Ka lënë qelinë 33-vjeçaren Greta Gjoci e cila ndodhej në burgun e Pojskës së bashku me foshnjën e saj 3 muajshe. Pasditen e kësaj te enjte rreth orës 16:30 familjarët e saj u paraqitën pranë burgut të Pojskës për të marrë 33-vjeçaren.
Dalja e saj nga qelia erdhi pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të pranuar kërkesën e saj për shtyrje të ekzekutimit të dënimit. Gjoci tashmë do të duhet të rikthehet në burg kur fëmija të mbushë 1-vjeç. E pranishme në seancë ishte dhe vetë Greta Gjoci, e cila kishte marrë me vetë dhe foshnjën e saj, por gjykata nuk lejoi qëndrimin e të vogli brenda në sallë dhe kujdestarja e burgut të Pojskës u kujdes jashtë.
Seanca u zhvillua për rreth 25 minuta, ndërsa i pranishëm ishte edhe avokati Jurgen Gjoci, i cili shkeli kështu bojkotin e avokatëve, siç e interpretoi ai për arsye humanitare por edhe sepse e kishte të afërm të renë.
Greta Gjoci foli dhe vetë në seancë ajo kërkoi shtyrjen e ekzekutimit të vendimit pasi ka foshnjën 3 muajsh dhe ka shfaqur probleme nuk ushqehet dhe nuk ka fjetur këto ditë që ka qëndruar në burgun e Pojskës. Dakord me kërkesën e avokatit ishte edhe prokurori Ened Nakuci. Greta Gjocit i kanë mbetur edhe pak më shumë se 3 vite e 5 muaj nga dënimi i dhënë.
Gjoci është një nga 6 gratë e dënuara si pjesë e grupit të Bruno Çobos për mashtrim me “Call Center”. 5 prej tyre i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, për shkak të fëmijëve të mitur ose rrethanave të tjera familjare.
Ligji parashikon se, kur e dënuara është shtatzënë ose ka një fëmijë nën një vjeç, gjykata mund të shtyjë ekzekutimin e vendimit derisa fëmija të mbushë një vjeç. Shtyrja e ekzekutimit të vendimit mund të bëhet edhe kur vuajtja e menjëhershme e dënimit mund të sjellë pasoja të rënda për të dënuarin ose familjen e tij.
Përpos Gjocit, në Gjykatën e Posaçme kanë mbërritur kërkesat e Elisa Çaçit, e dënuar me 7 vite e 4 muaj burg si dhe Rezarta Ibrahimit, Antoneta Malos dhe Silvana Veliut, secila e dënuar me nga 6 vite e 8 muaj burg.
Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, Greta Gjoci është liruar këtë të enjte nga burgu i Pojskës. Rreth orës 16:30, familjarët e saj mbërritën pranë IEVP Pojskë për ta marrë, pasi 33-vjeçarja kreu procedurat e nevojshme të lirimit. Ajo u largua së bashku me foshnjën e saj dhe nuk pranoi të bënte deklarata për mediat. Ndërkohë, familjarët e saj, jashtë kamerave, falënderuan gjykatën dhe mediat për trajtimin e rastit.
Gjoci është një nga gjashtë gratë e dënuara si pjesë e grupit të Bruno Çobos për mashtrim përmes skemës së “Call Center”. Asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe pak më shumë se 3 vite e 5 muaj burg nga dënimi i dhënë në shkallën e parë. Ligji parashikon se, kur e dënuara ka një fëmijë nën një vjeç, gjykata mund të shtyjë ekzekutimin e vendimit deri në mbushjen e kësaj moshe.










Komente
Komento