Nëse në vend të fjalës siçilian, vendosim fjalën shqiptar?

Nëse në vend të fjalës siçilian, vendosim fjalën shqiptar?

Tetatri antik i Taorminës në Siçili

Siçilia është një ishull i bekuar dhe i mallkuar, i bukur dhe i shëmtuar, me një elegancë akritekturore të lashtë, por dhe me brutalizëm modern therës, i pasur dhe i varfër; vendi i Mafias siçiliane, ndër më të frikshmet dhe famëkeqet në botë, por dhe vendlindja e gjykatësve antimafia Paolo Borsellino dhe Giovanni Falcone, të dy të lindur në Palermo e të dy të vrarë barabarisht nga Mafia pikërisht aty.

Të rinj, intelektualë, burra, gra të këtij ishulli, -  që duket se Italia e madhe me formën e çizmes kërkon t’i japë një shkelm me majën e saj përjetësisht, - janë në debatin e përhershëm se si ta bëjnë më të mirë vendin e tyre të origjinës, çfarë nuk shkon dhe si mund të heqin nga kurrizi vulën e tmerrshme “mafiozë”. Për ta është shumë e rëndësishme të përmirësohen, të nxjerrin në dritë të keqen dhe ta mjekojnë. Eshtë një luftë e pandalshme. Dhe kjo perceptohet dhe në opinionin e një siçilianeje të talentuar si Viola Di Grado, e cila, në këtë reflektim të botuar në britaniken “The Guardian” bën pikërisht këtë gjë.

E di që ka shqiptarë që sa mund t’u përmendesh një siçilian iu shkon mendja të një mafioz, ashtu siç e di që ka siçilianë dhe italianë që sapo t’u përmendësh një shqiptar, mendja iu shkon te një trafikant. Por ajo që bëjnë elitat e një shoqërie, si dhe kjo shkrimtare, është që të orientojnë ata që i lexojnë në drejtimin e duhur kundër steriotipeve, kundër përbuzjes racore, krahinore dhe diskriminimit të minorancave. Atëherë, për të parë se gjëra më të mëdha na bashkojnë kudo që të kemi lindur e kudo që të kemi emigruar, nëse në këtë opinion të Di Grado-s, vendosim emrin shqiptar në vend të siçilianit dhe Shqipërinë, në vend të Siçilisë, a jemi dakord me atë që Viola Di Grado shkruan? Por sidomos, a jemi dakord të bëjmë kapërcimet që ajo shkruan në paragrafin e fundit të artikullit të saj? A duhet të bëjmë tifozllëk për njëti-tjetrin ngado që të vijmë e kudo vendosim të jetojmë?

Shkrimi është ky më poshtë:

Titulli: Siçilianët janë rritur të urrejnë ishullin e tyre dhe ata mes nesh që ikin, shihen si armiq

Nga Viola Di Grado*

Pushtimet e përhershme, varfëria dhe hija e mafies i bëjnë njerëzit të largohen për një jetë më të mirë. Çfarë do të duhet për të shmangur këtë ‘arratisje truri’ dhe për të krijuar një ndjenjë më të shëndetshme identiteti dhe përkatësie?

 

E mërkurë 21 gusht 2024

Kur u transferova nga Italia në Londër 15 vjet më parë, një nga gjërat që m'u duk më e çuditëshme ishte se si, në një qytet kaq të madhe dhe multikulturor, njerëzit prireshin ende të formonin grupe shoqërore bazuar në vendin nga vinin. Në fillim mendova se kishte të bënte me personalitetin tim, por një ditë arsyeja u bë më e qartë kur hyra në një kafene. Ndërsa porosisja, duke njohur theksin sicilian të baristit, ia ktheva në italisht dhe i shpjegova se isha edhe unë nga Siçilia: atëherë buzeqeshja e baristit u shua dhe toni i tij u bë shumë i vrazhdë.

