Nëse groposim kompleksin e Rozafës

Nëse groposim kompleksin e Rozafës
Në legjendat e popujve, në fjalët e urta që na vijnë nga thellësia dhe eksperienca e kohëve, përcillen virtyte, por dhe defekte që një grup njerëzish i karakterizojnë. Mes të mirave të pafundme që  kemi ne shqiptarët, një kompleks i vjetër sa ne vetë, mbi kokë na qëndron: Ai i Rozafës.  Atë që dikush e ndërton ditën, të tjerë, natën e shkatërrojnë. Dhe për të ndërtuar, më i drejti, i vogli e më i padjallëzuari, duhet të sakrifikojë më shumë se të tjerët. Gjithmonë. Këto ditë zhvillimesh politike seicili prej nesh, nëse partitë kryesore i identifikon me vëllezërit shkodranë që do të ndërtonin Kështjellën e Rozafës, e vendos vetë se kush duket të jetë vëllai i madh, i mesmi e më i vogli në dëshirën, punën dhe faktet konkrete për të ndërtuar Shqipërinë Europiane. Këtë, seicili mund ta bëjë vetëm duke parë mirë e duke njohur akoma më mirë njerëzit dhe ngjarjet. Ndërsa për mua, një ëndërr e madhe është groposja përgjithmonë e Kompleksit të Rozafës, që na torturon.
 
Në shoqëritë moderne, politika dhe marrëveshjet e saj bëjnë të mirë ose të keqe mirëqënien e një populli. Edhe pak fati, mendoj; në kohë të caktuara, prurjet njerëzore edhe në politikë duket sikur janë si të korrat apo frytet e një viti: herë të mbara e herë jo dhe aq.
 
Për 45 vite diktaturë "të mbjellat e të korrat" mund të konsiderohen të mbara në ndërtim apo rindërtim për popullin shqiptar, por nga ana njerëzore ishin një fatalitet, pasojat e të cilit edhe sot e kësaj dite i vuajmë e i ndjejmë. 45 vite diktaturë mbyllën jo vetëm kufijtë fizikë për shqiptarët, por edhe kufijtë e ëndrrave, të mendimeve, të ndjenjave. Përmes propagandës u deformuan ato. Njeriu i ri ishte, ashtu siç u pasqyrua e mbeti në art, me shumë muskuj, por me pak mëndje e zemër për të vetëvepruar. Partia dhe Enveri mendonin për shqiptarët, ndërkohë që breza të tërë u çmësuan të mendonin e logjikonin me faktet dhe veprimet që shihnin vetë: pra, me kokën e tyre.
 
Aroma e lirisë pas viteve '90, për të gjithë, ishte një dehje e ëmbël, por varka e shqiptarëve të lirë jo gjithnjë kishte një ekspert të dallgëve, në ballë të saj. E megjithatë, herë duke u përplasur, herë duke u zhytur, herë duke dalë në breg, 25 vite kanë nisur tashmë të japin format më të qarta të një Shqipërie më të qëndrueshme, të një Shqipërie që po shkon drejt Perëndimit: Arrijmë të lëvizim lirshëm pa viza në Europë e në disa vënde të tjera të botës (dhe ne shqiptarët nuk duhet ta harrojmë shijen e hidhur të orëve të gjata nëpër ambasada). Kemi nisur të shijojmë për turizëm vendet më të humbura të Shqipërisë që deri para pak vitesh të paimagjinueshme për t'u prekur. Shkojmë në Prizren si në një "fluturim" edhe kjo e pamundur disa vite më parë. Nga Tropoja, Tamara, në Ersekë, Memaliaj, Librazhd, Himarë, Shijak, Delvinë... qytetet po ndryshojnë. Po lënë atë maskën e mjerimit e degradimit, trishtimit dhe po rifitojnë dinjitetin e qëndrave që mund të shndërrohen në kënaqësi banimi e turizmi.
 
Shumë gjëra janë bërë gabim në Shqipëri, të tjera janë bërë mirë, por në rrugëtimin tonë nuk ka kohë për të humbur. Dhe vec kohës, nuk ka sens për të shkulur asnjë gur që cilido ka vënë për zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Këto ditë parazgjedhore duket sikur disa koka nxehen, të tjera mërziten e shqetësohen, por nëse të gjithë kemi në fokus të mirën e përgjithshme, shansin që na e kanë dhënë këto vite stabiliteti, atëherë, së bashku mund të groposim kompleksin shkatërrues e sakrifikues të Rozafës. Përgjithmonë.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare