Duke ngritur para gjykatës pyetje për legjitimitetin e pushtetit që e privoi nga liria dhe ushtrimi i detyrës, kryebashkiaku Veliaj shtoi nëse një qytetari i duhet të heshtë dhe mos të kërkojë kontroll. Sipas tij, kjo do të sillte vetëm një pushtet penal që nuk do të kontrollohet dhe si rrjedhojë, s’është drejtësi, por arbitraritet.
“Kush mund të legjitimohet më shumë për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë së këtij autoriteti sesa vetë qytetari, liritë dhe të drejtat themelore të të cilit janë cenuar drejtpërdrejt nga ushtrimi i tij? Kush mund të legjitimohet më shumë sesa një individ të cilit i është hequr liria personale, i është kontrolluar jeta private, i është ndërprerë ushtrimi i mandatit publik dhe ndaj të cilit është ushtruar forma më intensive e pushtetit penal të shtetit? Dhe po kështu, kush mund të legjitimohet më shumë sesa vetë Bashkia e Tiranës, institucionit të cilit iu ndërpre ushtrimi normal i mandatit të kryetarit të zgjedhur, si pasojë direkte e ushtrimit të këtij autoriteti? Sepse në fund fare, pyetja bëhet akoma më e thjeshtë sesa gjithë ky proceduralizëm përpiqet ta paraqesë: Çfarë duhet të ndodhë më shumë mbi një qytetar dhe mbi një institucion demokratik, që ata të kenë të drejtën t’i kërkojnë gjykatës verifikimin e ligjshmërisë së pushtetit që është ushtruar mbi ta. Apo mos duhet që qytetari të heshtë fare? A duhet të pranojë çdo ndërhyrje mbi jetën, lirinë dhe dinjitetin e tij, pa pasur të drejtën t’i kërkojë gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet mbi të? Sepse nëse kjo është logjika që pranohet, atëherë ne nuk kemi më një shtet të së drejtës. Atëherë kemi një pushtet penal që kërkon të qëndrojë jashtë kontrollit. Ky pushtet i pakontrollueshëm nuk është drejtësi. Ai është arbitraritet”, tha Veliaj.
Lajmi kryesor:
Padia kundër Dados/ KLP: Veliaj të moslegjitimohet si paditës! Kryebashkiaku kërkon të njihet me prapësimet, shtyhet seanca









