Pas zhvillimit të katër javëve të para në Premier Leaguen angleze mund të thuhet se çmenduria është ulur këmbëkryq në këtë kampionat. Në kryesim është një ekip surprizë, klasifikimi dominohet nga ekipet me më pak emër dhe ekipet e mëdha e me emër kanë pësuar goleada të pabesueshme. Me pak fjalë këta janë faktorët që po e bëjnë Premier League një kampionat të “çmendur”. Surpriza e parë dhe e madhe është Evertoni në kryesimin e kampionatit. Me disa blerje si James Rodrigues dhe Allan skuadra e Ancelotti-t ka siguruar katër fitore në po kaq ndeshje dhe është në vend të parë me 12 pikë të plota.
Tjetër element domethënës është fakti që ekipet e mëdha me më shumë emër dhe trofe në vetëm katër javë të zhvilluara kanë pësuar goleadë nga rivalët e tyre me shumë vite dritë larg historisë . Dje ishte çmenduri ajo që i ndodhi Liverpoolit, kampionëve në fuqi. Aston Villa fitoi me një rezultat më shumë se tenistik 7-2 ndaj kampionëve në fuqi. Po dje Manchester United pësoi një humbje dramatike në shtëpinë e saj nga Tottenham. 6-1 fituan djemtë e Mourinhos duke lënë të turpëruar “djajtë e kuq”. Pak ditë më parë edhe Manchester City pësoi një humbje shokuese në shtëpi 5-2 nga Leicester City.
Nga pesë ekipet e mëdha të Premier Leagues vetëm Arsenali ndodhet në një pozicion të mirë në zonën Champions në vend të katërt ndërsa Liverpool, City, United dhe Chelsea janë jashtë kësaj zone. Ndërsa nga tre ekipet që u ngjitën këtë sezon në Premier League vetëm Leeds është në një pozicion të kënaqshëm në renditje pasi Fulham dhe WBA janë vetëm në vendet e fundit/ Përgatiti Andi Kapxhiu.