Nesër nis Kreshma katolike, janë 40 ditët e agjërimit që paraprijnë ditën e Pashkës. Për kë beson, por edhe për kë nuk është i stërvitur me kalendarin fetar të ngjarjeve, është një kohë e rëndësishme. Dikush e përdor për shpirtin, e dikush për lehtësimin e trupit nga ushqimet e tepërta, të rënda.

Kjo Kreshmë nuk është ndër më të lehtat sa i takon ngjarjeve ndërkombëtare; gazetarët, që dikur ishin të vetmit “të autorizuar” të shpërndanin “lajmin e keq” ta verifikonin, ta konfirmonin në burime të besueshme, sot janë tejkaluar nga cilido ka një celular në dorë dhe hedh pa u menduar “bomba” e skandale në sheshin virtual të rrjeteve sociale. Jo vetëm Shqipëria jonë e vogël, por i gjithë Globi sot duket një hapësirë e ngushtë e mbushur me lajme nga më çoroditëset, nga fjalë nga më të rëndat, nga ofendime nga më prekëset. Nga cepi në cep.

Pak ditë para nisjes së Kreshmës, Papa Leoni bëri thirrje që “…të gjejmë forcën e një agjërimi që të përshkojë edhe gjuhën, që të pakësohen fjalët që lëndojnë dhe të rritet hapësira për zërat e të tjerëve…”

Në vendin tonë të vogël fjalët e këqija rëndojnë më shumë. Njerëzit shigjetohen pa u menduar gjatë dhe çfarë gjeneron dhunë duket tashmë një realitet i kthyer në normalitet. Kush përdor një hapësirë publike nuk shqetësohet kë mbledh aty, si i përdor, si i orienton, si i nxit që sherri i shëmtuar të kthehet në një cirk ku gara e vetme është ofendimi më ekstrem; pse jo, “edhe ndonjë goditje e papritur” mund të transformohet në “like”, në “share”.

Nuk është e nevojshme të shkosh përditë në kishë dhe në xhami për të marrë një edukatë minimale për përdorimin e gjuhës dhe të fjalëve, por kur ne të gjithë e shtyjmë përherë kufirin e kuq të përdorimit etik të tyre, atëherë duhet një Papë të na e kujtojë se duhet të agjërojmë.

Kur lindën supermarketet, kur lindin përditë mundësi për të paguar një mall që cilido e merr ta paguajë vetë në një dyqan pa shitëse, u bënë më parë studime që rezultuan se mbi 90 përqind e njerëzve kanë një ndërgjegje shumë të zhvilluar dhe etike dhe nuk do të dilnin kurrë nga një dyqan pa paguar mallin që e kanë marrë. Është një pjesë gjithmonë më e vogël mes nesh që mendon të bëjë atë që nuk duhet ta bëjë, të grabisë, të vrasë, të ofendojë. Në përgjithësi bota shkon drejt rregullit, drejt të mirës, drejt të drejtës. Një minoritet i zhurmshëm mes nesh krijon të keqen, e cila shpesh nis me fjalën.

Meqë politikanët nuk kujtohen shumë për rëndësinë e fjalës, meqë intelektualë nuk e gjejnë kohën të luten e të përgjërohen për të, atëherë, në këtë Kreshmë katolike, kush ka veshë dhe dëshirë, le të nisë dhe agjërimin e gjuhës dhe pastrimin e saj nga të rëndat fjalë!