Katër operatorë të telefonisë mobile nënshkruan mes tyre një kod sjellje, i cili u hartua nga Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit në MZHETTS, në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, me qëllimin për të përmirësuar tregun në mbrojtje të konsumatorëve.
 
Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Milva Ekonomi tha se: “Sot është një moment i rëndësishëm për të gjithë për ata qindra mijëra konsumatorë përdorues të shërbimeve që marrin përmes këtyre operatorëve të telefonisë mobile.

Ministrja Ekonomi theksoi se nënshkrimi i kodit mes 4 operatorëve synon konkurrencën e ndershme mes tyre për produktet që ofrojnë në treg, si dhe mbron konsumatorin përkundrejt këtyre shërbimeve dhe produkteve.

“Ky është një hap i rëndësishëm, i cili jo vetëm që vendos në një formë të rëndësishme mënyrën se si komunikojnë operatorët me njëri-tjetrin, por merr përsipër gjithashtu që operatorët të mbrojnë konsumatorët në treg duke j ‘ua bërë transparente të gjitha produktet që ato nxjerrin, duke j ‘ua bërë transparente mënyrën se si grumbullojnë të dhënat personale dhe se si i ruajnë ato, gjithashtu dhe për mënyrën se si kostohen produktet dhe shërbimet që ato ofrojnë.

Gjithashtu, është një hap i rëndësishëm për faktin se i jep një rol të rëndësishëm edhe Komisionit të Mbrojtës së Konsumatorëve pranë MZHETTS, i cili në mënyrë të vazhdueshme do marrë dhe do shqyrtojë të gjitha ankesat apo përmirësimet e kërkuara nga vetë konsumatorët. Unë dua t’ju falënderoj për angazhimin tuaj gjatë gjithë kësaj periudhe. Gjithashtu, dua të falënderoj dhe operatorët që kanë qenë shumë të gatshëm për të bashkëpunuar për hartimin e Kodit të Sjelljes, që është një produkt i ri për sipërmarrjen shqiptare”,
- u shpreh ministrja Milva Ekonomi.

Kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Pirro Xhixho u shpreh se: “Për ne ky është një moment i rëndësishëm pasi ka të bëjë me zbatimin e ligjit për pjesën e mbrojtjes së konsumatorit.

Ne e vlerësuam që në fillim maksimalisht këtë nismë të Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, në zbatim të ligjit tuaj, por edhe të ligjit të telekomunikacioneve, i cili ka kushte të drejtpërdrejta për të mbrojtur konsumatorin dhe veprimtarinë e operatorëve ta drejtojë drejt mbrojtjes së konsumatorëve, dhënies së transparencës së nevojshme.

E gjitha kjo me qëllim që konsumatori të njohë të gjitha produktet në kohën e duhur dhe mënyrën e duhur, duke lehtësuar zgjedhjen e tij, sepse ne jemi në një treg konkurrues dhe tregu konkurrues kërkon transparencë të plotë, kërkon që konsumatori të jetë i mbrojtur nga proceset abuzive të cilat mund të ndodhin, për efekt të dikujt ose të veprimeve të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme në treg” tha ai.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com