Një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit, ka nisur verifikimin e situatës së Greta Gjocit, nënës me foshnjen 4-muajshe që tashmë ndodhen në burgun e Pojskës.

Pasi ka marrë dijeni për vendimin e gjykatës, grupi i punës ka kontaktuar drejtuesit e institucionit dhe 33-vjeçaren. Përfaqësuesja e Avokatit të Popullit, Gloria Carkaxhiu, tha se janë verifikuar kushtet ku qëndron nëna dhe foshnja, ndërsa sipas saj, ambienti i posaçëm i çerdhes në institucion plotëson nevojat e tyre.

“Kushtet ishin të realizuara sipas nevojave. Sigurisht nuk është se është rast, le të themi, shumë i përsëritur apo i ngjashëm, pra nuk është një rutinë e përhershme, siç dihet edhe institucioni është një institucion relativisht i ri, pra kjo ndërtesë është një institucion i ri që deri diku i plotëson kushtet. Por vetë zonja nuk kishte ndonjë ankesë apo ndonjë kërkesë specifike për qëndrimin, pra nuk kishte ndonjë gjë për të na adresuar posaçërisht. Neve do të bëjmë hetimin tonë me të gjithë dokumentacionin që kemi mbledhur dhe me ambientet që kemi vizituar. Për më shumë do të dalim me vlerësimin tonë”, tha ajo.

Carkaxhiu sqaroi se legjislacioni lejon që nënat e burgosura të qëndrojnë me fëmijët në gji dhe se fëmijët mund të akomodohen me nënën në institucion deri në moshën 3 vjeç.

Sa i përket kërkesës për pezullimin e vendimit të gjykatës, Carkaxhiu tha se institucioni nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e gjykatave.

Ndërkohë, në burgun e Posjkës ka të burgosura të tjera që kanë kërkuar pezullimin e dënimit për shkak të fëmijëve të tyre.


Lajmi kryesor:

Apeli i GJKKO i dënoi për mashtrim me Call Center-at, 4 nëna me fëmijë dërgohen në burg, Greta Gjoci merr me vete foshnjën 3-muajshe! Kërkojnë shtyrjen e dënimit