Nesër në Kuvend emrat e
anëtarëve të KQZ-së

Nesër në Kuvend emrat e<br />anëtarëve të KQZ-së
TIRANE- Komisioni Parlamentar i Çështjeve Ligjore i dha sot paradite dritën jeshile katër kandidaturave për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Albana Shtylla, Denar Biba, nga PS dhe Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj nga PD, tanimë i kalojnë seancës së parlamentit për votim. Në cilësinë e relatorit në komision, deputeti Viktor Gumi konfirmoi se kandidaturat plotësojnë kriteret e ligjore.

"Kandidaturat e propozuara i plotësojnë kriteret në nenin 12 pika 2 në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë."-deklaroi Gumi.

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula nuk është mjaftuar me relacionin e kolegut Gumi duke kërkuar që kandidaturat të paraqiten në seancë dëgjimore para komisionit. Propozim i cili u hodh poshtë me votat e socialistëve dhe demokratëve.

Lëvizja Socialiste për Integrim, që ka të drejtën e përfaqësimit me një anëtar, pritet të shkojë me dy propozime në Parlament, përkatësisht, Arben Shkëmbin, komisioner tek Avokati i Popullit dhe Flutura Konën, ish-Avokate e Shtetit në vitin 2000.

KODI ZGJEDHOR
Në zbatim të dispozitave të Kodit Zgjedhor propozimet do ti dërgohen Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore ku do të shqyrtohet përputhshmëria me kriteret e kandidimit. Më pas emrat kalojnë drejt seancës parlamentare për tu votuar nga deputetët. Kryetari i KQZ-së zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve. Për mandatin e kryetarit, i cili zgjidhet me procedurë konkursi, kanë aplikuar disa kandidatë por burimet nga A1 Report sqarojnë se ata nuk gëzojnë mbështetjen e dy partive të mëdha.

OPOZITA KUSHTEZON VOTIMIN E PR/LIGJIT PER NEPUNESIN CIVIL
Opozita ka qëndruar në mbledhje duke dhënë konsensusin për kalimin e kandidaturave për anëtarë të KQZ-së dhe është larguar në momentin kur do niste diskutimi i pr/ligjit për nëpunësit civilë. Deputetët e PS-së u larguan nga komisioni duke kërkuar plotësimin e tre kushteve të tyre. Ata janë zbatimi i vendimeve të gjykatave për këshillin e qarkut Fier, reformën parlamentare dhe zhbllokimin e financave të komunave e bashkive të majta.

”Janë 13 vendime nga Gjykata e Parë deri te e Lartë që vazhdojnë të mos zbatohen nga mazhoranca”- deklaroi deputeti socialist Pandeli Majko. Në mbështetje të tij ka qenë dhe deputeti tjetër socialist Bashkim Fino i cili dhe ai kërkoi zbatimin e vendimeve të gjykatave për Këshillin e Qarkut të Fierit. Opozita kushtëzoi dje dhe votimin e pr/ligjit të Gjykatës së Lartë, i cili nesër do diskutohet në Kuvend.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia