Risi dhe një pjesëmarrje më të madhe do të ketë Maratona e Tiranës që këtë vit shënon edicionin e saj të dhjetë.

Aktiviteti sportiv që çelet të dielën pritet të bëjë bashkë rreth 6 mijë garues nga afërsisht 4 mijë që ishin vjet.

“Vitin e kaluar morën pjesë 4 mijë garues, ndërsa deri në këto momente janë regjistruar dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen 5,800 pjesëmarrës, çka tregon interesin e madh që ka kjo garë”, tha Sadi Vorpsi, nënkryetar i bashkisë së Tiranës.

Risia e këtij edicioni është gara 5 kilometra, duke krijuar më shumë mundësi për përfshirjen e qytetarëve.

“Një risi në këtë garë është dhe një garë e re që bëhet për herë të parë, 5 kilometra. Natyrisht që interesi ka qenë goxha i madh në raport me vitin 2025”, u shpreh Vorpsi.

Maratona do të zhvillohet më 15 nëntor, në disa akse të kryeqytetit. Për organizimin e saj janë angazhuar prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.

“Besoj që ky event, pra Maratona e Tiranës, është një event i rëndësisë së veçantë për të zhvilluar turizmin, ndërveprimin qytetar dhe promovimin ndërkombëtar të Tiranës. Kjo ngjarje e madhe sportive kontribuon edhe në krijimin e një atmosfere festive për kryeqytetin, duke i dhënë mundësi komunitetit për t'u përfshirë në këtë aktivitet sportiv dhe social”, tha Vorpsi.

E gjithë unaza e vogël e Tiranës nuk do të ketë qarkullim të automjeteve, po ashtu bulevardi “Zogu i Parë” dhe Bulevardi i Ri. Nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rruga e Kavajës, e Durrësit, “Myslym Shyri”, rrugët e ish-Bllokut dhe kryqëzimet që të nxjerrin nga bulevardi në Rrugën e Elbasanit, do të jenë të bllokuara.

Për shkak të maratonës, të dielën edhe disa linja të transportit publik urban do të devijohen.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
1.0 / 5 (1 vlerësim)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 14 Nëntor, 14:59

    Rama shkarkon Veliaj nga drejtimi i PS-së së Tiranës, si e vlerësoni?