Nëna e foshnjës së braktisur del nga burgu pas Saliut dhe Ilirit

Nëna e foshnjës së braktisur del nga burgu pas Saliut dhe Ilirit

Meta dhe Berisha

Sapo është shpërndarë lajmi i zi se foshnja e braktisur ndërroi jetë në spital. E morën dje mjekët që nga tuneli në një cep të Tiranës, u përpoqën t’i japin frymë, dhanë shpresë, edhe njerëz të zakonshëm mbetën me sy nga materniteti…, por sot foshnja nuk mundi më.

E ëma lehonë është vënë në pranga. Ajo tha se e braktisi krijesën e vet sepse ‘nuk e mbante dot’. U pa se ç’jetë të varfër bënte.

Gazetarët lanë mënjanë spitalin dhe tunelin në Yzberisht e nxituan të pyesin…, cilin? Nxituan për te njerëz të ligjit dhe pyetën sa mund të dënohet gruaja. Përgjigja ishte ’10 vjet në burg’.

Kaq duhej.

10 vjet burg do të dënohet edhe Sali Berisha sipas paragrafit me të cilin është vënë nën hetim nga SPAK. “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 e 25, 245 e 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal. Neni 25 e dënon me ‘burg përjetë’, sepse ka të bëjë me krijimin e ‘organizatave kriminale’ që ka realizuar vetë Berisha. Por të paktën 10 vjet do të jenë për këtë herë. 10 vjet do të dënohet edhe dhëndëri Jamarbër. 10 vjet mund të dënohet edhe Ilir Meta, që u thërrit dje në SPAK…

’10 vjet’ mund të kthehet në refren të të gjithë pasanikëve të pasuruar me djersën e popullit.

Të gjitha dalin nga qelia njësoj si nëna që braktisi foshnjën në një tunel në një fshat me emër të çuditshëm ‘Yzberisht’, që duket sikur thotë ‘Yyyshsh’.

Kur të dalë nga burgu kjo nënë ‘e keqe’, atëherë do të dalin edhe Saliu, Iliri, Jamarbëri…, ndoshta Shkëlzeni, Fatmiri, Mirfati, Fatkeqi e dreqi.

Me ndryshimin fatkeq se kur të dalë nga burgu Saliu, do të kthehet te një vilë e fshehur qysh në kohën e shkëlqimit. Po gruaja që braktisi foshnjën? Ajo nuk ka strehë sot, e jo më të ketë pas dhjetë vjetësh.

Edhe Iliri do të kthehet te fëmijët e vet që do të jenë kthyer nga studimet në Londër. Ata do të jenë o kryetarë parlamenti, o të ashtuquajtur ‘studiues’, por të gjithë me mjekër dhe me maska e falsitete të tjerë.

Të gjithë do të kenë fëmijë të pasuruar me djersën e popullit në shekullin 21, vetëm nëna e foshnjës së braktisur nuk do të ketë fëmijë. Familjet e pasura që sapo do të kenë dalë nga burgu, do ta shikojnë anës së rrugës dhe t’i flasin me neveri: ‘Po ti, moj, grua e keqe, ku e ke fëmijën? Duhej ta kishte çuar për studime në Europë si ne!’. Do ta përgojojnë për ‘moral të keq’, ‘për njeri i pashpirte’, për ‘nënë të ngratë’.

Le që kjo grua kur të dalë nga burgu nuk do të ekzistojë; ajo duhet të ekzistojë vetëm për ‘orendi burgu’. Që sot nëna e foshnjës së braktisur nuk ka emër; të gjithë bashkë-fatësit e saj kanë emra: Njëri quhet Sali, tjetri Ilir, tjetra Shkëlzen, tjetra Argita, tjetra Mona.

Edhe nëse pas dhjetë vjetësh kur do të dalin nga burgu, këtyre do t’u jenë harruar emrat e tyre, do të thërriten me emër pronor: ‘Babai i Shkëzenit’, ose ‘babai i Argitës’, ‘Babai i Erës’, ‘burri i Monës’, ‘jehrri i Jamarbrit që ndërtoi 17 kulla me 35 mijë lek… Të gjithë si në mjegull.

Veç kjo grua e mjerë do të thërritet me emrin: “Ajo nëna që braktisi foshnjën’.

Të gjithë kanë një të përbashkët: Vetëm 10 vjet burg.

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë