Nesër Fitër Bajrami/ Kreu i KMSH Spahiu uron besimtarët: Të angazhohemi për një shoqëri të drejtë e solidare (VIDEO)

Miliona besimtarë myslimanë kremtojnë nesër Fitër Bajramin, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kalendarit të këtij komuniteti. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, teksa ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë shprehet se sakrifica dhe devotshmëria e muajit të Ramazanit duhet të jetë shembull i angazhimit për adhurimin e Zotit.

"Pas muajit të Ramazanit, muaj ku ndërlidhen përkushtimi e sakrifica, muaj në të cilin qenia jonë u shkëput nga përditshmëria materiale e muajve të tjerë, nesër, të gjithë besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, festën që kurorëzon sakrificën 30 ditore, dhe siç na ka premtuar Zoti (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë, pas vështirësisë vjen lehtësimi.

Bajrami është festë, është gëzim që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër. Urojmë që sikurse në këtë ditë kur ata që kanë më shumë japin për nevojtarët (ZEKATIN), t’i gjendemi përherë pranë të varfërve dhe të angazhohemi vazhdimisht për një shoqëri të drejtë e solidare.

Sakrifica dhe devotshmëria e muajit të Ramazanit duhet të jetë shembull i angazhimit tonë për adhurimin e Zotit të Gjithësisë, ndërsa solidariteti dhe dashuria që e karakterizojnë festën e Fitër Bajramin të jenë vlera të përhershme të shoqërisë dhe mbarë njerëzimit. Gjatë këtij muaji kam patur fatin të njoh shumë njerëz që agjëronin për herë të parë, të gjithë më kanë pohuar se ndienin një gjendje shpirtërore, morale e fizike të pa përshkrueshme me fjalë. Ky është ramazani, ky është agjërimi për hir të Zotit tonë!

Motra dhe vëllezër, i lutem Zotit të na e ketë pranuar këtë sakrificë, të na ketë falur gjynahet, të ketë shtuar begatinë, paqen dhe mëshirën e Tij të pakufishme mbi çdo zemër e cila ka sakrifikuar në emër të Zotit! I lutem Zotit të mëshirojë të gjithë të dashurit tanë që nuk jetojnë më! T’u japë shërim dhe ti lehtësojë dhimbjen çdo të sëmuri! Për më të varfrit dhe nevojtarët e shoqërisë tonë, O Zot largojua barrën e rëndë dhe shtrëngimin që sjell skamja.

I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithsecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë. Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Fitër Bajramin me urimet më të përzemërta, në emrin tim personal, dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë! Paçim të gjithë së bashku sa më shumë mbarësi e begati në familjet tona dhe në vendin tonë të dashur, Shqipërinë. Shëndet e mirësi për secilin! Gëzuar", shkruan Spahiu.

Besimtarët myslimanë kremtojnë nesër festën e Fiter Bajramit pas 30 ditëve të agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit. Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:21
Fitër Bajrami, Myftiu i Shkodrës Muhamed B. Sytari mesazh besimtarëve: Jeta merr vlerë, kur njeriu jeton në harmoni dhe pa urrejtje

 

Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed B. Sytari në mesazhin e tij për besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajrami ka nënvizuar faktin se ky muaj i Ramazanit që po lënë pas besimtarët u përgjak, duke cekur kështu edhe atë që po ndodh në Rripin e Gazës në Palestinë mes izraelitëve dhe palestinezëve.

"Është momenti për të kuptuar se jeta merr vlerë, kur njeriu është i aftë të jetojë në harmoni me vëllanë e tij njeri, pa urrejtje, pa prerje në besë, pa smirë, pa tamah në pronën e shenjtërinë e tjetrit, pa paragjykime e pa egoizëm të sëmurë", tha ai.

Mesazhi i plotë

Një ditë gëzimi dhe lutjesh për njëri-tjetrin, momente afrimi e pajtimi, çaste reflektimi dhe altruizmi, kohë për të ndihmuar e për të shtrirë dorën e mëshirës e bujarisë ndaj kujtdo që ka nevojë e që duhet të mos e ndjejë veten të braktisur e të harruar në Shqipërisë! Ramazani që po kalon, ishte një muaj plot begati, kur të gjithë shijuar mirësitë e bujarinë hyjnore ndaj nesh; në veten tonë, në familje, në shoqëri e kudo.

Ta ruajmë këtë frymë dhe ta mbajmë besën e Muajit Ramazan, edhe pas akshamit të kësaj dite, kur Hana e re e Muajit të Fitër Bajramit do të shfaqet horizonteve, për të lajmëruar hyrjen e atmosferës së Festës! Ramazani i sivjetshëm iu përgjak ymetit islam, por kjo nuk e theu as e frikësoi atë, përkundrazi, e forcoi edhe më shumë në rrugëtimet e pakthyeshme dhe qëndrimet e përbashkëta kundër dhunës e terrorit, kundër shkeljes së patolerueshme të drejtave themelore të njeriut, kundër krimeve dhe urrejtjes, të cilat e kanë prishur ekuilibrin e jetës në këtë botë!

Është momenti për të kuptuar se jeta merr vlerë, kur njeriu është i aftë të jetojë në harmoni me vëllanë e tij njeri, pa urrejtje, pa prerje në besë, pa smirë, pa tamah në pronën e shenjtërinë e tjetrit, pa paragjykime e pa egoizëm të sëmurë!

Fitër Bajrami është një ditë që na fton të jetojmë me gëzimin e besimin e Zotit në tokën tonë, në vendin tonë, në shoqërinë e familjen tonë. Ta falënderojmë Krijuesin tonë për çfarë na ka dhënë dhe të përpiqemi për të ndryshuar çfarë është prishur, sepse me besimin dhe fetarizmin tonë jemi të ftuar drejt ndërtimit!

Është momenti të mendojmë e të punojmë me sa të kemi mundësi për të sotmen e fëmijëve tanë, për edukimin dhe arsimimin e tyre, për personalitetin dhe tiparet e besimit, për cilësitë dhe vlerat!

Gjatë viteve dhe dekadave të fundit, jemi befasuar nga shfaqje të frikshme të dhunës, krimit, shthurjes, korrupsionit e degradimit të individit dhe shoqërisë shqiptare, për të cilat nuk jemi razi dhe, për të cilat, elitat e shoqërisë duhet të gjejnë rrugët e bashkëpunimit për ta shpëtuar individin dhe shoqërinë nga kjo buzë greminë!

Besimi dhe vlerat e tij janë shpresa, prandaj le të kthehemi nga dyert e Zotit e të hapim zemrat para dritës së udhëzimit dhe rrezeve të tij! Gëzoni me fëmijët e familjen tuaj, falënderojeni Allahun për mirësitë pa fund, me të cilat na begaton dhe punoni plot optimizëm për ditën që vjen, me bekime e mbarësi! Gëzuar Fitër Bajramin!

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë