Riatdhesimet/ Balluku te 'Pa Protokoll' sqaron problemin me dhomat teke: 10 mijë shqiptarë duan të kthehen, mos prenotoni pa dalë data e fluturimit

TIRANE-Nesër rinisin fluturimet nga Italia dhe Turqia për riatdhesimet e shqiptarëve që kanë mbetur jashtë kufijve. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh në një intervistë në emisionin 'Pa Protokoll' në Report Tv se numri i shqiptarëve që kërkojnë që të riatdhesohen deri tani ka arritur në 10 mijë. "As nuk e imagjinon ngarkesën, pasi janë mbi 10 mijë shqiptarë që duan të kthehen" tha ajo.

Një emigrante shqiptare në Itali, Valbona Bajramaj në një lidhje me Skype me emisionin tha se në sistem nuk arrin të gjejë dhoma teke dhe në momentin që tenton të prenotojë te dhomat dyshe, i kërkohen të paguajë dy bileta avioni. "Kur plotëson formularin nëse nuk ka dhoma teke dhe shkon tek dhoma dyshe janë dy persona dhe duhet të plotësosh. Unë jam vetëm se nuk kisha emrin e kujt të jepja se jam vetëm. Nuk mund të paguaja për dy se jam një.

Nuk më duket e arsyeshme të paguaj një dhomë dyshe kur jam një. Pse të prenotoja dhomën dyshe dhe të paguaj dy bileta. Kjo u ka ndodhur shumë personave, thanë se ishte problem teknik për momentin. Jam gati të bëj karantinimin sikur e kërkon rregullorja, cdo gjë e vetë paguaj, nuk po pres nga shteti, se shteti nuk ka mundësi të mbajë veten jo mua. Por dy bileta me një nuk i paguaj. Kjo është situatë e çuditshme' tha ajo.

Por, ministrja theksoi se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë. Ajo shpjegoi se ata që do të kthehen në dhomë nuk do të rrinë me të panjohur dhe do të paguajnë vetëm për veten e tyre, pasi shteti paguan në bazë të listave që zbresin në Rinas. Balluku theksoi se me cështjen e akomodimit në hotele po merret ministri Klosi, por siguroi qytetarët se "Nëse nuk ka dhoma teke, do të ketë dhoma teke".

"Zonja dhe të gjithë të tjerët në këto momente në kushte paniku, unë kam folur personalisht me shumë njerëz. Njerëzit që po kërkojnë që të kthehen janë në një proces të vështirë sepse dëgjova edhe zonjën, por pa ia marrë për të keq.  A ka mundësi një person të plotësojë dy bileta avioni? Nuk është cështja te pagesa, që të udhëtosh me avion nuk mund të marrë dy bileta, pasi cdo biletë e lidhur me një emër dhe një pasaporta. Ju kërkoj që të jeni të saktë me informacionin. Në Itali jemi në procedurë për të sjellë edhe trupat. Është një proces i vështirë, edhe në Egjipt kemi njerëz. Po merresha me një familje me 4 anëtarë të izoluar, pasi asnje aeroport ne Europe nuk pranon udhetime nga Egjipi. Nuk ka dhoma teke...që kjo është për t'u parë me hotelet, kolegu im Klosi i cili është personi që merret me hotelet, ai i ka kontaktet. Ne jemi një grup ndërministror.

Në këtë stres dhe kaos qeveria po bën maksimumin. Nëse nuk ka dhoma teke, do të ketë dhoma teke. Nuk do të rrinë me shokë dhome të panjohur dhe nuk do të paguajë tre kuota. Nuk do të rrinë me të panjohur, mekanizimi është i qartë, që ti prenoton karantinën, nuk është dhomë hoteli, karantinë dhe blen biletën e avionit, shteti kompenson fjetjen dhe akomodimin, 14 euro nga 21 që kushton karantinimi e paguan shteti. Shteti paguan në bazë të listave që zbresin në Rinas. Ju duhet të paguani vetëm veten tuaj, nëse jeni të shoqëruar, atëherë paguani edhe për ata, ndryshe vetëm për veten" tha ajo.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:52
Karantina në Durrës, Balluku: Hoteli do të ruhet nga ushtria, kamerat nga policia

Ministrja e Infrastrukturës u shpreh se hotelet në Durrës ku shqiptarët e riatdhesuar do të bëjnë karantinën 14 ditë do të jetë në monitorimin e ushtrisë në terren, ndërsa policia do të kontrollojë kamerat.

