Censura e librave në shkolla dhe biblioteka amerikane ka goditur edhe emra të mëdhenj të letërsisë botërore. Mes tyre është edhe Gabriel Garcia Marquez, autori i romaneve të famshme Njëqind vjet vetmi dhe Dashuri në kohërat e kolerës.
Veprat e tij përfshihen në listën e rreth 23 mijë librave që, gjatë pesë viteve të fundit, janë hequr ose kufizuar në shkolla dhe biblioteka publike në disa shtete të SHBA-së, sepse janë konsideruar “të papërshtatshme”.
Sipas të dhënave të PEN America, ndalimet kanë prekur shtete si Florida, Georgia, Texas, North Carolina, Kentucky, Iowa dhe Oklahoma. Masat variojnë nga tërheqje e përkohshme, deri te ndalimi i plotë ose akses i kufizuar për nxënësit.
Mes autorëve latinoamerikanë të prekur janë edhe Isabel Allende dhe Laura Esquivel. Lista përfshin gjithashtu autorë të njohur si Margaret Atwood, William Shakespeare, Toni Morrison, Saga e Twilight e Stephenie Meyer dhe libra të Stephen King.
Raporti i fundit i PEN America tregon se 49 shtete amerikane janë prekur nga ndalime librash. Rreth 44% e titujve të censuruar kanë protagonistë me ngjyrë, ndërsa 39% trajtojnë tema LGBTQ+. Shpesh ndalohen edhe romancat nëse përmbajnë referenca seksuale, edhe kur ato nuk janë të drejtpërdrejta.
Kundër kësaj vale censurash kanë reaguar shumë figura të njohura të botës së kulturës. Shkrimtarja Lauren Groff, autore e bestsellerit Fato dhe Furi, ka hapur në Florida një librari të pavarur që ekspozon pikërisht librat e ndaluar.
Sipas PEN America, ndalimet janë nxitur nga fushata të organizuara të grupeve konservatore dhe think tank-eve të ekstremit të djathtë. Deri tani, janë miratuar 51 ligje dhe politika që kufizojnë librat dhe programet arsimore.
Në Texas, ligjvënësit kërkuan që librat të klasifikohen sipas përmbajtjes seksuale, duke i detyruar shkollat dhe bibliotekat të heqin tituj të shumtë. Edhe pse ligji u anulua pjesërisht nga gjykata, shumë libra u hoqën nga frika e ndëshkimeve.
Fenomeni nuk kufizohet më vetëm në shkolla. Në vitin 2024, American Library Association regjistroi 821 përpjekje për censurë në biblioteka publike dhe universitare, që prekën mbi 2.400 tituj. Rreth 72% e rasteve u nxitën nga grupe të organizuara ose institucione.
Sipas Noticiero Univision, në vitin 2025 edhe biblioteka federale, përfshirë ato ushtarake, kanë rishikuar ose hequr libra që lidhen me diversitetin. Disa tituj janë zhvendosur në zona jo të aksesueshme ose janë bërë të vështirë për t’u gjetur.
Autorë si Maya Angelou dhe Ibram X. Kendi janë hequr nga katalogët e disa bibliotekave. American Library Association e ka cilësuar këtë prirje si shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane, që garanton lirinë e shprehjes.
Ndërkohë, organizata si PEN America vazhdojnë të monitorojnë rastet e censurës dhe të mbështesin autorët, mësuesit dhe bibliotekarët në përpjekjet për të mbrojtur librat dhe lirinë e fjalës./LaRepubblica
Komente











Kane shfaqje te huaja, ose lakra. Si ketu ne kohen e Enverit.
Përgjigju