Në perëndim Shqipëria po cilësohet si Eldorado e bimëve mjekësore

Në perëndim Shqipëria po cilësohet si Eldorado e bimëve mjekësore

Foto ilustruese

Paniku i përhapur nga Covidi 19 po i bën shumë njerëz në Perëndim që t’i kthejnë sytë drejt mjekësisë alternative, ose ndryshe drejt mjekësisë së ashtuquajtur popullore.

Është fakt i njohur se afro 30 përqind e europianëve dhe amerikanëve nuk u zëjnë besë vaksinave të prodhuara për të penguar përhapjen e pandemisë të shkaktuar nga virusi Covid 19. Aq sa sot qeveritë po diskutojnë për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm për të gjithë !

Në këtë klimë frike dhe mosbesimi vëmendja po kthehet drejt mjekimeve që dikur përbënin mjetin e vetëm të shërimit ndaj infeksioneve dhe parazitëve të ndryshëm.

Siç ka qënë mjekimi me bimë. Përgjatë shekujve kjo ka qënë njëra nga mënyrat më të përhapura dhe më të suksesshme në mbarë botën.  Sidomos në vendet e varfëra ku dikur edhe aspirina ishte e vështirë të gjendej.

Interesimi rreth ndikimit të bimëve mjekësore në shëndetin e njeriut nuk ka qënë veçori vetëm e njerëzve të zakonshëm apo e murgjëve nëpër manastire, por deri edhe e firmave më të njohura farmaceutike ndërkombëtare.

Që në kohët e lashta njerëzit kishin vërejtur psh se mbllaçitja e lëvores së shelgut apo edhe e gjetheve të tij, qetësonte dhimbjet në organizëm. Në një papirys egjyptian të 3570 viteve para erës sonë përshkruheshin vetitë e lëvores së shelgut.  « Babai » i mjekësisë, Hipokrati, (460 – 370 para erës sonë) mësonte se si mund të përgatitej një bar shërues nga lëvorja e shelgut të bardhë si mjet efikas kundër dhimbjeve dhe temperaturës.

Por u deshën të kalonin mbi 3000 vjet deri në vitin 1899 kur firma e njohur gjermane « Bayer » arriti të prodhonte në mënyrë sintetike përbërësit e lëvores së shelgut, duke krijuar kështu për herë të parë « Aspirinën » e aq shumënjohur dhe aq shumë përdorur sot në mbarë botën.

Një përvojë të tillë shumë njerëz dhe laboratore farmaceutike ndërkombëtare po përpiqen ta rivëjnë përsëri në jetë edhe ndaj Covid-it 19. Vëmendja po drejtohet përsëri ndaj efekteve çudibërëse të fitoterapisë, siç njihet në gjuhën shkencore kurimi i sëmundjeve me anë të bimëve mjekësore. Në mënyrë të veçantë, kohët e fundit, interesimi  është përqëndruar veçanërisht drejt Shqipërisë.

Vetëm gjatë këtyre ditëve të fundit kanë qënë disa stacione televizive dhe gazeta të përditshme perëndimore që  i kanë kushtuar reportazhe të tëra potencialit fitoterapik të vendit tonë.

Pol Malo psh reportazhin e tij në Consoglobe e titullon : »Shqipëria- Eldorado europiane e bimëve medicinale”.

 “Megjithëse Shqipëria nuk ka prodhuar asnjë lloj vaksine kundër Covid-it, ajo ka pjesën e vet në luftën kundër pandemisë falë përdorimit të bimëve të saj mjekësore nga industritë farmaceutike ndërkombëtare me 14 mijë tonët që ajo eksporton sa në Europë, aq edhe në Amerikë”, – theksonte këto ditë në reportazhin e tij  kanali “Franceinfotv”.

Ndërsa kanali frankofon belg, RTBF, në reportazhin e tij kujtonte se Shqipëria është një vend i “përmbytur” nga lëndinat shumëngjyrëshe me aroma parfumi.

Sherebelën, kamomilin, luledelen, aguliçet, lavandën, rigonin, boronicat etj etj i gjen an e kënd Shqipërisë. Dhe më e mira është se ato janë prodhime bio, që mbijnë në koriet dhe lëndinat e vendit pa u ndotur nga pesticidet dhe plehrat kimike, – pohohet në masmediat perëndimore.

Ndërsa agjencia e njohur franceze e lajmeve AFP, në shkrimin e saj publikuar jo më larg se më 6 korrik të këtij viti,  merr shembullin e Drane Cukajt, 91 vjeçe, nënë e 9 fëmijëve dhe 40 nipërve dhe mbesave. “Ajo gëzon shëndet të plotë sepse pi çdo mëngjez një çaj me sherebelë” – vë në dukje media e njohur franceze.

Nga ana e saj radio zvicerane RTS nënvizon se në Shqipëri gjenden rreth 300 bimë mjekësore. Mbi 100 000 shqiptarë i janë kushtuar grumbullimit të këtyre bimëve, – pohohet në emisionin e radios helvetike.

Në shkrimin e saj botuar në BBC Travel, britanikja Elisabeth Gowing flet për mundësitë e mëdha financiare që u ofron grave shqiptare grumbullimi i bimëve mjekësore. “Ato kishin lëkurë të pastër dhe të bardhë. Ndofta nga puna me bimën e njohur me emrin latin si primula veris, (aguliçja) që kompanitë e huaja e kërkojnë aq shumë”, –  pohonte ajo ndër të tjera te BBC Travel.

