Nënat shamibardha që shesin në
rrugët e Tiranës, punë e sakrificë

Nënat shamibardha që shesin në<br />rrugët e Tiranës, punë e sakrificë
Jemi mësuar tashmë me nënat tona shamibardha që shesin prodhimet e tyre bujqësore në rrugicat apo rrugët e Tiranës. Duken të palodhura, ato kontribuojnë në familjet e tyre me aq sa munden.
 
Shfrytëzojnë bahçen e shtëpisë së tyre për të sjellë tek kryeqytetasit produkte bio. Me një portret të gdhendur që tregon mundin dhe punën, ato ofrojnë përkëdhelitë e bimëve të tyre. 
 
Ne shkuam pranë tyre për t`i njohur më tepër jo vetëm ato çka ofrojnë në treg, por edhe punën e tyre që nuk njeh moshë. Nënat shamibardha kishin vendosur produktet në një rrugicë që lidh rrugën e Kavajës me “Myslym Shyrin”.
 
E mbani mend nënë Zylen. Të gjithë tashmë e etiketojnë me shaka si “nëna e lali Erit”. Kjo, pasi disa muaj më pare, nënë Zylja u bë e famshme nga një foto. E themi e famshme, pasi ajo erdhi si një fenomen që përfaqëson të gjitha nënat shamibardha që shesin qepë, domate, kastravec e të tjera prodhime bio në rrugë të Tiranës dhe mbajnë familjet e tyre.
 
Foto e saj bëri xhiron në internet ku të shumtë ishin personat që e përkrahën ndaj gjobës së policit bashkiak. Sot ajo na tregon prodhimet e saj bio që ka sjellë në treg.
“Një sallatë, spinaq, kastavec, çdo gjë”.
 
I keni marrë nga bahçja juaj dhe i keni sjellë në treg. Si ndihen klientët me produktet tuaja?
 Shumë mirë.
 
A jeni e kënaqur me punën që bëni?
 Shumë, faleminderit i themi klientëve.
 
Ja dilni ndopak të mbani familjen?

Me barishte është e vështirë, por sa të mos rrimë kot në shtëpi.
 
Nënë Zylja ndihet e turpëruar teksa kujton kohën kur doli foto e saj dhe të gjithë u sensibilizuan për nënat shamibardha që ende punojnë me mund e djersë.
“Duke më gjobitur polici, një italian më fotografoi”, tregon ajo.
 
Shkojmë pranë nënë Nexhmijes. Ndonëse e cila na tregoi vështirësitë e saj për jetën kur del në një rrugicë të qytetit dhe shet prodhimet e saj.
 
“Kam sjellë spinaq, hudhra e qepë, bizele, qepë. Nuk kam ç`të bëj se nuk kam asnjë lloj të ardhure tjetër. Ndaj dal për hall jo për qejf”, thotë ajo.
 
A fitoni?
Fitoj 5-6 mijë lekë në ditë, 5 mijë do makina që na sjellë deri këtu. Puna ka rënë. Duhet të hamë.
 
A ja dilni?
Herë del dhe herë nuk del, varet sipas ditëve.
 
Si ishte prodhimi këtë vit?
Dobët shumë. Nuk ka patur shumë prodhim.
 
Cilët janë muajt më të këqinj në punën tuaj?
Janari dhe shkurti pasi është shumë ftohtë. Bukë me kripë kemi ngrënë.
 
Ka nxjerrë çdo gjë që prodhon në bahçen e saj, teksa shikon se ka rreshtuar që nga spinaqi, preshi, domatja,kastraveci deri tek lulet kamomil. Nënë Nexhmija kujton të kaluarën e saj teksa krahason punën që bën brezi i sotëm.
 
“E lodhur jam, por këta të rinjtë nuk punojnë siç kemi punuar ne. Ne jemi rrahur me vaj e me uthull”, thotë ajo.
 
Ndonëse vitet i kanë rënduar në supe, nënë Nexhmija është vetëm 55 vjeç dhe nuk gëzon ende një pension që të mbajë veten apo fëmijët e saj. Ndaj çdo ditë përgatit në bahçen e saj prodhime për të ardhur e për t’i vendosur në një cep poshtë pallateve.
 
“Unë jam 55 vjeç dhe do të punoj deri në fund”
, thotë ajo.
 
Çfarë pune keni bërë më përpara?
Unë kam qenë mjelëse lopësh në Kashar, prej 15 vitesh. Më pas u prish sistemi dhe mora trastat dhe erdha në treg. Do punoj deri sa të mundem pasi nuk kam pension".
 
Drita, njëra prej grave që shet prodhimet e saj për qytetarët na tregon për punën e saj.
 
Ajo duket e palodhur në punën që bën, çdo gjë e bën vetë për të mbajtur kështu familjen. Këtë gjë e tregojnë dhe duart e saj.
 
Cilat janë produktet bujqësore që merrni nga bahçja juaj? 
Gjithë mallin që kam e kam prodhimin tim. Spinaq, kastravec, majdanoz, rukola, kumbulla, domate, bostan, etj. Një ditë e përgatis tek shtëpi dhe një ditë e sjell në treg.
 
Sa mund të fitoni gjatë ditës?

Sipas mallit që kam.
 
Si e kultivoni në bahçen tuaj.

Farat i ruajmë vetë dhe e mbjellim vetë.
 
Si ishte prodhimi këtë vit?
Sivjet nuk ishte keq por të shohim si do ecë në treg.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Apeli konfirmoi 1 vit burg për Salianjin, hidhet shorti, vendimin do e ekzekutojë prokurorja Elona Alvora

Apeli konfirmoi 1 vit burg për Salianjin, hidhet shorti, vendimin do e ekzekutojë prokurorja Elona Alvora