll.
Komente






