Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit brenda pak javësh për të kandiduar si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme, për të cilat ende nuk ka bërë të ditur datën. Objektivi i deklaruar është të sigurojë një mandat të ri nga qytetarët, pavarësisht protestave që prej më shumë se një viti po përfshijnë Serbinë dhe po ushtrojnë presion mbi qeverinë e tij.

Njoftimi u bë gjatë një manifestimi të organizuar përpara Parlamentit në Beograd me sloganin "Servia një familje"ku sipas qeverisë morën pjesë rreth 200 mijë persona. Mes thirrjeve të mbështetësve, si "Vuçiç, kryeministër i përjetshëm"dhe "Vuçiç, krenaria e Serbisë", presidenti siguroi se Partia Progresiste Serbe (SNS) do të arrijë një fitore "më bindëse se kurrë" në zgjedhjet e ardhshme, duke akuzuar njëkohësisht opozitën dhe protestuesit se duan "të shkatërrojnë vendin".

Protestat përfaqësojnë sfidën më të madhe politike me të cilën është përballur Vuçiç vitet e fundit. Vala e mobilizimeve nisi në vitin 2024, pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, i saporinovuar, ku humbën jetën 16 persona.

Tragjedia nxiti një pakënaqësi të madhe popullore, me akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe dobësim të shtetit të së drejtës. Që prej asaj kohe, studentë, qytetarë dhe lëvizje qytetare kanë dalë disa herë në protesta duke kërkuar përgjegjësi politike, reforma institucionale dhe zgjedhje të parakohshme.

Premtimet e presidentit të kontestuar

Figurë dominuese e politikës serbe që nga viti 2014, fillimisht si kryeministër dhe më pas, që nga viti 2017, si president, Vuçiç e udhëhoqi SNS-në drejt fitores në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022 dhe në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2023, duke siguruar shumicën absolute.

Në fjalimin e tij ai ritheksoi se zgjedhjet e reja parlamentare do të zhvillohen "më shpejt nga sa mendoni", pa dhënë detaje të mëtejshme, pasi më herët kishte përmendur vjeshtën si një periudhë të mundshme për mbajtjen e tyre.

Para fjalimit të tij, katër robotë humanoidë të ardhur nga Kina interpretuan një valle tradicionale serbe. Vuçiç e paraqiti këtë nismë si simbol të së ardhmes teknologjike të vendit, duke njoftuar se në muajin gusht do të nisë, në bashkëpunim me Pekinin, ndërtimi i bazës së parë evropiane për prodhimin në shkallë të gjerë të robotëve humanoidë.

Presidenti premtoi gjithashtu rritje të pagave dhe pensioneve, investime në shëndetësi dhe arsim, si edhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, duke ritheksuar njëkohësisht synimin për të ruajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën, të cilat i cilësoi si "miq tradicionalë" të vendit.

Në manifestim morën pjesë edhe lideri i serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, si dhe politikani malazez pro-rus Milan Knezeviç./ La Repubblica