Zonat e mbrojtura të qarkut Kukës janë kthyer edhe këtë sezon turistik në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj, të cilët zgjedhin të eksplorojnë natyrën, shtigjet malore, biodiversitetin dhe peizazhet e veçanta të verilindjes së Shqipërisë.
Sipas të dhënave të Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës, deri në muajin korrik, këto zona janë vizituar nga rreth 61 mijë turistë, prej të cilëve 30 mijë e 625 janë vizitorë vendas, ndërsa 30 mijë e 375 janë turistë të huaj.
Mes destinacioneve më të preferuara janë Valbona dhe Parku Natyror Korab-Koritnik, zona që ofrojnë mundësi për hiking, alpinizëm, eksplorim të natyrës dhe turizëm aktiv.
Për të lehtësuar lëvizjen e vizitorëve dhe për të rritur sigurinë gjatë eksplorimit, janë shënuar edhe disa prej shtigjeve më të frekuentuara.
“Gjatë këtij viti ka pas një fluks turistësh. Vendet më të frekeuentuara kanë qenë Theth-Valbonë, Shtegu i Ngjyrave, Maja e Gjallicës etj. Kemi një rritje të vizitorëve në krahasim me vitin e kaluar. Vizitorët i kemi pas nga të gjitha vendet si çek, gjermanë, arabë dhe francez”, thotë ai.
Krahas turizmit natyror, një tjetër tregues pozitiv është edhe prania e faunës së egër. Gjatë monitorimit me kamera-kurth në Parkun Natyror “Korab-Koritnik”, këtë sezon veror është evidentuar një prani e lartë e kafshëve të egra në territor.
Sipas Drejtorit Gjana, rritja e numrit të individëve të evidentuar dhe dokumentimi i tyre nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Kukës janë tregues të rëndësishëm të përmirësimit të kushteve të habitateve natyrore.
Me shtigjet e shënuara, peizazhet alpine, pasuritë natyrore, biodiversitetin dhe mundësitë për turizëm aktiv, zonat e mbrojtura të qarkut Kukës po konsolidohen gjithnjë e më shumë si destinacione të rëndësishme turistike, duke tërhequr vizitorë që kërkojnë aventura, qetësi dhe përvoja autentike pranë natyrës.










Komente
Komento