Atë ditë të gjithë mbetëm të mpirë. Pa fjalë. Të nemitur. Shifra 13 e viktimave na e shtoi hutimin dhe rrëqethjen si karshillëk dhe triumf i tersit. Atë ditë vdekja, edhe pse neve nuk na mori, na preku të gjithëve. U pamë sy më sy me të. Në jetë e sipër rrallë e shohim atë kaq afër, sepse është e padukshme. E dimë që ekziston dhe na ndjek në çdo hap, por mendjen nuk ia vlen ta mbajmë tek ajo. Kurse ajo nuk na harron. Është inatçore e egër. Godet e këput jetë verbas pa asnjë logjikë. Pa radhë. Pa rregulla. Pa ligje nga ato që krijojnë bashkësitë njerëzore. Një të tillë thuhet se e kanë eskimezët. Në muajt më të ftohtë të vitit ata struken brenda disa “shtëpizave” me mure akulli, me shumë pak ushqime brenda, në pritje të pranverës. Meqë ushqimet nuk mjaftojnë, rregulli i vendosur me mirëkuptim e do që më i moshuari i tyre del vullnetarisht jashtë që të vdesë në ngricë për t’ua lënë racionin e tij më të rinjve. Që kështu jeta të sigurojë vazhdimësinë. Mirëpo në katastrofën e 22 majit pranë Himarës ky rregull u shpërfill. Vdekja zgjodhi lulen e jetës, rininë. Edhe pse goditjet e vdekjes te njerëzit nuk ka pse të na habisin sepse ajo është mbretëresha e pashkurorëzuar e fatit tonë final, ajo çka qe shokuese në këtë katastrofë ishte aftësia makabre e saj për të këputur kaq shumë filiza njomëzakë njëherësh. Kjo na la pa gojë. Plot 13 filiza me lëng jetësor, me sharme, me virtyt dhe ëmbëlsi të papërshkueshme! Vashëzat letrare ikën përgjithnjë dhe morën me vete pa kthim libra, romane, tregime të pabotuara, të ruajtura në mendjet dhe zemrat e tyre, morën studime, teza dhe doktoratura të projektuara. Morën me vete edhe dhjetëra e dhjetëra vogëlushë, fëmijë të bukur që ato do të lindnin. Çka mund pas kësaj gjëme të na ngushëllojë? Dhe vetë fjala “ngushëllim” u shqiptua këto ditë me shumë “uuu” të zgjatura brenda…
Ligji i tretë…
Por, fatmirësisht, nëse vdekja nuk ka rregulla dhe ligje, natyra dhe njerëzit ato i kanë. I kanë krijuar diktuar nga nevoja. Një nga ligjet universale është ai “goditje-kundër-goditjes”. Ai thotë se sa më e madhe forca me të cilën godit diçka, po aq e madhe është edhe forca kundërgoditëse që lind prej saj. Atë ditë pas goditjes fatale të fatit, banorët e Himarës, kalimtarët e ndodhur pranë aksidentit, qeveria, bashkia, policia, ushtria, mjekësia, komunikacioni ajror, telefonia, madje edhe vetë vajzat e aksidentuara u bën spontanisht grusht bashkë kundër mynxyrës së pashembullt.
Pas rrëzimit të autobusit në humnerë çudia nuk ishte me aksidenti. Çudia u bënë vajzat e përgjakura të shtypura nën hekurishtet e autobusit, që u luteshin shpëtimtarëve të mos merreshin me to, por të nxitonin të ndihmonin shoqen pranë që “është më rëndë se mua”. U bënë banorët himarjotë të Bregut afër ngjarjes që vrapuan si të thirrur me një kod të fshehtë, të lashtë, dhe mbartnin nxitimthi cili më shpejt se tjetri në shpinë engjëlloret e lënduara. U bënë pilotët e helikopterëve që rrezikuan disa herë jetën pa u trembur me shpresë të shpëtonin sa më shumë jetë. Çudia u bënë dhuruesit vullnetarë të panumërt të gjakut që prisnin në radhë në Elbasan, në Vlorë dhe personeli mjekësor i Vlorës, Tiranës, Sarandës, Spitalit Ushtarak, që në atë mynxyrë të zezë harruan veten, familjet dhe u bënë edhe ata me plagë e me njolla të kuqe gjaku mbi bluzën e bardhë. Solidariteti impresionues njerëzor, gatishmëria e lartë institucionale, humanizmi i pashoq qytetar, që u patën hamendësuar ose edhe akuzuar jo rrallë si të humbura apo të zhdukura në Shqipëri, befas dolën nga padukshmëria dhe u bënë drita e bardhë e asaj dite të zezë. Të tria këto vlera janë pasuri kombëtare e pashoqe. Janë “kapitali ynë social” ose, e thënë ndryshe, aftësia e popullatës për të bashkëvepruar vullnetarisht me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare për gjëra të shtrenjta me interes të përbashkët shoqëror dhe kombëtar.
Atë ditë Shqipëria humbi 13 jetë, por fitoi nder sa për 130 vjet. Qoftë vetëm me këtë akt reagimi të civilizuar ajo e kaloi testin për t’u bërë pjesë integrale e merituar e qytetarisë europiane. “Shkarkimi elektrik prej rrufeje” i ngjarjes u duk sikur shkriu në ato çaste tragjike të asaj dite të gjitha barrierat e vockla individualiste që na ndanin. Dhe saldoi etikën tonë të re të një bashkësie të civilizuar që funksionon bazuar në respektin, solidaritetin, ndihmën dhe dhembshurinë për njëri-tjetrin. Besoj se nuk do të kalojë shumë dhe banorët e Himarës e të Bregut, të shquar për shpirtin poetik e burrnor, do të memorizojnë në këngët e tyre me ison karakteristike elegjike të zgjatur tragjedinë e paharruar të kësaj “ditë-nate”. Në të do të shprehet jo vetëm dhimbja e thellë e pashërueshme e humbjes së vashave engjëllore, por edhe falënderimi ynë për to. Sepse me fatkeqësinë e tyre ato na bënë të njohim më mirë, na bënë ta duam më shumë e ta vlerësojmë më tepër njëri-tjetrin.
Drita e rrufesë
Në këtë kob ndodhi edhe diçka tjetër e dobishme lidhur me mjekësinë. Njerëzit e patën rastin ta shikonin atë në një këndvështrim tjetër dhe ta njohin më nga afër dhe pa paragjykime. Kjo falë efektit të “rrufesë”. Në pak fraksione të sekondës drita e “rrufesë” ndriçon më qartë gjithçka. Katastrofa të tilla si kjo apo ajo e Gërdecit, ose përmbytjeve apo tërmeteve, kanë qenë për mjekësinë tonë si “rrufetë” e papritura që me dritën e vetëtimës së tyre u kanë ndriçuar njerëzve anë të panjohura mirë prej tyre. “Drita” e ngjarjeve të tilla tragjike bën që bluzave të bardha t’u shquhet më mirë e më vërtetësisht e bardha e tyre e pastër e panjollosur. Gatishmëria e përhershme në ndihmë të atyre që aksidentohen, ndenja e lartë e përgjegjësisë, e organizimit, e bashkëpunimit ndërsektorial, e kompetencës profesionale, e humanizmit dhe e shpirtit të sakrificës që e karakterizojnë mjekësinë si profesion, dalin në këto raste më të dukshme në dritë. Njerëzit gjatë tyre kanë rastin edhe të rishikojnë me një sy tjetër për çka mund të kenë thënë ose menduar në emocione e sipër në këto vite tranzicioni për mjekët dhe