Policia Rrugore e Elbasanit vijon intensivisht kontrollet me dron dhe pajisje inteligjente në akset rrugore dhe zonat urbane të qytetit për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë në rrugë.
Përmes një njoftimi shërbimet e policisë bëjnë me dije se në fokus do jenë të gjithë drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat e Kodit Rrugor përfshirë: parakalime të gabuara, shpejtësinë tej normave, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit etj.
Teksa theksojnë se shoferët që nuk respektojnë rregullat janë gjobitur, ata shtojnë gjithashtu se 'siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët'.
Njoftimi i plotë:
Policia Rrugore Elbasan, në zbatim të urdhrave dhe planeve të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vijon kontrollet intensive në akset rrugore dhe zonat urbane të qytetit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e trafikut.
Përmes grupeve të kontrollit, pikave të monitorimit, përdorimit të dronëve, radarëve dhe pajisjeve inteligjente, po evidentohen dhe ndëshkohen shkeljet e Kodit Rrugor, si:
shpejtësia tej normave;
përdorimi i celularit gjatë drejtimit;
drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit;
mosvendosja e kaskës dhe jelekëve reflektues;
parkimet e gabuara dhe parkimet dyshe në zonat urbane, të cilat pengojnë qarkullimin normal të mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.
Strukturat e Policisë Rrugore janë angazhuar maksimalisht për menaxhimin e trafikut në qytet dhe në akset kryesore rrugore, duke synuar krijimin e një qarkullimi të sigurt, të qetë dhe pa probleme për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Policia Rrugore Elbasan u bën thirrje qytetarëve që të kontrollojnë në sistemin e-Albania masat administrative të vendosura ndaj tyre dhe të kryejnë pagesat brenda afateve ligjore.
Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor - siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët
Komente










