Ner Luku dhe historia e
një dajreje që ishte një magji...

Ner Luku dhe historia e<br />një dajreje që ishte një magji...
Kush nuk ka pasur në shkollë, në lagje, në pallat, në qytet "jevgj"? Kështu e kemi quajtur për shumë vite, sidomos gjatë diktaturës, komunitetin me ngjyrë që ka bashkëjetuar në harmoni me ne. Në fakt në një harmoni shpesh të detyruar e false, pasi ne, "të bardhët" , kemi ruajtur distanca me të mirët, të qeshurit, të butët "jevgj".

 Duke vëzhguar të tjerët dje e sot, dhe duke kujtuar fëmijërinë, më duket sikur kam jetuar në një ishull të çuditshëm, ku si në shkollë, në lagje, familje e shoqëri, kemi ruajtur marrëdhënie shumë të mira me njerëz të rrallë të këtij komuniteti: si familjet Luku, Rinxhi etj. Më duket se mes nesh vlente ajo që vlente për të gjithë:  

Nuk kishte rëndësi etiketa; ngjyra e lëkurës, profesioni, prejardhja e familjes. Mendoj se më të mëdhenjtë rreth meje e zgjidhnin miqësinë me njërëzit kryesisht sipas mirësisë së tyre.  Dhe si rrjedhojë unë nuk e di se si një njeri bëhet racist... di vetëm që askush nuk lind i tillë. 

Nuk e di se si dikush mund të gjykojë dikë pa e njohur, pa folur me të, pa parë punën e tij, pa e dëgjuar si flet dhe se çfarë mendon. Ndaj gjithmonë jam habitur nga gjykimet raciste mbi njerëz që nuk i njohin apo njoh. A mund të jetë dikush i mirë vetëm se ka ngjyrën e lëkurës të bardhë dhe një tjetër i keq vetëm së ka ngjyrën e lëkurës të errët? Shumë arrijnë të gjykojnë vetëm nga etiketat e ndryshme që dikush mban në kurriz.

Më pëlqen të shkruaj sot në rubrikën time e të kujtoj Ner Lukun dhe dajren e tij. Nuk është një histori e madhe, nuk është një artist që njihet nga të gjithë, por kisha dëshirë ta ndaja këtë histori njerëzore me ata lexues që mendojnë se edhe nga historitë e vogla mund të nisin histori të mëdha ndryshimi mentaliteti. Ndërsa nis të mbledh disa materiale rreth Nerit që sot nuk jeton më, qesh me prindërit e mi kur më tregojnë se mamasë time i thonte me gjithë zemër motër se ishin të dy ezmerë.

 Skënder Lukun në qytetin e vogël të Shijakut e njihnin të gjithë. Ishte shok dhe bashkëpunëtor në pallatin e kulturës me babain tim, Ridvanin. Ai i binte dajres në çdo aktivitet që bëhej aty.  

"Ah sa njeri fjalëmbël ishte, më tregon im atë - atëherë regjisor në pallatin e kulturës - Nuk mërzitej asnjëherë, sillte gëzim dhe hare mes nesh dhe qe aq i zoti me dajren e tij, një talent i lindur. Fitues çmimesh nëpër festivale e aktivitete kulturore ,ku ai shkelqente për alegrinë, buzëqeshjen e përhershme, por sidomos për aftësinë e interpretimit. Dhe ishte njeri i ndershëm. Gjithmonë në vështirësi e në varfëri me shumë fëmijë për të ushqyer, por gjithnjë me dinjitet. Të gjithë e njihnin ndershmërinë e tij" më tregon babi me nostalgji që i çel sytë gjatë rrëfimit.

Ner jevgu i thonin shumica dhe kështu i thonte vetes edhe ai, por kjo ka pak rëndësi. Neri, hamall në një nga ndërmarrjet tregtare të qytetit, baba i shumë fëmijëve, ua kishte marrë zemrën të gjithëve.

Në radhë të parë me pozitivitetin e pastaj me dajren e tij. Kishte qëlluar që atëherë në qytetin e vogël kishte një jetë të gjallë artistike. Ishin grupe amatore ndërmarrjesh, por si rrallë gjëkundi tjetër, pallati i kulturës ishte shndërruar për shumë qytetarë zemra e vërtetë e qytetit: Koncerte, komedi, estradë, turne me shfaqje në qytete të tjera i mobilizonin të gjithë. Por edhe vendi ku kalohej koha e lirë duke luajtur shah, ndërsa të tjerët bënin prova të këngëve, valleve apo skeçeve që ishin për t'u përgatitur.

 Fryma miqësore dhe bashkëpunuese në qytetin e vogël të Shijakut mes komuniteteve të ndryshme etnike (jeton aty dhe një komunitet i madh boshnjakësh të quajtur nga vendasit "muhaxhirë") sikur bëhej me e lëhtë dhe më e gazueshme nga Arti. Edhe piktori i mirënjohur Agim Faja, edhe sot e kësaj dite banor në këtë qytet, ka ndikuar shumë me pikturën e tij: Vizatime, akuarele, vaj mbi telajo...,  përfaqësues të komunitetit rom e egjiptian kanë qenë gjithmonë në vëmendjen e tij, siç shihet nga skicat e publikuara në këtë faqe.

[gallery]21080[/gallery]
Edhe profesor Agimi flet me nostalgji dhe me gëzim për Nerin dhe na ofron këtë vjershë të vogë, por plot ndjenjë bërë posaçerisht për artistin me dajre: "Në duart e Nerit dajreja qe një magji"

Kështu, besoj se ajo që mësojmë, shohim e jetojmë të vegjël shënon jetën tonë. Disa e kuptojnë duke jetuar, disa duke lexuar, disa duke ja thënë, e disa nuk e kuptojnë asnjëherë sa e rëndësishme është fëmijëria në formimin tonë, në komplekset që do të mbartim për tërë jetën e do të na dallojnë si individë nga njëri-tjetri me të mirën e të keqen që përfaqësojmë. Nëse nuk do të jemi racistë, diskriminues, arrogantë ndaj të brishtëve, pozitivë e të qeshur kudo që jetojmë apo punojmë, a nuk ndikon kjo në një klimë më të mirë të përgjithshme?

E solla në mendje e në këto faqe historinë e Nerit dhe dajresë së tij, por sidomos atë të një qyteti të vogël si Shijaku për ta marre si shembull të një  komuniteti që në vitet '70-'80 merrej më shumë me Art (sado të thjeshtë) dhe jo me jetën e me ngjyrën e lëkurës së të tjerëve.

ner luku

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Përmet/ Po fotografonte natyrën, turistja gjermane bie nga ujëvara, plagoset rëndë në kokë! Transportohet me helikopter te Trauma në Tiranë

Përmet/ Po fotografonte natyrën, turistja gjermane bie nga ujëvara, plagoset rëndë në kokë! Transportohet me helikopter te Trauma në Tiranë