Motra e vëllezër të besimit islam, në mënyrë të posaçme e të gjithë ju sëbashku që dashamirësish e pranuat ftesën time e të Lindës për të qenë dëshmitar të frymës së vëllazërimit që i prin sofrës së iftarit, mirë se keni ardhur!
Sot është një iftar i posaçëm edhe për faktin se nga njëra anë imazhi i këtij iftari është imazhi i xhamisë së bukur të Ballies në Elbasan, e cila u vlerësua edhe me një çmim ndërkombëtar për arkitekturën dhe në ndërkohë, sot në Tiranë ka hapur dyert më në fund pas shumë e shumë vitesh pritjeje edhe xhamia e madhe e Namazgjasë.
Kjo sofër tradicionale për hir të vërtetës, më jep gjithmonë një ndjesi gati fëmijërorë gëzimi dhe mund të them që me një farë naiviteti të cilin nuk ia qortoj vetes time, e shijoj këtë moment të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, kur na jepet mundësia të ndihemi mirë në besimin tek mirësia e njerëzimit, tek triumfi i dashamirësisë dhe tek rrjedha pozitive e jetës. E thënë ndryshe, në një ditë të tillë, jeta duket më e bukur dhe më e lehtë ndërsa paudhësitë dhe shëmtitë e kohës, duken shumë të kapërcyeshme dhe të papërfillshme, por në ditë si kjo, unë, jo myslimani, mendoj gjithnjë dhe mirësinë e të jetuari në një vend ku ritet e besimeve shfaqen në harkun e vitit si pjesë shumë të bukura të të njëjtit gjerdan në petkun e kombit tonë.

E kam sjell këtu me vete sonte vargjet që më së pari në italisht i pat shkruar në 1942 një poeteshë e re shqiptare e besimit islam, Jolanda Kodra, e diplomuar për letërsi në Itali e që ia kushtonte Shqipërisë. Vargje më pas të përkthyera në shqipen e asaj kohe të viteve ’40.
Kanga e muezinit dhe kumbonat, që të ramne muzgun mbushën me erë vjollcash,
grishin njerëzinë me u përmbledh në lutje, e me mendue mbi sa e sa gjana të mshefta,
kryeqzohen n’ajri në një të vetëm za pajtues, qortues e të mprehtë,
që mbi flatra t’fes naltsohet e përshpirtnisht lëkundet përmbi kryeqytet.
E ndërkohë që politika e andrallat e tjera të jetës profane si kudo tjetër dhe në vendin tonë anojnë nga tensionimi mes sho-shoqit, momente si ky janë esëlluese për njerëzit dhe me përulësinë e të qenit të barabartë përpara befasisë së vdekjes e të kudo gjendjes së Zotit të jetës, të bëjnë të dua që të jetë gjithmonë kështu, mes njëri tjetrit, fqinjit me fqinjin, shqiptarit me shqiptarin.
Ta dini se në çdo plaçkë që do të keni mbledhur, e pesta i përket Allahut, të dërguarit të tij, të afërmve, jetimëve, të vobektëve dhe udhëtarëve në nevojë. Kjo e pesta është plaçka e luftës së madhe, jo e atyre farsave xhihadiste të luftërave nga fantazmat e të cilave dridhen edhe disa intelektualë i thënçin, qoftë këtu mes nesh qoftë nëpër Europë dhe gjetkë.
Tipa nga ata që siç shkruante 80 e kusur vite më parë një dijetar mysliman shqiptar, nuk duan të dallojnë mes fesë dhe atij që e praktikon, gjëra që herë shkojnë dakord, por herë dhe nuk pajtojnë.
Sistemi mund të jetë i mirë, por pranuesi i këtij sistemi nga një herë nuk vepron ashtu siç e këshillon sistemi i pranuar dhe pra është i keq. Gjithashtu ndonjëherë ndodh e kundërta.
Ndërsa në Europë pasi Europa është sot e gjithë ditën kryefjala gjithmonë e më e rëndësishme e këtij momenti të jetës shqiptare kur dyert e Bashkimit Europian janë hapur si një mundësi e artë për ne që të kapërcejmë pragun e tyre, shpesh dëgjojmë që nuk dinë ç’thonë për fenë e myslimanëve, ndërkohë që ne në Shqipëri e dimë se për çfarë flasim.
E pesta është pengu i shpirtit të pastër që i detyrohemi fuqisë krijuese dhe jetëdhënëse, është flija që i kushtohet asaj fuqie, tamam në çastin që përtypim kafshatën e parë të iftarit, pas një dite kushtuar njerëzve, kushtuar familjes,, komunitetit dhe atdheut.
Kuptohet më mirë kjo që po dua të them në fjalët e tefsirit të Kuranit që rrjedhin nga pena e të madhi Haki Sharofi.