"Sigurisht që ka një faturë, pasi 14 nga 21 euro që kushton karantinimi do ta paguajë shteti. Ne e kemi quajtur si detyrë shtetërore. Hotelet do të ruhen nga ushtria dhe kamerat e brendshme do të monitorohen nga policia e shtetit. Nuk mund të lejojmë që sakrificat të shkojnë dëm. Ka një faturë, pasi shteti do të mbulojë kostot e akomodimit dhe ata do të paguajë vetëm ushqimin" tha ajo.

Në fund, ministrja komentoi edhe situatën në Suedi, një vend që nuk ka marrë masa drastike. "Suedia e ka trajtuar ndryshe COVID-in, cdo shtet ka nuancat e tij, qeveria shqiptare e ka trajtuar ndryshe, projeksionet kanë qenë për 2 mijë e ca të vdekur, por ju e dini se numri është i vogël. E kemi menaxhuar mirë" tha ajo.

Ora 21:37
Formulari për riatdhesimin, Balluku: Prenotimin bëjeni vetëm pasi të dalë data e fluturimit

Ministrja Balluku u kërkoi të gjithë shqiptarëve që janë jashtë vendit dhe duan të kthehen në atdhe që të bëjnë kujdes në momentin e plotësimit të formularit. Formulari dhe kërkesa për prenotimin e hotelit duhet të bëhet në momentin që shpallet data e fluturimit dhe jo më parë.

"Ndërkohë që nuk janë hapur fluturimet nga Londra dhe Parisi, ndërkohë që udhëtarët kanë prenotuar hotelet, por është gabim, pasi hoteli është i lidhur me datën e fluturimit. Duke blerë shtretërit sot i kanë bllokuar shtretërit atyre që duhet të blejnë që vijnë nga Italia. Të gjithë sot janë ngritur dhe kanë blerë shtretërit e karantinës. Por nuk duhet të shkojë kështu.

Ju duhet të shikoni se kur Franca fluturon në datë 24 prill, ju duhet të prenontoni nga data 24 dhe 14 ditë në vijim. Hotelet sot kanë marrë mbi 530 kërkesa, vendet në avion janë 436, por ky është një problem. Pra duhet të hapet thirrja e fluturimit që ju të blini shtretërit. Problemet janë të shumta përsa i përket përdorimit të sistemit duke qenë se është elektronik. Ju lutem me qetësi, dihet që vala e parë është më e madhe, pasi krijohet konfuzion" tha ajo. 

Ora 21:36
Riatdhesimet/ Balluku: Kemi kërkesa shumë, ja destinacionet e reja që po shikojmë

Ministrja Balluku tha në Report Tv se përpos destinacioneve që janë shpallur po shikohen edhe të tjerat për kthimin e shqiptarëve në atdhe. "Ne kemi kthyer një mijë shqiptarë para pak javësh dhe të gjitha grupet në nevojë. Kërkesa është shumë e madhe, të gjithë, avioni i Romës, Milanos dhe Stambollit deri të hënën janë plot. Por të ndihen të qetë qytetarët se kemi marrë masat.

Të tjerat destinacione janë Frankfurti, qytetarët janë njoftuar. Pra Roma, Bari, Milano, Parisi, Frankfurti dhe Londra. Qytetarët nga Zvicra duhet të aksesojnë Parisin. Po shikojmë të aksesojmë Belgjikën ose Holandën si destinacion tjetër ose Luksemburgun. Ka një plan ndoshta për Vjenën, pasi ndoshta është më e lehtë që të aksesohet kufiri nga vendet e tjera Europiane" tha ajo.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë