Opozita vijon të mbajë qëndrime të ashpra dhe akuzuese ndaj faktorit ndërkombëtar dhe veçanërisht ndaj SHBA-ve, që kanë shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, ky i fundit prej një viti në “arrest shtëpie” nga SPAK dhe GJKKO, për aferën e dosjes “Partizani”, me akuzën “korrupsion pasiv”.
Madje pak ditë më parë ishte Adriana Kalaja që nga protesta e radhës para Bashkisë sulmoi të dërguarën e SHBA-ve në Shqipëri, në Ambasadën Ameriken, duke hedhur akuza për korruptim dhe quajtur “Shoqja Laja”.
Por ndryshe ndodh në ‘oborret institucionale’. Teksa në mbrëmje Berisha mban fjalime duke i akuzuar si të korruptuar ndërkombëtarët, gjatë orarit zyrtar deputetë të PD-së takohen me përfaqësues të huaj të akredituar në Tiranë. Madje të shkojnë në selinë diplomatike sapo thirren.
I tillë si rasti i sotëm (1 Nëntor), kur e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Ambasadën Amerikane, Nancy VanHorn, ka thirrur në një takim Eduard Shalsin nga PS dhe Sorina Kotin nga PD.
“E ngarkuara me punë, Nancy VanHorn, pati një takim të parë frytdhënës me kryetarin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Eduard Shalsi dhe zëvendëskryetaren Sorina Koti. Ata biseduan për mënyra se si Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria mund të bashkëpunojnë për çuarjen përpara të politikave ekonomike, përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve, si dhe nxitjen e tregtisë dhe investimeve amerikane në Shqipëri”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës në rrjetin social X.
Kujtojmë se Sorina Koti është përfaqësuese e PD-së në komision dhe njëkohësisht deputete.
“Znj. VanHorn vlerësoi përkushtimin e komisionit ndaj synimeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak”, thuhet në një reagim të Ambasadës amerikane.
Teksa në mbrëmje (disa orë më pas) pritet nëse ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij do lëshojnë akuza ndaj SHBA-ve dhe ndërkombëtarëve nga ballkoni dhe rruga ku mblidhen çdo natë prej gati një viti.