Lufta e shenjtë që i kushtohet mbrojtjes së atdheut dhe idealit të kombit që është liria e sovraniteti, nuk vënë para asnjë qëllim a interes personal, asnjë ideologji a parti, por vetëm qëllimin e përbashkët të mbarë kombit. Me këtë mënyrë fitohet dhe liria e shenjtë, për me ndjek pa pengim rrugën e zotit, ushtrimin e fesë së naltë.
E pesta, shpirtërorja, e vërteta, sakrifica, veprimi i vetëdijshëm në shërbim të bashkësie dhe mbi interesave të saj eprore, është pikërisht plaçka që fitohet me mund e me djersë nga kjo luftë e shenjtë në llogoret e të cilës për vëllezërit tanë, për fëmijët tanë, për Shqipërinë tonë, duhet të rreshtohemi pa dallim e pa ndërdyshje.
Është interesi epror i këtij vendi për të marrë atë që i takon prej qindra vitesh, të drejtën për të banuar nën çatinë e shtëpisë ku ky komb ka themelet, si pjesë e bashkësisë europiane e që prej dekadash të tëra njehet me ermin Bashkimi Europian. Megjithëse për pak vite Bashkimi Europian do të ketë rreth 60 milionë myslimanë, si shtetas të tijët, megjithëse në Francë, Gjermani e Britani e ca më shumë në Zvicër e ndonjë vend tjetër, popullsia e besimit mysliman është disa fish më e lartë se numri total i myslimanëve shqiptarë në Ballkan e megjithëse për ne, Shqipërinë e vogël ky i shumicës myslimane nuk duket të jetë problem përveç se për disa idiotë tek tuk nëpër Europë, unë dua ta ndaj këtu me ju sonte, bindjen time se myslimanët e Shqipërisë, jo që nuk janë problem, por janë një vlerë e shtuar e qenies sonë një vend i denjë për të qenë anëtarët më të rinj të bashkimit Europian.
Rexhep Qosja më ka pas thënë dikur shprehjen e njërit prej idiotëve që lart përmenda, që rrinte i shtriqur në një kolltuk të Parlamentit Europian. “Ju na thatë se kush jeni, por për ne do të jeni gjithmonë ata që ne mendojmë se ju jeni”.
Për hir të vërtetës i kam ndeshur dhe unë ca tipa të tillë në të përpjetën e gjatë të ngritjes së imazhit të Shqipërisë në sytë e botës, por mund t’ju them me bindje se i kam mundur e i kam lënë mbrapa, duke ushqyer veten me vjershën e një vargëzuesi plot talent të besimit islam, që nën një pseudonim shkruante në fund të viteve ’30 ca vargje me titull: Jeni të Gabuar.
Mos u dëshpëroni vëllezër shqiptarë, as mos u çuditni nga ca misionarë.
Ata nuk jaën njerëz, nuk njohin veten, lërini të flasin, lërini të lehin.
Ne jemi shqiptarë me vlera të larta, dimë çfarë është jeta, dimë çfarë është balta,
dimë ç’është vdekja, dimë e shumëdimë,
të shurdhër nuk jemi, të verbër nuk rrimë.
Dhe Europa sot ka nevojë për sa më shumë qytetarë e partnerë luajalë të besimit islam siç janë myslimanët shqiptarë por edhe për 5 shtyllat e urtësisë së tij, për tu mëkëmbur ndërkombëtarisht e për të forcuar sigurinë e vet gjeopolitike dhe profilin e saj të zbehur strategjik, Europa ka nevojë sot më shumë për Turqinë dhe aleatët e tjerë të Lindjes së Mesme se sa ç’Turqia dhe aleatët në fjalë kanë nevojë për Europën e sotme.
Për të njëjtat arsye, BE ka nevojë sot për shtetet ballkanike dhe popujt e tyre pjesërisht myslimanë, por ama rrënjësisht dhe tërësisht europianë, po aq sa ne kemi nevojë për Bashkimin Europian. Popull i vjetër, me përvojë jo të paktë, ne shqiptarët e vëllazërisë fetare siç na ka pagëzuar Papa Francesku, laicitetin nuk e kemi pritur ta kemi në karta për ta zbatuar si pjesë të kodit tonë gjenetik, falë kjo edhe larmisë fetare shekullore.
Se si përkthehet në praktikë laiciteti ynë, e ka post formuluar me mjeshtëri në 1944 një tjetër dijetar mysliman shqiptar, të cilit i është humbur emri, por fatmirësisht nuk i është humbur shkrimi.
Megjithëse në të vërtetë shteti ynë asht laik, por laiciteti i tij më duket se nuk don të thotë që ai asht krejt indiferent e nuk merr pjesë në formimin e edukatës shpirtnore e morale të popullit.
Laiciteti ndër ne duhet të ketë një kuptim tjetër, atë që shteti duhet t’i mbrojë të gjitha besimet e të sigurojë harmonizimin e të gjithë elementëve të ndryshëm, por jo të tolerojë shfuqizimin e ndjenjave fetare, pse një gjë e tillë do sillte konsekuenca të pakënaqshme.
E pra vëllazëria fetare është një produkt i brendshëm shqiptar siç një formë e caktuar laiciteti ka qenë produkt i brendshëm francez, nuk mund të shihet si një produkt eksporti, as nëpër Europë e as gjetkë, por nga ana tjetër është një fakt objektiv nëse reflektohet si duhet edhe kjo vëllazëri fetare për të cilën myslimanët shqiptarë kanë dhënë dhe japin aq shumë, duke dhënë për të gjithë dhe një mësim përulësie dhe komb ndërtimi të shëndetshëm, atëherë Shqipëria Europës i ofron një model ndryshe në marrëdhëniet me flamurin e bashkësisë së saj e mes të gjitha besimeve që ne këtu ushtrojmë, përfshirë dhe besimin islam.
Që pasqyra shqiptare e vëllazërisë shqiptare të ketë vokacionin ti shërbejë Europës përtej kufijve tanë, kjo është diçka që do dojë kohë të kapërdihet ndonëse është në interesin e të gjithëve, por që islami përkundër të qenit fatalizëm, fanatizëm e tërheqje për poshtë e një populli europian si i yni, është në fakt një nga elementet që e bëjnë edhe më të përligjur europianitetin e popullit tonë, kjo nuk duhet të ketë asnjë dyshim për askënd.
Shekuj përpara se sa perëndimi të përqafonte parimet e barazisë mes racave e të përmbyste sisteme të tëra kastash, ishte islami që në teori e në praktikë i mëkoi lindjes, përfshirë dhe asaj europiane, se i bardhë ose me ngjyrë, i lindur në mbrusi e një sërë familjare apo në vobektësi e në anonimat, je përpara zotit një njeri i barabartë me shokët e tu e po njësoj shumë përpara se sa të gdhendeshin në mermer fjalët “Liberté, égalité, fraternité”, është profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, që ka gdhendur në zemrën e besimtarit urdhëresën vëllazërohu. .
Në traditë, shkruan një tjetër dijetar mysliman shqiptar i para një shekulli, është për tu vërejtur se i madhi profet ka përdorur fjalën vëllzënohu, dhe nuk ka thënë bashkohu, domethënë me u vëllazënu e jo me u bashku. Fjala vëllazënim është më e gjerë se fjala bashkim, se ku është vëllazënimi bie fjala e një shtet me një shtet tjetër, bën traktate luftarake për të luftuar krahas, kundra armikut të përbashkët e për ta thuhet se janë bashkue, pro se nuk mund të thuhet se janë vllznue, se vjen një ditë që pirshin traktatin dhe rikthejnë armët njëri tjetrit. E në vëllazëri të vërtetë kjo gjë nuk mund të ngjajë. Që këta janë urdhërat e fesë sonë të naltë dhe krejt dobiprurëse që na udhnojnë me më të mirat, pse ma e mira ka brenda edhe të mirën.
Nuk do ishte e padobishme që brenda e jashtë vendit, të paqartët të ushtoheshin këtyre leximeve të islamit shqiptar, që thonë shumë për ne, por unë nuk e teproj besoj po them se thonë shumë edhe për melhemin që Europa e sotme ka nevojë. Do të kuptoni më mirë po ashtu pse për ne BE është më shumë se një grumbull traktatesh, është më shumë se një monedhë e përbashkët, është më shumë se një trup ligjesh të bashkë ndara.
Për ne bashkimi me Europën është vëllzëri, është lidhje në jetesë, është lidhje në paqe, është lidhje në një shtëpi të përbashkët. Europa i thërret shqiptarët e besimit islam ashtu siç i thërret vetë besimi i tyre në më të mirët, pra në vëllazërim, sepse të mirën, bashkimin siç thotë dijetari që citova, më e mira e ka të nënkuptuar sepse të kapërcyer në cilësi e në epërsi.
Në mbyllje të kësaj fjale, lejomëni të sjell këtu një thirrje që sot tingëllon jetike, për shqiptarët dhe për Europën. Një thirrje nga fjalët e bekuara të një hadithi të profetit, paqja qoftë mbi të.
Mos i tregoni shpinën sho-shoqit, mos e prisni lidhjen mes jush, të jeni vëllazën o robtë e zotit.
E pranuar qoftë kjo thirrje,
I pranuar qoftë agjërimi dhe lutja e të gjithë motrave e vëllezërve tanë myslimanë këtu të pranishëm,
Faleminderit!
K.M/Shqiptarja.comKomente


Dyert jane hapur … si mundesi e arte!?? Cpsikopati llogje fjalesh.
Përgjigju