Në Lezhë kanë nisur përgatitjet për vitin e ri shkollor, i cili do të startojë më 14 shtator. Prej javësh, punonjësit e shërbimeve publike po ndërhyjnë në godinat arsimore, me qëllim që shkollat dhe kopshtet të jenë gati për nisjen e procesit mësimor.
Aktualisht, rreth 80% e punimeve, kryesisht në lyerjen dhe mirëmbajtjen e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, kanë përfunduar.
Drejtorjesha e Arsimit, në Lezhë, Aurora Gjeloshi, thotë se puna po vijon me tre brigada, ndërsa inspektimi i godinave dhe përcaktimi i nevojave për ndërhyrje është bërë më herët.
Ky vit shkollor do të sjellë edhe hapjen e dyerve të shkollës së rikonstruktuar “Gjergj Fishta”, ndërsa do të nisë investimi në shkollën e Rriles dhe në dy kopshte.
Ndërhyrjet pritet të përfundojnë në ditët në vijim, në mënyrë që nxënësit dhe mësuesit ta nisin vitin e ri shkollor në ambiente të mirëmbajtura dhe të përshtatshme për procesin mësimor.









Komente
Komento