Nesër fillon muaji i Ramazanit për besimtarët myslimanë/ Kalendari i agjërimit

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Muaji i Ramazanit fillon ditën e mërkurë, më 16 maj dhe mbaron më 14 qershor 2018. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë uron mbarë myslimanët shqiptarë agjërim të lehtë e adhurim të pranuar. 'Le të sjellë ky në familjen e çdo shqiptari paqe, qetësi dhe harmoni' thotë Skënder Bruçaj në mesazhin e tij për besimtarët.

Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni, në Shqipëri, në trevat Shqiptare, si dhe në mbarë botën. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Nesër me datë 16 maj është dita e parë e muajit të madhnueshëm të Ramazanit, është dita e parë e agjërimit të këtij muaji ku mbizotëron paqja, solidaritetidhe ku dalin në pah vlerat që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror.

Agjërimi në Islam është institucion i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror. Agjërimi i muajit te Ramazanit i afron besimtaret me shume me  vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit.

Çdo besimtar gjate ketij muaji ndjehet më afer dhe më mirënjohës ndaj mirësive të Zotit te Boterave

Të nderuar vëllezër e motra!

Ne nuk duhet të harrojmë se njerëzit sot kanë nevojë për mëshirë, duke agjëruar ne bëhemi më të mëshirshëm. Shoqëria jonë sot ka nevojë për drejtësi, duke agjëruar ne bëhemi më të drejtë. Familja jonë ka nevojë për dashuri dhe ngrohtësi, duke agjëruar ne bëhemi më të dashur. Të afërmit dhe fqinjët tanë sot kanë nevojë për përkrahje, duke agjëruar ne bëhemi më të ndjeshëm ndaj halleve dhe nevojave të tyre.

Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërushëm është momenti më i volitshëm ti kërkojmë Zotit falje. Allahu thotë në Kur'an:

“O robërit e Mi, që e keni ngarkuar veten tuaj me mëkate, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse vërtetë Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është që falë shumë dhe i mëshirshëm”

Te nderuar besimtarë!

Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, për të trokitur në portën e Mëshirës së Pafundme, të të Gjithëmëshirshmit, një rrugëtim drejt edukimit moral e shpirtëror, drejt maturimit te zemrave,drejt fisnikërimit te ndjenjave drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Krijuesin e Gjithësisë, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare kudo që ndodheni, ju uroj përzemërsisht edhe njëherë muajin e begatë të Ramazanit. Zoti na dhëntë shëndet,paqe dhe begati në familjet tona dhe në mbarë shoqerinë!

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

INFORMACION NGA KMSH PER MUAJIN E RAMAZANIT

MUAJI I BEKUAR I RAMAZANIT
Ramazani vjen me rrjedha kuptimesh dhe emocionesh, që ujisin zemrat e thara dhe të etura, duke e favorizuar botën e brendshme të njerëzve për kuptime dhe koncepte të reja. Në ditët, orët dhe minutat e këtij muaji të bekuar, zemrat bëhen aq të kthjellëta dhe arrijnë kaq thellësi shpirtërore, saqë njerëzit kurrë nuk dëshirojnë të largohen nga atmosfera e tij paqësore. Në këtë mënyrë, këta njerëz të përkohshëm arrijnë në gradën e qenieve të përjetshme, ndërsa çdo sjellje e tyre, e programuar sipas shpirtit të tyre të adhurimit, arrin vlera ceremonish parajsore.

Për të vëmendshmit e këtij muaji, iftaret mbushen me ndjenjën e adhurimit dhe thuajse bashkëngjiten me teravitë; syfyret ndërthuren me namazin e natës dhe marrin pjesë prej afrimit me Mëshirëplotin; rrugët mbushen me udhëtarët e xhamive, faltoret oshtijnë si Qabja me tekbire; tregjet sikur kthehen në faltore dhe faltorja vetë sikur shndërrohet në Qabe.

Çdo zë, çdo lëvizje, çdo hap dhe çdo veprimtari në këtë muaj, në mënyrën e tyre, na bëjnë të ndihemi pjesë e spiritualitetit të Ramazanit. Ndërsa mundohemi ta përjetojmë atë thellë në gjokset tona, ky muaj, me momentet më të zjarrta, na dhuron ndjesi e emocione të veçanta. Duke i ofruar shpresë e vullnet “etjes” së zemrave tona, ai iu rikthen gëzimin syve të përlotur dhe buzëqeshjen fytyrave të brengosura.