mjekësinë tonë në përgjithësi. Rastet e fatkeqësive të tilla të mëdha u kanë dhënë atyre mundësinë të binden që humanizmi i mjekëve tanë kurrsesi nuk ka humbur. Ai në të tilla episode, përkundrazi, ka shkëlqyer. E vërteta është që përgjithësisht “mjekësia e urgjencës”, apo “mjekësia e katastrofave” është në këtë drejtim më me fat. Ajo, duke qenë shpëtimtare e jetës, është e mbushur me famë dhe lavdi. Në të gjithçka kryhet me ritëm marramendës të shpejtë, me përpikëri të lartë profesionale, por edhe me guxim e kreativitet. Për vetë natyrën dhe rrethanat e saj ajo merr pa fund mirënjohje dhe falënderime të përzemërta prej njerëzve. Por, natyrisht, ndodh edhe të marrë decepsionet dhe dhimbjen shpirtërore të humbjes së jetës të pashpëtueshme. Kurse me më pak fat është “mjekësia tjetër”. Ajo e përditshmja, që merret me sëmundjet kronike, e sidomos me lëngatat e pashërueshme. Ajo nuk ka asgjë heroike, përkundrazi, rrjedh kryesisht monotone e prozaike. Në dy dekadat e fundit ajo, me ose pa të drejtë, ka ndodhur të jetë antenamuar, përgojuar e keqgjykuar, ose e keqinterpretuar nga qytetarët e pacientët. Sepse është e ngadaltë, e stërzgjatur në veprimet e saj pa ritmin, as eficiencën e mjekësisë së urgjencës. Për fat të keq, ajo nuk mundet të shërojë përfundimisht ose të rikthejë në jetë. Si e tillë, është më pak e vlerësuar dhe më lehtë e qortueshme nga qytetarët. Por, në të vërtetë, veprimtaria e saj është esenciale dhe jetësore. Sepse sëmundjet kronike përbëjnë barrën kryesore dhe të përditshme të një sistemi shëndetësor. Këto sëmundje, duke mos u shëruar dot rrënjësisht, kërkojnë mjekim e kujdes jo në çast, as në një ditë a dy, por gjatë gjithë jetës së të sëmurëve. Ky ndërveprim i stërzgjatur pa efekt spektakolar ose me efekt të dobët e të paqëndrueshëm, është i mundimshëm, i vështirë, i lodhshëm, dhe jo shpërblyes për të dyja palët, si për ofruesit e kujdesit, ashtu dhe për përfituesit e tij. Prandaj kërkohet e synohet mirëkuptim i dyanshëm. Mjekësia e sëmundjeve kronike, nëse u lihet në dorë vetëm profesionistëve bluzebardhë, nuk mund ketë sukses spektakolar. Ajo kërkon domosdoshmërisht bashkëpunimin dhe kontributin aktiv të vetë të sëmurëve dhe familjarëve të tyre në procesin mjekues shumë të gjatë. Tragjedia e fundit dëshmoi se edhe te ne potenciali i bashkëpunimit të frytshëm mjekësi – popullatë ekziston. Ai vetëm duhet shndërruar mbi një platformë strategjike nga episodik në element kulturor të kultivuar. Megjithatë, duhet thënë se si profesion dhe mision në shërbim të shëndetit dhe jetës njerëzore, si mjekësia e urgjencës, edhe ajo e rutinës, janë një e vetme. Ajo funksionon me të njëjtat principe, vlera etike, humane dhe shkencore, pavarësisht nga fushat dhe rrethanat ku vepron. Si e tillë duhet vlerësuar, gjykuar dhe mbështetur nga pacientët dhe shoqëria jonë.
Koha për një standard të ri
Tragjedia e fundit nxori në pah edhe nevojën e një standardi të ri. Atë të mënyrës së informimit mediatik të publikut lidhur me aspektet shëndetësore të pacientëve në përgjithësi. Natyrisht, publiku është i interesuar të dijë gjithçka rreth ngjarjes. Dhe dihet që media, si metaforë është “përbindësh i dobishëm” që ushqehet me lajme. Tragjeditë e katastrofa të tilla janë “mjalti” i saj, ku ajo vërsulet menjëherë. Mediat janë të interesuara dhe e kanë mision që të pasqyrojnë imtësisht dhe gjerësisht për publikun gjithçka rreth një ngjarjeje të tillë befasuese. Por, disa standarde të kohës së sotme në mbrojtje të të sëmurëve kërkojnë që gjithçka duhet të ndalet në nivelin e “personit pacient”.
