Dita e Verës simbolizon fillimin e një stine plot ngjyra, lule dhe gëzim. Festa nis që në mbrëmjen e 13 marsit, kur njerëzit mblidhen me familjen dhe miqtë për të përgatitur ëmbëlsirat dhe ushqimet tradicionale.

“Kjo ka vezë të ziera, misra të ziera, ballokumet, pulën e detit me oriz. Sonte në darkë është nata e verës. Sonte hahet dhe ballokumja. Sonte vendosen dhe veroret. Sonte urohen dhe përqafohen të gjithë miqtë."

“Neve bëjmë ndonjë pulë të pjekur, ndonjë ëmbëlsirë nuk i harrojmë.”

Një nga traditat më të bukura të Ditës së Verës janë veroret. Të punuara me fije të kuqe e të bardha ato vendoset në dorë dhe simbolizojnë fat, shëndet dhe mbrojtje nga e keqja.

“Hiqet kur vjen dallëndyshja e parë. Atëherë kur shikon dallëndyshen, se më thotë dhe nipi: “o nënë s'kam parë dallëndyshe” “ngrije kokën” i them “se ka ardhur”. Atë e vendosim në një degë luleje peme ku të jetë dhe kjo është urim mbarësi shëndet për të gjithë.”

Tiranë janë organizuar një sërë aktivitetesh me muzikë, pana dhe programe kulturore në sheshet kryesore. Rreth 50 veprimtari të ndryshme janë programuar në kryeqytet, nga ora 09:00 e mëngjesit e deri në mesnatë.

“Nga sheshi Skënderbej ka shumë aktivitete që i përshtaten edhe fëmijëve. Janë shumë animacione, ka festa me hand craft, ka tollumba ka muzikë, ka festë e cila i përket festës së ballokumes. Nga Galeria e Arteve deri poshtë te Kryeministria ku Albania Night ka një festë shumë të bukur përsa i përket traditës. Do të jetë rreth dy orë aktivitet, çdo gjë folk. Aktivitete sportive do të ketë gjithashtu shumë duke nisur që tek aktiviteti i biçikletave për të përmbyllur me lojëra me qenush”,- thotë Alma Hoti, nga Drejtoria e Promovimit në Bashkinë e Tiranës.

Hapësira të veçanta u janë dedikuar të gjitha grupmoshave.

“Janë kryesisht me festat me DJ, me muzikë la dhe me këngëtarë që janë të preferuar nga rinia. Street parti që bëhet gjithmonë traditë do të jetë tek pjesa e bllokut ku rruga do të jetë e bllokuar dhe rinia do të mund të shijojë çdo gjë që i përket festës rinore. Ne jemi zhvendosur edhe përtej Tiranës edhe në Pezë do të ketë një festë shumë të madhe dhe të bukur e titulluar Behar në prezë, ku do të jenë këngëtarë shumë të mirë dhe shumë të rëndësishëm të muzikës tonë",- thotë Hoti.

Edhe për fëmijët Bashkia e Tiranës ka menduar aktivitete argëtuese, kryesisht në Parkun e Liqenit Artificial dhe parkun Rinia.