Vjollca Lula, nënë e një vajze 5-vjeçare, kërkon të zgjidhë atë që po i rëndon më shumë në jetë: Atësinë e bijës së saj. Vjollca lindi vajzën nga bashkëjetesa me një shqiptar, i cili kur foshnja ishte vetëm 5 muajshe, e braktisi, duke mos i dhënë atësinë. Në emisionin "Pa Gjurmë", Vjolla Lula, 48-vjeçare, e cila jeton në zonën e "Kombinatit" në kryeqytet, rrëfeu historinë e saj të trishtë, ku sot, teksa rrit e vetme vajzën dhe pa asnjë përkrahje, kërkon të gjejë zgjidhje ligjore, pasi 5-vjeçarja rezulton të ketë në dokumente atësinë e një shtetasi serb.
Nuk është rastësi. Pasi përpara se të bashkëjetonte me shqiptarin me të cilin ka vajzën, Vjollca udhëtoi drejt Serbisë për t'i nënshtruar një operacioni pas problemeve shëndetësore, por ku udhëtim e njohu atë me një shtetas serb, me të cilin u martua. Fati nuk ishte në anën e saj, pasi Vjollca gjatë martesës me serbin nuk mundi të bëjë dot fëmijë për shkak të problemeve shëndetësore, çka solli edhe ndarjen mes tyre. E kthyer në Shqipëri, duke menduar se fati do t'i buzëqeshte, dhe pas rehabilitimit shëndetësor, Vjollca Lula mundi të bëhet nënë në moshën 43-vjeçare. Por bashkëjetesa me shqiptarin nuk shkoi mirë dhe ai e braktisi. E mbetur në udhëkryq, Vjollca Lula telefonoi ish-bashkëshortin serb, i cili vendosi t'i japë shtetësinë vajzës së saj. Por se sa e ligjshme është kjo?! Vjollca kërkon të marrë përgjigje, dhe nëse vajzës do t'i krijohen probleme në të ardhmen, të mund të marrë atësinë e babait të saj shqiptar të cilin nuk e ka njohur kurrë.
"U ndava nga bashkëshorti serb, pasi unë nuk bëja dot fëmijë. Kërkova divorcin me të se nuk doja të vuanim. Madje vjehrri serb më kërkoi të gjeja një vajzë tjetër për djalin e tij, pasi nuk donte të ikja nga shtëpia e tyre. I vinte keq të kthehesha në Shqipëri. Më tha na gjej një nuse tjetër. Unë u ndava me mirëkuptim, por erdha në Shqipëri dhe kërkova t'i gjeja një nuse tjetër. Por nuk ia gjeta dot një të duhurën. Marrëdhëniet i pata të mira, pavarësisht se u ndava. Erdha në Shqipëri dhe nisa një bashkëjetesë me një person tjetër. I kisha humbur shpresat se do të mbetesha shtatzënë. Falenderoj mjekët e Beogradit që më ndihmuan me trajtime mjekësore. Në krye të katër muajve bashkëjetesë mbeta shtatzënë. Nuk kisha lumturi më të madhe. Babai i vajzës kishte edhe fëmijë të tjerë, por për mua ishte e veçantë, pasi do bëhesha nënë për herë të parë. Vajza mbush 5 vjeçe më datë 24 janar. I ati i vajzës ishte çoban në zanat. Ai u nis në Greqi, kur vajza lindi. E merrja në telefon. Ai më tha në telefonatën e fundit: "Vazhdo jetën tënde se unë kam hallet e mia". Vajzën ë la afro 5 muajshe. Ai nuk u bë më i gjallë. Vajzën e lashë pak muaj pa regjistruar, afro 3 muajshe. Mora ish- bashkëshortin serb për t'i kërkuar të më lejojë atësinë e vajzës, pasi e braktisi babai i vërtetë. Shtetasi serb e pranoi pa problem. Më tha: Zoti shyqyr që ta plotësoi dëshirën. Vajza ime mban për atësi shtetasin serb dhe mbiemrin gjithashtu. Babai i vërtetë i vajzës, e braktisi. Kur i thash për atësinë atëherë më tha që e di që është vajza ime, por ti vazhdo jetën tënde. Ishte i papërgjegjshëm", tregoi vetë Vjollca Lula në studion e "Pa Gjurmë".
Në përpjekje maksimale përkujdesje për të bijën e cila më 24 janar do të mbushë 5 vjeç, Vjollca Lula merr vetëm një kemp invaliditeti me shumën 140 mijë lekë të vjetra.