Çfarë ndodh nëse lufta troket në derë? Në Lituani, autoritetet kanë tashmë një përgjigje.

Vilniusi ka bërë publik planin e evakuimit për rastet e një kërcënimi ushtarak ose të një krize të madhe, duke përcaktuar edhe drejtimet nga ku do të largohen banorët nëse situata e sigurisë përkeqësohet. Një prej korridoreve kryesore të evakuimit do të jetë drejt Polonisë, ndërsa rrugë të tjera janë parashikuar në veri dhe perëndim të vendit.

Shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile të Bashkisë së Vilniusit, Zhigimantas Solovjovas, tha se koha dhe drejtimi i evakuimit do të varen nga vendndodhja dhe niveli i kërcënimit. Sipas tij, plani është përditësuar rreth një vit më parë dhe parashikon që largimi i popullsisë të organizohet nga autoritetet, në mënyrë që të shmanget një eksod i pakontrolluar.

Por zyrtarët japin edhe një paralajmërim të qartë: qytetarët nuk duhet të presin që të largohen pasi bombardimet kanë nisur.

"Banorët e Vilniusit nuk duhet të presin të largohen nga qyteti përgjatë rrugëve të evakuimit gjatë bombardimeve", u shpreh Solovjovas. Ai theksoi se nëse sulmi ka filluar, banorët duhet të kërkojnë strehim dhe jo të përpiqen të largohen nga qyteti.

Në të njëjtën kohë, edhe Polonia po përgatitet për një skenar të tillë. Autoritetet në rajonin verilindor të Podlaskies po punojnë për krijimin e një korridori tranziti për qytetarët që mund të evakuohen nga Lituania dhe shtetet e tjera baltike. Në përgatitje janë përfshirë pushteti vendor dhe strukturat përkatëse, me synimin që të mund të priten të evakuuarit dhe të koordinohet transporti i tyre i mëtejshëm.

Sipas Radios Polake, këto masa lidhen me situatën e sigurisë në kufirin lindor të Polonisë dhe me rrezikun e një përshkallëzimi të konfliktit. Megjithatë, autoritetet sqarojnë se bëhet fjalë për plane emergjence dhe jo për një urdhër evakuimi.

Lituania, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe me Bjellorusinë, aleaten më të afërt ushtarake të Moskës. Plani i evakuimit ishte hartuar përpara incidentit të kësaj jave, kur një dron nga Bjellorusia hyri në hapësirën ajrore lituaneze dhe u rrëzua nga një avion luftarak i NATO-s. Ministri lituanez i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, deklaroi se në dron ishte gjetur një mjet shpërthyes.a