Prandaj, nuk duam kurrsesi që Ramazani të largohet; nuk duam por, sikurse çdo gjë që vjen duhet të ikë kur t’i vijë koha, edhe ai, si një i ftuar gëzimsjellës, vjen e, pasi qëndron njëfarë kohe, largohet. Pas tij vjen Bajrami, si kurorëzuesi i vetëm i gjithë pasurive të këtij muaji magjepsës.

AGJËRIMI I RAMAZANIT
Agjërimi i muajit të Ramazanit konsiston në privimin me vetëdije nga ngrënia dhe pirja prej agimit deri në perëndim të diellit.

Myslimani e agjëron këtë muaj sepse është urdhër i Zotit dhe këtë vetëm për të fituar kënaqësinë e Tij. Gjithsesi në këtë adhurim, si në çdo adhurim tjetër, ka një sërë urtësish e dobish shpirtërore, psikologjike, sociologjike, shëndetësore, etj. Ky adhurim që e ngre njeriun në nivelin e engjëjve, i kujton atij vlerën e mirësive dhe Dhuruesin e vërtetë të tyre; duke i vënë fre egos e maturon atë; duke e bërë bashkëvuajtës me shtresat në nevojë, i mëson atij durimin dhe e bën të përgatitur të përballojë vështirësitë e mundshme të jetës.

Agjërimi i Ramazanit është bërë obligim në muajin Shaban, viti i dytë hixhri, nëpërmjet ajetit 183 të sures Bekare, ku thuhet: “O ju që keni besuar! Agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”.

Agjërimi në Islam dhe aplikimi i tij në praktikë, mbi të gjitha, është një adhurim që bëhet vetëm për hir të Allahut, duke nënkuptuar nënshtrimin dhe respektimin e ligjeve të Tij, duke hequr dorë, në një pjesë të kohës së dhuruar nga Zoti, nga ushqimi, pirja dhe marrëdhëniet intime bashkëshortore.

VLERAT E RAMAZANIT
Prej të mirave të panumërta që Allahu Dhurues e Bamirës na ka favorizuar, është edhe Ramazani, muaji i nëntë i kalendarit islam. Fakti që Ramazani, i cili llogaritet sipas kalendarit hënor, rastis në të gjithë muajt e vitit kalendarik diellor, që kemi në përdorim, përmban një urtësi krejt të veçantë. Kështu, agjërimi mbahet në ditë të nxehta e të ftohta, të gjata e të shkurtra, duke i begatuar të gjitha ditët e vitit në intervale të caktuara e duke u përsëritur çdo 33 vjet.

Me të vërtetë ky muaj është pastrim për njeriun nga mëkatet që ka bërë gjatë gjithë vitit, pasi agjërimi në Ramazan është si një pastrim shpirtëror, portë në të cilën njeriu hyn një herë në vit, për të pastruar njollat e mëkateve të tij e për të dalë prej saj krejtësisht i pastër. Profeti Muhamed a.s., që në krye të herës lajmëron: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe bindje, i falen të gjitha mëkatet e mëparshme”.

Njeriu largohet nga ushqimi gjatë ditës, nga agimi deri në perëndim të diellit, derisa uria ta ketë lodhur dhe etja ta ketë ngacmuar, me mbërritjen e kohës së iftarit, arrin të kuptojë rëndësinë dhe vlerën e mirësisë së Allahut. Këtu ai ndien një gëzim të natyrshëm kur sheh se, ajo për të cilën ishte kufizuar gjatë ditës, iu bë e lejuar, siç thotë edhe Profeti ynë i nderuar: “Agjëruesi ka dy gëzime: gëzimi kur çel iftarin dhe gëzimi kur të takohet me Zotin e tij.”

KUSH E KA DETYRIM AGJËRIMIN
Ashtu si tek adhurimet e tjera, edhe tek agjërimi, përgjegjës për të agjëruar janë personat që plotësojnë kriteret e kërkuara, si më poshtë:

Personi duhet të jetë mysliman. Që dikush ta ketë detyrim (farz) agjërimin, duhet të jetë mysliman. Jomyslimanët nuk obligohen të agjërojnë.

Duhet të ketë hyrë në moshën e pubertetit dhe të ketë zhvillim mendor normal. Personat që nuk e kanë arritur moshën e pubertetit, nuk konsiderohen fetarisht përgjegjës për të kryer adhurime të caktuara. Konkretisht, fëmijët dhe personat me të meta mendore janë të përjashtuar nga obligimi i agjërimit.