Në momentin që pacienti apo i aksidentuari merret në dorë nga bluzat e bardha brenda institucioneve shëndetësore, ai vihet menjëherë nën mbrojtjen e tyre dhe duhet t’i sigurohet konfidencialiteti i plotë lidhur me situatën e tij trupore dhe shëndetësore. Informata për to i jepen vetëm të sëmurit ose të aksidentuarit vetë, ose familjarëve shumë të afërm të autorizuar prej tij. Të drejtat e konfidencialitetit shëndetësor dhe privatësisë së pacientëve janë të shpallura në Kartën e të Drejtave të Pacientëve Shqiptarë të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Ato janë të shenjta dhe duhen respektuar domosdoshmërisht me metikulozitet.
Është e papranueshme që në sallën e reanimacionit apo edhe në shtratin e pavijonit kur të sëmurët ende të plagosur, të paqetësuar janë të parestauruar, të sulmohen nga mikrofonat, aparatet fotografike dhe kamerat. Pavijoni spitalor është tempull i jetës dhe i shpresës. Si i tillë, nuk mund të hyjë në të kushdo dhe kur do. Të sëmurët kanë të gjitha të drejtat pasi dalin nga institucioni shëndetësor të tregojnë gjithçka nëse e dëshirojnë vullnetarisht. Por, sa kohë janë të sëmurë, të shtruar brenda një institucioni shëndetësor të cilit ia kanë besuar jetën dhe shëndetin e tyre, duhet të respektohen dhe të mbrohen si të tillë. Spitalet ku ata janë shtruar duhet të garantojnë pacenueshmërinë e qetësisë së tyre fizike, mendore dhe shpirtërore. Institucioni vetë mund të japë sipas rrethanave informacion publik apo mediatik me buletine të posaçme të përditësuara për evolucionin e gjendjes së përgjithshme shëndetësore, qoftë kjo drejt përmirësimit, shërimit, përkeqësimit, transferimit të tyre në një spital tjetër brenda a jashtë vendit, apo edhe vdekjes, por pa dhënë hollësira të diagnozës dhe duke evituar sidomos të dhënat me karakter sekret personal të pacientëve. Publiku mund të informohej në rastin e fundit nëse kanë dalë apo jo vajzat nga rreziku jetësor, por jo për detaje shëndetësore të tilla se sa mushkëri, veshka apo vezore i mungojnë kësaj apo asaj vajze të aksidentuar që po mjekohet, se sa prej tyre janë goditur në kokë, cilës i ka plasur shpretka, cilës mëlçia, cila kockë apo formacion u është thyer e sa rëndë u është dëmtuar. Aq më pak duhet të dinë çfarë problemesh mendore e psikologjike përjetojnë ato sot dhe se si mund të projektohen këto në prognozat e invalidizimit ose kufizimit të aftësive të tyre në të ardhmen! Të gjitha këto përbëjnë sekrete të kartelës mjekësore, të cilat institucioni i ruan me fanatizëm dhe media nuk duhet as t’i kërkojë, e aq më pak t’i transmetojë. Nëse sot po bëhet mrekullia për t’i ndihmuar dhe shëruar këto vashëza engjëllore, nuk duhet kurrsesi të cenohen sadopak pa dashje e ardhmja e lumtur që ato meritojnë si bashkëshorte dhe nëna të nesërme. Shoqata e gazetarëve që mbulojnë me prioritet shëndetësinë, me siguri do të dijë të reflektojë pozitivisht lidhur me nevojën e vendosjes së këtij standardi të ri informues.
Epilog
Ato që humbëm e dimë që nuk do të kthehen. Ajo që mbeti dhe do të na rëndojë për shumë kohë të gjithëve është dhimbja. Ajo që na ngushëllon është se rrufeja që ra shumicën e filizave fatmirësisht nuk i dogji dot. Ajo që shpresojmë është mësimi. Nga secili. Që kobe të tilla të mos përsëriten më asnjëherë.
Marre nga Panorama
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com