KAVAJË- Sherri i të birit për një parakalim të gabuar, ka çuar në pranga një nënkomisar të Policisë së Durrësit, ndërsa është shpallur në kërkim djali i tij pasi ka qëlluar me armë ndaj një 29-vjeçari. Në pranga ka rënë efektivi Kastriot Gjongecaj, ndërsa Denis Gjongecaj 24 vjeç është në kërkim nga policia.

Gjithçka ka nisur më datë 7 shkurt, kur 24-vjeçari është konfliktuar me një 29-vjeçar, Kiti Kazazi, pas një sherri për parakalimin e gabuar. Mirëpo, djali i efektivit nuk e ka mbyllur këtë ngjarje atë ditë, por e ka vazhduar edhe më tej duke shkuar të nesërmen me të atin për të sqaruar problemin.

Sherri ka agravuar dhe 24-vjeçari ka qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin po lëvizte Kiti Kazazi, por fatmirësisht ky i fundit nuk ka mbetur i lënduar. Burime për Report Tv bëjnë me dije se arma me të cilën është qëlluar ndaj të riut, nuk është arma e shërbimit të efektivit Gjongecaj. Por, djali i tij në momentin e sherrit e ka pasur armën pa leje në makinë, duke e rënduar edhe më shumë pozitën e tij.

Ngjarja ka ndodhur më datë 08.02.2024, rreth orës 13:25, në lagjen Nr.2 të qytetit të Kavajës. AMP njoftoi se efektivi u arrestua, ndërsa djali është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë" në bashkëpunim dhe "Armëmbajtje pa leje".

*Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët Sokol Dema dhe Artur Korriku

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:10
‘Shkoi të sqaronte sherrin e djalit për parakalim të gabuar’, detaje nga arrestimi i efektivit të policisë së Durrësit: I biri qëlloi me armë drejt 29 vjeçarit

1706709436_policia.PNG

Report Tv ka mësuar detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Kavajë ku efektivi i policisë Kastriot Gjongecaj dhe djali i tij Denis Gjengecaj qëlluan me armë zjarri ndaj të riut Kiti Kazazi.

Denis Gjongecaj i cili është shpallur në kërkim, në 7 shkurt është konfliktuar me 29 vjeçarin për një parakalim të gabuar. Të nesërmen 24 vjeçari shkoi së bashku me të atin Kastriot Gjongecaj (nënkomisar i policisë në Durrës) për të sqaruar problemin.

Por konflikti ka përshkallëzuar dhe djali i efektivit ka qëlluar me pistoletën që e mbante pa leje në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonte Kiti Kazazi.

Njoftimi i plotë i AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë N/Komisar K. GJ., me detyrë specialist në seksionin e shërbimeve ndaj të tretëve në DVP Durrës, si edhe shpalli në kërkim shtetasin D. GJ., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Vrasje e mbetur në tentativë" në bashkëpunim dhe "Armëmbajtje pa leje".

Arrestimi i N/komisar K. GJ. u krye pasi nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake ka rezultuar se në bashkëpunim me shtetasin D. GJ., 24 vjeç (djali i tij), më datë 08.02.2024, rreth orës 13:25, në lagjen Nr.2 të qytetit të Kavajës, janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë ndaj automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi K. K., 29 vjeç. Nga kjo ngjarje nuk ka patur të lënduar.

Në përfundim të veprimeve hetimore, materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090.