Nëndetësja e Flotës turke "TCG SAKARYA" vizitë portuale në qytetin e Durrësit
TIRANË, 11 Nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ - Nëndetësja e Flotës turke "TCG SAKARYA" ka mbërritur për një vizitë portuale në qytetin e Durrësit, në zbatim të programit të bashkëpunimit me Republikën e Turqisë.
Burime nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se qëllimi i kësaj vizite është njohja me zhvillimet e Forcës Detare shqiptare dhe forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si vende partnere të NATO.
Në mesditë, nëndetësen turke e ka vizituar shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zëvendësministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë, Hidayet Bayraktar, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, kapiteni i Portit të Durrësit,  Admir Sulaj, etj
Nëndetësja e Flotës turke "TCG SAKARYA" vizitë portuale në qytetin e Durrësit
Më pas ushtarakët turq kryen vizita në Bashkinë e Durrësit, ku u pritën nga kryetari i saj . Vangjush Dako, në Prefekturën e qytetit, ku u pritën nga prefekti, Roland Xhelilaj dhe qarkun e rrethit Durrës, ku u pritën nga kryetari i këtij Qarku, Alfred Mullaj.
Gjatë këtyre takimeve u nënvizua tradita miqësorë midis dy popujve tanë, fushat e bashkëpunimit midis dy vendeve veç atij ushtarak dhe thellimi i këtij bashkëpunimi në turizëm, ku mundësitë janë më të mëdha.
Gjithashtu ekuipazhi i anijes turke do kryejë vizita të ndryshme historiko-kulturore në qytetin e Durrësit dhe Krujës dhe aktivitete të përbashkëta me personelin e Forcës Detare.
Paraditen e datës 12 nëntor nëndetësja turke "TCG SAKARYA" do të largohet nga porti i Durrësit./a.g/