"Kam humbur gruan dhe djalin tim. Po shkonin në punë, nuk e di çfarë ndodhi. Kam humbur gjithçka."
Me këto fjalë, bashkëshorti i 43-vjeçares dhe babai i të riut që humbën jetën në aksidentin tragjik në Serres përshkroi dhimbjen e tij, në një prononcim për televizionin publik grek ERT.
Tragjedia ndodhi mëngjesin e së premtes në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, pranë Paleokomit. Brenda pak sekondash, burri humbi bashkëshorten dhe djalin e tij, të cilët ishin nisur herët nga shtëpia për të shkuar në punë.
43-vjeçarja dhe djali i saj 21-vjeçar udhëtonin me të njëjtën makinë, me të riun në timon dhe nënën në sediljen e pasagjerit. Rreth orës 07:30, automjeti u përplas "kokë më kokë" me një kamion. Përplasja ishte fatale dhe të dy humbën jetën në vend.
Familja, me origjinë nga Shqipëria, jetonte prej vitesh në Paleokomi. Nëna dhe djali punonin në të njëjtën kompani, me bazë në plazhin e Ofrinios, dhe po udhëtonin drejt vendit të punës kur ndodhi aksidenti. Ata punonin në një zyrë real estate
Pas tyre kanë mbetur bashkëshorti dhe babai i familjes, si edhe vajza e çiftit, të cilët tashmë përballen me humbjen e dy njerëzve të tyre më të afërt.
Ndërkohë, shoferi 56-vjeçar i kamionit ka dhënë versionin e tij për aksidentin. Në një prononcim për Mega, ai tha se po lëvizte normalisht në korsinë e tij me një shpejtësi rreth 75-80 km/h, kur pa makinën që, sipas tij, humbi kontrollin dhe hyri në korsinë e kundërt.
"Isha normalisht në korsinë time me 75-80 kilometra në orë. Papritur pashë një makinë që vinte drejt meje. Kishte humbur kontrollin. U përpoqa të shmangesha majtas, por nuk arrita. Ajo u përplas me kamionin tim dhe ndodhi tragjedia", deklaroi ai.
Shoferi i kamionit mbeti i plagosur lehtë dhe u transportua në Spitalin e Dramës. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.
Lajmi kryesor:
Greqi/ Makina përplaset ‘kokë më kokë’ me kamionin, nëna shqiptare dhe i biri humbin jetën! VIDEO e aksidentit tragjik