Gjatë muajve në vijim, kam pasur incidente të ngjashme në bare dhe restorante. Sa herë që përpiqesha të bëja një bisedë me një sicilian, ata ma kthenin ftohtë. Duke reflektuar, kuptova se në Siçili njerëzit ishin të lidhur për shkak të ndjenjës së tyre të mospërkatësisë. Ky sens i perceptuar nga vendlindja jonë dhe bashkëbanorët e ishullit është një mallkim që çdo sicilian e mbart, por jo gjithmonë e di.

Gjatë viteve të fëmijërisë dhe adoleshencës sime, bisedat e përsëritura në darkat familjare dhe mbledhjet e miqve vërtiteshin në ankesat e ashpra për Siçilinë dhe sicilianët. Qoftë për institucionet apo sjelljet morale të individëve, çdo anekdotë kishte për qëllim të provonte sesi shoqëria siçiliane ishte e dënuar të dështonte.

Hija e mafies dhe korrupsionit varej mbi ishullin tonë të bukur, kështu që kur prindërit e mi më pyetën se pse doja të shkoja në veri të Italisë për universitet dhe as të shikoja në fillim se çfarë ofronin universitetet lokale, m'u duk sikur ishte një pyetje surreale e ngjashme me një enigmë të pazgjidhshme Zen: Unë isha mësuar aq shumë të përbuzja vendin ku isha rritur sa nuk e kisha menduar kurrë të qëndroja pas diplomimit tim. Vetëm më vonë kuptova se një zemërim i tillë kokëfortë nuk ishte e vetmja marrëdhënie e mundshme që mund të kishe me vendlindjen tënde.

Migrimi masiv i sicilianëve në veri të Italisë ose jashtë saj (shpesh të dyja, në dy hapa) ka qenë gjithmonë një problem i madh. Që kur u largova, më shumë se 25,000 studentë të universitetit sicilian janë shpërngulur në universitetet në Italinë qendrore dhe veriore ose jashtë vendit dhe nuk janë kthyer më, duke e lënë ishullin me një mungesë profesionistësh të rëndësishëm si mjekët, aq sa në mars u desh të punësohej staf spitalor nga jashtë për të plotësuar 1494 vende vakante. Në Messina, qyteti ynë i tretë më i madh, popullsia ka rënë me 9% gjatë një periudhe 20-vjeçare nga viti 2001, duke lënë një prevalencë të moshave mbi 65-vjeçare.

Ky fenomen sigurisht nuk është unik për Siçilinë, por ndërsa një eksod i të rinjve dhe të arsimuarve zakonisht quhet "brain drain" në anglisht, në italisht është gjithmonë një "fuga dei cervelli" – pra arrati e trurit -. Ky ndryshim është i rëndësishëm sepse, ndërsa koncepti i një largimi është thjesht përshkrues dhe nuk përmban gjykim, një arratisje është një veprim i dëshpëruar dhe vullnetar: ti arratisesh nga një burg dhe e bën sepse ndjen se nuk ke zgjidhje (një thënie popullore në Siçili është “cu nesci arrinesci”, “largimi është arritje”).

Por pse është kaq e pashmangshme të ikësh dhe kaq tragjike të qëndrosh? Nëse pyeten, shumica e studentëve do të thoshin se zgjedhja e tyre ishte e motivuar nga arsye arsimore dhe ekonomike, dhe Siçilia ka vërtet një normë papunësie shumë më të lartë prej 15.9%, kundrejt mesatares kombëtare prej 7.9% dhe mesatares së Italisë veriore prej 4.6%. Renditet gjithashtu si rajoni më i varfër italian për sa i përket të ardhurave mesatare. Ne kemi një histori të boshllëqeve të mëdha investimesh midis veriut dhe jugut, dhe kjo ka të ngjarë të përkeqësohet nën qeverinë e Giorgia Melonit pasi një projekt-ligj që u miratua në qershor lejon rajonet më të pasura veriore të mbajnë më shumë për vete nga të ardhurat e tyre – një lëvizje që është mbështetur prej kohësh nga krahinat italiane veriore – duke e lënë Italinë jugore me edhe më pak burime financiare.

