“Nëse e lëmë Europën të marrë fund, atëherë merr fund edhe qytetërimi.”

Me këtë paralajmërim të fortë, ish-presidenti i Komisionit Europian dhe ish-kryeministri italian Romano Prodi argumenton se Bashkimi Europian po kalon një nga momentet më të rëndësishme të historisë së tij dhe se zgjedhjet që do të zhvillohen në disa prej vendeve kryesore të unionit gjatë vitit 2027 mund të përcaktojnë drejtimin që do të marrë Europa në vitet e ardhshme.

Në një intervistë për Focus Europe Italy, Prodi thotë se në Francë, Itali, Spanjë, Poloni, Greqi, Finlandë, Estoni dhe Sllovaki nuk do të vendoset vetëm për qeveritë e ardhshme kombëtare, por edhe për ritmin e integrimit europian.

“Çdo vend ka interesat e veta kombëtare, por ekziston një çështje e përbashkët: vazhdimi ose jo i procesit të integrimit europian. Le të jemi të qartë: asnjë vend nuk do të largohet nga Bashkimi Europian. Nuk do të ishte në interesin e tij dhe qytetarët e dinë shumë mirë këtë. Rasti i vetëm ishte Britania, por në këtë aspekt ajo shërbeu si vaksinë, sepse dështimi i Brexit-it garanton që askush nuk do të largohet më nga Bashkimi Europian”, shprehet Prodi.

Megjithatë, sipas tij, rreziku nuk është shpërbërja formale e unionit, por dobësimi gradual i tij nga forcat anti-europiane.

“Një fitore e partive anti-europiane do të sillte një Europë që do të ishte pak më shumë se një zonë e tregtisë së lirë. Dhe kjo do të ishte tragjike, sepse një Europë e gjymtuar do të na pengonte të luanim ndonjë rol në botë.”

Prodi thotë se debati për sovranitetin europian dhe federalizmin është sot shumë më i pranishëm sesa dy dekada më parë, por ajo që ka ndryshuar realisht është pesha që Europa ka marrë në zgjedhjet kombëtare.

“Diskutimet e 20 viteve më parë ishin të ngjashme me ato të sotmet. Diferenca është se sot kapitulli europian është në plan të parë në zgjedhjet kombëtare. Shuma e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm do të përcaktojë shpejtësinë dhe drejtimin e Europës. Nëse ka rezultate negative në disa vende, Bashkimi Europian nuk do të shpërbëhet, por mund të paralizohet. Dhe nuk e dimë për sa kohë.”

Një pjesë e rëndësishme e intervistës lidhet me marrëdhëniet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara, ku Prodi argumenton se kontinenti duhet të mësohet me një realitet të ri gjeopolitik.

“Tashmë fakti që Europa është vetëm konsiderohet i mirëqenë. Çdo vëzhgues e kupton se edhe pas Trump, Shtetet e Bashkuara nuk janë më motra e Europës si dikur. Është një ndryshim që e kam parë gjatë gjithë jetës sime.”

Ai kujton se presidentët amerikanë të dekadave të kaluara e konsideronin Europën një partner natyral.

“Bushët ishin europianë nga vetë natyra e tyre. Më pas erdhi Clinton, i cili u europian përmes inteligjencës politike. Për Obamën, Kopenhageni dhe Singapori ishin e njëjta gjë. Pastaj erdhi Trump, qartësisht armiqësor ndaj Europës. Por nuk ka më kthim pas te koncepti i Shteteve të Bashkuara dhe Europës si vëllezër natyralë.”

Për këtë arsye, sipas tij, Bashkimi Europian nuk është më thjesht një projekt politik, por një nevojë strategjike.

“Nuk besoj se kjo fazë nacionalizmi dhe populizmi është përfundimtare. Për sa kohë që ekziston Europa, populizmi është një fazë kalimtare. Fati ynë, nëse duam të mbijetojmë, është uniteti europian.”

Megjithatë, Prodi pranon se historia ofron edhe shembuj të kundërt.

“Qytetërimet vdesin gjithashtu. Por unë besoj se Europa ende ka një forcë intelektuale dhe një mesazh kolektiv me peshë të madhe. Problemi është të mos e lëmë të thahet në çmendurinë e një integrimi të dështuar, të një bashkimi të dështuar, i cili është i domosdoshëm.”

I pyetur për përçarjet politike në Itali, Prodi bën një dallim të qartë mes së majtës dhe së djathtës për çështjen europiane.

“Koalicionet janë të ndara për gjithçka. Por qendra e majtë ka një shumicë absolute pro-europiane. Qendra e djathtë jo. Partia kryesore e së djathtës nuk e do Europën dhe kërkon unanimitetin. Partia kryesore e qendrës së majtë e do Europën dhe nuk e do unanimitetin.”

Sipas tij, çështja e emigracionit do të dominojë fushatat elektorale në të gjithë Europën, por jo për arsye ekonomike.

“Fushata për emigracionin do të zhvillohet kudo. Sepse kjo është tragjedia e re e demokracisë, ku çështja kryesore është identiteti dhe jo më interesi ekonomik. Formula e Clintonit ‘është ekonomia, budalla’ nuk vlen më. Tani gjithçka luhet mbi identitetin.”

Prodi sjell si shembull edhe Poloninë.

“Shkova në Poloni për 20-vjetorin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Të gjithë ishin të kënaqur me zhvillimin që kishte sjellë Europa. Por më pas zgjodhën një president anti-europian që akuzon Europën se nuk respekton rrënjët polake.”

Megjithatë, ai mbetet i bindur se projekti europian do të vazhdojë.

“Duhet kohë, sepse është ndërtimi i parë politik në histori që nuk bëhet me armë, por me pëlqimin demokratik. Për Europën duhet të themi: ‘Është demokracia, budalla’. Kjo është sfida jonë.”

Në fund, Prodi rikthehet te ajo që e konsideron pengesën më të madhe për Bashkimin Europian: rregulli i unanimitetit.

“Kjo është e dukshme për sa kohë që vazhdojmë me çmendurinë e unanimitetit. Europa jo vetëm që luan në mbrojtje, por nuk di as të mbrohet, sepse nuk ka as unitet veprimi. Problemi i vërtetë është kalimi nga unanimiteti drejt një Europe demokratike ose drejt një Europe me nivele të ndryshme integrimi. Përndryshe mbetemi të paralizuar.”

Dhe pikërisht këtu, sipas tij, qëndron edhe prova më e madhe për të ardhmen e unionit.

“Europa funksionon dhe ecën përpara përmes demokracisë. Ky është një proces që nuk ndalet, përveçse nëse arrijmë te vetëshkatërrimi. Dhe po, qytetërimet marrin fund. Por nëse e lëmë Europën të marrë fund, atëherë merr fund edhe qytetërimi.”