Duhet të jetë i shëndetshëm për të agjëruar dhe duhet të jetë vendas. Që dikush ta ketë detyrë agjërimin, duhet të jetë fizikisht i shëndoshë (të mos ketë të meta trupore që e bëjnë të paaftë për të agjëruar); duhet të jetë klinikisht i shëndoshë, pra të mos jetë i sëmurë; dhe të jetë vendas, pra të mos jetë në udhëtim. Ndërkaq, po qe se kategoritë e mësipërme e agjërojnë, adhurimi i tyre është i vlefshëm. Por, nëse e përdorin lejen që u është dhënë dhe nuk agjërojnë, ditët e paagjëruara i zëvendësojnë në një kohë tjetër.

KUSH NUK E KA DETYRIM AGJËRIMIN

•             UDHËTARI

•             I SËMURI

•             I MOSHUARI

•             GRATË ME ARSYE

•             URIA DHE ETJA E THELLË

•             ÇFARË E PRISH AGJËRIMIN

•             NË KËNDVËSHTRIM TË PËRGJITHSHËM

AGJËRIMIN E PRISHIN:
• Marrëdhëniet intime bashkëshortore nga agimi deri në

perëndim të diellit.

• Ngrënia, pirja apo përdorimi i ilaçeve.

• Pirja e duhanit, thithja me qëllim e tymrave, avujve, etj.

• Përtypja e çamçakëzit.

• Hyrja në trup e diçkaje nga goja, hunda, veshi, etj.

• Dalja e gjakut nga goja dhe gëlltitja e tij.

Si për çdo adhurim, edhe për agjërimin e Ramazanit, që kryhet një herë në vit, ka një sërë rregullash që duhen respektuar. Këto rregulla kanë të bëjnë me tri loje situatash në të cilat gjendet personi që agjëron:

Situatat që e prishin agjërimin, por kërkojnë vetëm zëvendësimin e tij. Këto situata ndodhin kur agjëruesi, pa dashje ose me shkujdesjen e tij, ose duke gabuar pa qëllim, e prish agjërimin. Në këto lloj rastesh, personi kompenson vetëm atë ditë pas Ramazanit.

Situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe zëvendësimin edhe dëmshpërblimin e tij. Kjo ndodh kur agjëruesi e prish agjërimin pa arsyet e caktuara, me qëllim e vetëdije të plotë. Kush e prish me qëllim agjërimin, duhet të agjërojë ditën ose ditët që ka prishur, si dhe gjashtëdhjetë ditë radhazi pa ndërprerje si shpagim. Në pamundësi të kësaj, duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër.

Situatat që nuk e prishin agjërimin kur ndodhin në harresë. Kur agjëruesi e prish agjërimin në harresë e sipër, prej tij nuk kërkohet gjë tjetër përveç vazhdimit të agjërimit.

DISA DOBI TË AGJËRIMIT
• I kujton njeriut takimin me Zotin.

• E lartëson në nivelin engjëllor.

• I mëson vlerën e të mirave.

• E edukon të bëjë ekonomi.

• I maturon shpirtin.

• I vë fre egos.

• E mbron nga mëkatet.

• I mëson respektin ndaj amanetit.

• I mëson besnikërinë ndaj fjalës së dhënë.

• E mëson të jetë i ngopur dhe i kënaqur.

• I mëson durimin.

• E mëson të përballojë shqetësimet.

• I mëson bindjen dhe rregullsinë.

• I siguron shoqërisë unitetin dhe bashkimin.

• I kujton gjendjen e të varfrit.

• Parandalon lypjen.

• I jep pushim trupit.

• Rigjeneron trupin.

• E mbron trupin nga sëmundjet.

NATA E KADRIT
Nata e Kadrit është njëra prej netëve të Ramazanit. Ajetet kuranore dhe fjalët e të dërguarit të Allahut, që flasin për të janë të shumta. Rëndësinë dhe pozitën që kjo natë gëzon te zemrat e njerëzve, e tregon fakti që, pothuajse i madh e i vogël, e agjërojnë ditën që i paraprin Natës së Kadrit.

Allahu në Kur’an thotë: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) Natën e Kadrit. E ku e di ti se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e dobishme se njëmijë muaj. Atë natë zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit” (Kadr, 1-5).

Fjala “kadr” do të thotë fuqi, sundim, nder, vlerë, caktim. Ky përgëzim hyjnor është aq i qartë në Kur’an saqë nuk lë vend për asnjë koment tjetër. Si rrjedhojë, ky është edhe një argument që tregon për vlerën e lartë të kësaj nate. Asnjë natë nuk krahasohet për nga vlerat, mirësitë dhe begatitë me Natën e Kadrit, sepse Zoti xh.sh. nëpërmjet ajetit të cituar pohon se ajo është më e vlefshme se njëmijë muaj (rreth 83 vjet). Në një ajet tjetër Zoti Fuqiplotë përmend natën në të cilën është zbritur Kur’ani, ku thotë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Ne deshëm t’u tërheqim vërejtjen e njerëzit të jenë të gatshëm” (Duhan, 3).

ZEKATI
Zekatin e kanë obligim personat që plotësojnë kushtet e mëposhtme:

• Të jetë mysliman dhe të gëzojë liri të plotë.

• Të jetë i shëndoshë mendërisht dhe të ketë hyrë në moshën e pubertetit.

• Të ketë pasuri të mjaftueshme për të dhënë zekatin (sipas Islamit, kjo është pasuria që mbetet pas plotësimit të nevojave bazë dhe pagesës së borxheve).

Ai që zotëron pasuri sa kjo masë, një herë në vit, pasi të kalojë një vit hënor (354 ditë) nga momenti kur e ka zotëruar këtë pasuri, duhet të japë 2.5% ose 1/40-tën e saj.

 

KUJT I JEPET ZEKATI
Zekati i shpërndahet këtyre kategorive:

• Të varfërve dhe të dobëtëve që kanë nevojë për shërbim.

• Atyre që kanë borxhe e nuk mund t’i shlyejnë.

• Udhëtarëve që u janë mbaruar të ardhurat gjatë udhëtimit.

• Atyre që janë në rrugë të Allahut (që përpiqen për lartësimin e fesë).

• Nëpunësve të zekatit.

• Për të afruar njerëzit me realitetin e Islamit.

ME ÇFARË JEPET ZEKATI
Gjërat me të cilat nxirret zekati janë si më poshtë:

• Paraja.

• Sendet e çmuara si ari, argjendi apo stolitë si perlat, diamantet, etj.

• Kafshët si gjedhët, delet, devetë, etj.

• Mallrat e tregtisë.

Zekati dhe sadakaja (lëmosha) nxiten në shumë ajete kuranore dhe thënie profetike, ku bamirësve u premtohen shpërblime të mëdha si në këtë botë edhe në tjetrën.

SADAKAJA E FITRIT
Sadakaja e Fitrit është një nga detyrimet që duhet kryer brenda hapësirës kohore të Ramazanit. Me të obligohet çdo mysliman, pa dallim moshe a gjinie.

Qëllimi i këtij adhurimi është pastrimi i agjëruesit nga mangësitë dhe pakujdesitë e tij gjatë Ramazanit. Ajo llogaritet që të jepet në një sasi të caktuar për çdo pjesëtar të familjes. Kjo sasi duhet t’i jepet një njeriu vërtet në nevojë. Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Shpëtojini ata (të varfrit, nevojtarët) në këtë ditë.” Pra, nëpërmjet kësaj sadakaje, krijohet mundësia që bajramin ta festojnë të gjithë bashkërisht.

Koha e dhënies dhe e pranimit të saj është deri para faljes së namazit të bajramit. Nëse jepet më pas, nuk konsiderohet si Sadaka e Fitrit, por si një lëmoshë e thjeshtë.

Vlera e sadakasë nuk matet me sasinë e dhënë, por me gëzimin që ajo sjell te një zemër e lënduar.

Vlera minimale e Sadakasë së Fitrit e përcaktuar për këtë vit është 200 Lekë.


Kalendari i agjërimit

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ish hoxha,tani rakija.: 15/05/2018 12:17

    qure-qure,a akoma po meeren shqiptaret me pordhet e vjetra te arabve. po kjo eshte vetem nje cirk humor i zallinave arabe,se e gjitha ka qen veten nga vorfria dhe ekonomizuar pak ushqumin per nje muaj dite.

    Përgjigju
  • Kafsha: 15/05/2018 11:55

    O Skender, sivjet mos dilni mo ke sheshi Skenderbej për falje. Faljet fetare në sheshe publike ndalohen me kushtetutë. Shqipëria nuk është as Mekë e as Vatikan. Mblidhuni në kisha e xhami e faluni atje. Sheshin lereni të qetë!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër