Në Gjenova të Italisë, në Divizionin e Anijeve Detare të kompanisë FINCANTIERI, u hodh një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, me nënshkrimin e Aktit të Themelimit dhe Statutit të shoqërisë "Fincantieri Albania".
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi nënvizon se ky partneritet përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë detare shqiptare.
Nufi shtoi se kjo do të jetë edhe një mundësi për transferimin e teknologjisë së prodhimit të anijeve, nga Italia drejt Shqipërisë, si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës e rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend.
"Ky partneritet përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë detare shqiptare, transferimin e teknologjisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend", tha mes të tjerash Nufi.
Më tej Nufi theksoi se Shqipëria po vijon të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me liderët ndërkombëtarë të industrisë, për forcimin e sigurisë kombëtare.
"Shqipëria vijon të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me liderët ndërkombëtarë të industrisë, duke krijuar vlerë të shtuar për ekonominë dhe duke kontribuar në forcimin e sigurisë kombëtare", theksoi ministri Nufi.
Shoqëria "Fincantieri Albania" do të angazhohet në menaxhimin e kantierit detar të Pashalimanit pas modernizimit të tij, si dhe do të mbikëqyrë ndërtimin e anijeve me gjatësi deri në 82 metra dhe me zhvendosje deri në 700 tonë, të destinuara si për tregun vendas, ashtu edhe për atë ndërkombëtar.









Komente
Komento