Por, mendoj, urgjenca e sicilianëve për të ikur dhe neveria jonë ndaj vetvetes i kanë rrënjët më të thella: ato janë të rrënjosura thellë në identitetin tonë historik si dëshmitarë të pushtimeve të përhershme. Nga bizantinët te arabët myslimanë dhe berberët, te normanët dhe më pas spanjollët, ne kemi qenë shesh lojërash kulturore e një sërë qytetërimesh që na lanë me pamundësinë e plotë për të forcuar identitetin tonë dhe me një dëshirë të brendshme për t'u arratisur.

Kohët e fundit, megjithë përpjekjet e ishullit për t'u distancuar nga imazhi i tij mafioz, e vërteta e trishtueshme është se ndërsa bukuria dhe ushqimi i tij i shijshëm tërheq tani turistë nga e gjithë bota (pjesërisht për shkak të shfaqjeve televizive si The Ëhite Lotus), motivi i errët historia e saj ende ushqen shumicën e narracioneve.

Kjo nuk ndihmoi kur djali i një ish-bosi mafioz postoi një mesazh në rrjetet sociale duke i uruar ndjekësve të tij "gëzuar festën" në Ferragosto - festën kombëtare të Italisë më 15 gusht. Ai përdori adresën e vjetër të familjes në qytetin e Corleone (i bërë famëkeq në Padrinon), edhe pse adresa mori emër tjetër gjashtë vjet më parë në nderim të gjykatësit antimafia Cesare Terranova, i vrarë nga mafia në 1979. (Postimi u redaktua më vonë pasi zemëroi dhe mërziti banorët e qytetit.)

Ndërsa, vetëm muajin e kaluar, një mik britanik më dërgoi në Instagram  një reel të komedianit Jimmy Carr duke bërë shaka me një çift italian që jetonte në qytetin e qetë dhe periferik të Hemel Hempstead, duke komentuar se ata duhet të ishin dërguar atje për një program zhvendosjeje të dëshmitarëve mafiozë. Mediat italiane, gjithashtu, ende na portretizojnë përmes stereotipeve të kriminelëve dhe përtacëve, me shfaqje televizive të zakonshme që ushqehen me idenë e përhapur të një ishulli të prapambetur folkloristik.

Jam përpjekur të mbaj kontakte me miqtë e mi në Siçili, por më kot: herën e fundit që pashë njërën prej tyre, kur isha në shtëpi për Krishtlindje, ajo tha: "Ndjej për ty një përzierje admirimi dhe zilie" dhe më pas pushoi së përgjigjuri mesazheve të mia. Siçilianët duket se kanë dy zgjedhje: ose të falsifikojnë identitetin e tyre si mërgimtarë të tjetërsuar që kanë ikur nga atdheu ose të bëhen vendas të zemëruar që kanë qëndruar në ishull.

Unë besoj se hapi i parë drejt ripërcaktimit të marrëdhënieve tona me veten në një mënyrë më të shëndetshme duhet të jetë një ndryshim në narrativat, të ushqyera mbi baza politike nga një përmbysje drastike e planeve financiare të qeverisë, duke i mohuar jugut të Italisë të aksesojë më shumë burime.

Në të njëjtën kohë, unë besoj se në peizazhin e trazuar politik të sotëm – i provokuar shpesh nga ndjenjat nacionaliste ekstremiste që përçajnë në emër të unitetit – rasti i Siçilisë na jep gjithashtu ne evropianëve mundësinë për të rimenduar idetë për përkatësinë – ne duhet të mbështesim dhe të bëjmë tifozllëk për njëri-tjetrin, ngado që jemi dhe kudo që vendosim të qëndrojmë.

 

*Viola Di Grado është një romanciere dhe përkthyese letrare italiane. "The Guardian"

xy/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!