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit kërkesa e vendeve perëndimore për bimët mjekësore nga Shqipëria është shtuar si kurrë më parë – vëren po ashtu portali “France 24”.

Një tjetër portal, “Direct Media” përshkruan entuziazmin dhe bindjen e herbologes  Valentina Petova që ka një farmaci bimësh mjekësore në qëndër të Tiranës.

Sipas Petovës, pasi kanë provuar dhe riprovuar barnat mjekësore që u japin mjekët dhe farmacistët, gjithmonë e më shumë njerëzit po u kthehen metodave tradicionale. “Bimët mjekësore – kanë një traditë në vendin tonë. Ne jemi kuruar me to prej qindra vjetësh. Kjo është pjesë e trashëgimisë sonë” – pohon me krenari për median e huaj herboristja shqiptare.

Në fakt është e vërtetë se Shqipëria ka një traditë të gjatë popullore në njohjen dhe përdorimin e bimëve mjekësore. Ajo që dihet më pak është se vendi ynë ka edhe një traditë shkencore në këtë fushë.

Shumë pak vetë e dinë sot psh se në kohën e diktaturës në Tiranë kishte edhe një Institut të Mjekësisë Popullore, i cili botoi në vitin 1977 librin “Shëndeti mbrohet edhe me bimë”, vepër e profesorëve Pirro Goda, Viron Xhillari dhe Gazmend Skënderi. I njëjti institut botoi po në vitin 1977 edhe librin shkencor “Bimët mjekësore në familje”, vepër e studiuesve P.Kokalari, Z. Sima dhe P.Xinxo.

Po ashtu pak vetë janë në dijeni sot se dikur në Tiranë ndërmarrja « Profarma” prodhonte lloj lloj tinkturash, ekstraktesh, shurupash me bazë bimësh mjekësore. Esencat, ose vajrat esencialë, siç quhen sot,  të sherebelës, nanexhikut, livandës etj janë nxjerrë, përpunuar dhe tregtuar që në atë kohë nga “Profarma”.

Dashur pa dashur vimë kështu te roli i shtetit në ekonomi. Grumbulluesit e bimëve medicinale në Shqipëri ankohen për mbështetjen e pakët që kanë nga shteti. E vërteta është se në të gjitha veprimtaritë ekonomike në vendet perëndimore, shteti, edhe sot, luan një rol parësor në drejtimin e ekonomisë kombëtare.

Shqipëria s’ka pse të bëjë përjashtim. Psh në vend që ta eksportosh sherebelën bruto, mund fare mirë ta përpunosh atë dhe ta shesësh ose në formë çaji në bustina të vogla ose si vaj esencial. Me një çmim dhjetë herë më të lartë ! Një bashkëpunim i shtetit me privatin në këtë fushë do të ishte i shumëpritur dhe do të shumëfishonte të ardhurat për ekonominë shqiptare. Veçanërisht për bujqësinë. Sidomos në grumbullimin dhe gjetjen e tregjeve shtesë për eksport.

Në vitet ‘70 – ‘80 të shekullit të kaluar në ndërmarrjen e agroeksportit në Tiranë ekzistonte një degë të veçantë e eksportit të bimëve medicinale dhe ethero vajore. Veç nga ky aktivitet, pa folur këtu për eksportin e domates që në fillim të prillit, shteti nxirrte të ardhura të konsiderueshme !

Shampanja e Francës është psh një markë dhe prodhim i njohur dhe vlerësuar ndërkombëtarisht. Shteti francez fiton miliarda nga eksportimi i saj në mbarë botën.  Uzo greke po ashtu njihet dhe vlerësohet në Perëndim aq sa edhe spumantja italiane.  Por në Paris ka ekzistuar edhe një pije e quajtur Gentiana ! Gentiana është një bimë që rritet në veriun e Shqipërisë, e « pagëzuar » kështu nga emri i mbretit ilir Genti. Sikur një pije e tillë të promovohej nga shteti shqiptar, si dikur konjaku « Skënderbeu »,  sa miliona do hynin në xhepat e shqiptarëve dhe të ekonomisë së vendit ?!

Nga 50 milionë euro sa hynë sot në ekonominë shqiptare vetëm nga eksporti i bimëve medicinale, kjo shifër mund të shumëfishohej disa herë në rast se shteti do të ndërhynte më shumë me programe dhe investime.

Ndofta atëhere edhe kultivimi i hashashit do të pakësohej vetvetiu, pasi bujqit shqiptarë do të gjenin një mënyrë tjetër jetese. Shumë më e dobishme, legale dhe e shëndetshme.

Me një fjalë përvoja në vend dhe mundësitë ekzistojnë.  Ato veçse duhen ringjallur. Dhe atëhere Shqipëria do të kthehet me të vërtetë në një Eldorado të përpunimit dhe eksportimit të bimëve mjekësore në mbarë botën./ Gazeta "Tema" 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mbi 10 mijë emigrantë u mbytën këtë vit në tentativë për të shkuar në Spanjë

Mbi 10 mijë emigrantë u mbytën këtë vit në tentativë për të shkuar në Spanjë