TIRANË- Kuvendi i thirrur ditën e nesërme nga Sali Berisha do të sjellë goditjen përfundimtare për ekzistencën e Partisë Demokratike. Kështu shprehet analisti Ergys Mërtiri për Report Tv, i cili thekson se Kuvendi do të përçajë përfundimisht dy kampet në PD.
Në ‘Studio Live’ me Arbër Hitaj, analisti Mërtiri thotë se nuk ka asnjë shans për bashkim, pasi Berisha po vepron në mënyrë të njëanshme, duke shpërfillur totalisht palën që mbështet Alibeajn. Sipas tij, gjuha që ka përdorur ‘Rithemelimi’ kundrejt mbështetësve të Alibeajt ka qenë shumë e ashpër, madje ata i kanë akuzuar se bashkëpunëtor të Ramës, në këto kushte Mërtiri thotë se ka asnjë kuptim që t’iu thuash atyre të bashkohen me Berishën.
“Nuk ka kuptim që të themi se mund të jetë një kuvend që mund të bashkojë kampet përsa kohë ai bëhet në mënyrë të njëanshme, të nxituar me kokëfortësinë që partinë e kam unë dhe zgjedhjet i organizoj unë. Mua nuk më duket se ka më vend për bashkim, që të shkojë drejt bashkimit duhet që të marrë kohë. Njerëzit të fitojnë kohën për të reflektuar, për të analizuar situatën, duhet të shkojnë në bazë, të provohet që reflektim masiv brenda partisë që të gjykojnë me kthjelltësi pastaj. Zgjedhjet në kulmin e konfliktit, me nxitim, me luftën e amerikanëve, me propagandë, mund të jenë një strategji e mirë që Berisha të marrë PD, por mendoj se nuk do ia arrij as kësaj, kurrsesi një strategji për të bashkuar dhe reformuar PD-në. Nuk mund të ketë reformim në luftë e sipër. Këto janë çudira që po i shohim vetëm në PD, nuk mund të bashkohet kur zgjedhjet i bën në mënyrë të njëanshme. Absurde të pretendosh për një bashkim pas gjithë kësaj”, tha Mërtiri për Report Tv.
Mërtiri ka komentuar edhe peticionin e nisur nga mbështetësit e Berishës kundër ambasadores amerikane në vendin tonë, Yuri Kim. Mërtiri thotë se ajo është një përpjekje e dëshpëruar e Berishës për të bërë zhurmë dhe për të përfituar nga rasti për të marrë PD-në dhe për të përdorur atë si një mburojë ndaj politikës së SHBA-ve.
“Kim përfaqëson SHB dhe çdo pakënaqësi ndaj Kim, aq më tepër atakim sulm, është atakim i politikës së SHBA-ve. Një përpjekje e dëshpëruar e Berishës dhe njerëzve të tij për të prodhuar zhurmë për të mbijetuar se janë në kufijtë e mbijetesës, ata po përpiqen të fitojnë kohë, të përshpejtojnë këtë lloj antagonizmi për të kapur sa më shpejtë PD, se duke kapur PD ata mendojnë dhe shpresojnë se mund ta përdorin për tu mbrojtur nga politika amerikane, që duket qartësisht se është kundër tyre. Është problematike dhe nuk çon diku aq më tepër nuk sjell ndonjë efekt elektoral”, u shpreh Mërtiri.
Pavarësisht mesazheve nga ndërkombëtarët se nuk e njohin Rithemelimin si organin drejtues të PD dhe përballë grupit të Enkelejd Alibeajt që vijon ta konsiderojë proces përçarës, Sali Berisha do të mbajë nesër Kuvendin Kombëtar. Me shpresën për të dhënë sinjale bashkimi, Berisha ka ftuar në Kuvend ish-bashkëpunëtorët, Arben Imami e Jozefina Topalli, dhe të larguarit e fundit nga PD, si Rudina Hajdari e Myslym Murrizi. Në Kuvendin e PD-së, Sali Berisha ka ftuar që të marrin pjesë të gjithë deputetët, përfshirë këtu edhe ato që janë konsideruar si besnikë të Lulzim Bashës.
Vati dhe kjo parti,por cfare partie thuaj? Organizat kriminale thuaj,me njerez parazit jo tolerant,pa ide qe e kane mendjen per sherr dhe per tu pasuruar ne kurrjse te popullit te ndershem.Ysht fare e keqe .
Përgjigju